Safet Gjicit i janë dashur disa minuta për t'u qetësuar pas atij rasti flagrant që humbi Izair Emini në minutën e parë shtesë, ku nga shumë pranë goditi shtyllën duke mos i dhënë mundësi skuadrës të shmangte humbjen në sfidën e djeshme.
Presidenti i Kukësit ka besuar deri në fund për një rezultat pozitiv, por fati dhe gabimi i lojtarëve në momentin e golit që pësuan, bënë që Austria të fitonte minimalisht.
Në fund të sfidës së djeshme, Gjici ka komentuar lojën e të tijve dhe të tre futbollistëve të huazuar nga Skënderbeu, Latifi, Lilaj dhe Fukui.
Gjici
"Ishim të pafat. Ju e patë, sulmuesi kryesor humbi një rast flagrant me portën bosh. Ishte e pafalshme. Çfarë mund të bësh më tani pas asaj që ndodhi?! Megjithatë, nuk kemi çfarë të bëjmë, pasi futbolli i tillë është.
Jam i kënaqur nga paraqitja e skuadrës në përgjithësi, pavarësisht se golin e pësuam për shkak të një gabimi amator.
Por, e morëm veten me kalimin e minutave dhe krijuam shumë raste. Ju e patë, luajtëm shumë më mirë se Austria në pjesën e dytë dhe kishim disa mundë- si për të shënuar.
Nëse do të kishte shënuar Emini atë gol në fund, me 99% do të ishim të kualifikuar", u shpreh presidenti i Kukësit. I pyetur në lidhje me paraqitjen e tre lojtarëve të huazuar nga Skënderbeu dhe shanset që ka ekipi për t'u kualifikuar, presidenti i kuksianëve u përgjigj:
"Lojtarët e huazuar nga Skënderbeu bënë një paraqitje të mirë. Për sa u përket shanseve për kualifikim, kemi shumë mundësi.
Tani që pamë edhe mënyrën e lojës së kundërshtarit, kam shumë besim se do t'ia dalim në sfidën pas një jave.
Për takimin që do të luajmë në Elbasan, do të zgjidhja ekipin e pjesës së dytë që luajti në Austri. Në fraksionin e dytë bëmë një paraqitje shumë të mirë duke dominuar mbi kundërshtarin.
Tani le të besojmë deri në fund se do arrijmë të kualifikohemi për më tej", përfundoi prononcimin e tij për gazetën presidenti i skuadrës, Safet Gjici.
ILIR CARA