Nga ERVIN FAKAJ
Listat për një kompeticion të rëndësishëm siç ësh të Europiani gjithmonë do të hapin debat dhe gjithmonë do të kenë edhe diskutime. Sigurisht, në fund është trajneri ai që vendos, por a është ai i pagabueshëm, qoftë edhe kur çon Shqipërinë në finalet e një evenimenti të tillë?
Unë mendoj që jo, edhe pse jam i ndërgjegjshëm se kjo është relative dhe e diskutueshme për çdokënd. Natyrisht, ishte e pritshme që pjesa dërrmues e lojtarëve që do të shkonin, do të ishin po ata që dhanë një kontribut të çmuar në kualifikimin në Euro, por Shqipëria tashmë ka detyrën që të shohë edhe përpara. A ishte kjo listë gjithëpërfshirëse dhe largpamëse? Dyshoj shumë...
Rashica - Është një ndër talentet më të spikatur në Europë dhe këtë nuk e them vetëm unë, apo vetëm ne shqiptarët. E thonë edhe mediat e specialistët ndërkombëtarë. Zhvilloi një sezon të shkëlqyer me Viteshen në Holandë dhe pa dyshim mund të ishte në listën e De Biazit, për talentin dhe profesionalizmin që ka. De Biazi vendosi ta lërë jashtë 23-shes zyrtare, por më duket e nxituar.
Është e thjeshtë: Shqipëria duhet të mendojë edhe për të ardhmen. Me aq sa pashë edhe në miqësoren e fundit, me keqardhje konstatova se disa lojtarë aty ose janë në rënie të lirë, ose nuk mund të bëjnë për asnjë moment diferencën. Rashica nuk ka eksperiencë sa ata, por ama mund të bëjë diferencën në momente të caktuara.
Rashica gjithashtu ka edhe një minutazh në skuadrën e tij që disa të tjerë nuk e kanë.
Rrahmani - Të jesh pjesë e formacionit më të mirë në Kroaci dhe të mos bësh pjesë në listën e De Biazit është e dhimbshme dhe gati surreale. Gjithnjë duke marrë parasysh se De Biazi ka vendosur të shkojë në finalet e Europianit me vetëm 3 qendërmbrojtës...
Rrahmani, ashtu si edhe Rashica, mund të bënte gjëra ndryshe dhe mund të ishte një ndihmë për Kombëtaren gjatë këtyre finaleve, sepse ka potencialin, ka minutazhin dhe mbi të gjitha është një lojtar i ri që Shqipërisë mund t'i shërbejë edhe për 10 vitet e ardhshme.
Lista e De Biazit me përzgjedhje të tilla mund të jetë një shembull i keq për çdo të ri të talentuar që bën maksimumin në kampionate perëndimore, por në fund "digjet" për hir të disa zgjedhjeve të bëra për forcë zakoni. Keqardhje, që mendojmë vetëm për të sotmen dhe jo për të ardhmen!