Arroganca e pushtetit është një nga pasojat më të dukshme të papjekurisë dhe varfërisë së një shoqërie, sepse vetëm në shoqëritë e varfra dhe të pa zhvilluara populli i nënshtrohet, jo nga dëshira por nga pafuqia apo apatia, kërkesave dhe vullnetit të atyre që kanë pushtet, i cili sado i vogël qoftë zmadhohet nga hendeku i madh mes fuqisë ekonomike të atyre që e ushtrojnë pushtetin dhe atyre mbi të cilët ushtrohet pushteti.
Skandali i kryebashkiakut të Dibrës është rasti më i fundit i një raporti të sëmurë midis institucioneve dhe popullit. Në këtë raport, institucionet kanë pushuar së qei të tilla--pra, rregullatorë të mosmarrëvehsjeve që qëndrojnë mbi palët--por janë shndërruar, për shkak të injorancës dhe fodullëkut të atyre që i drejtojnë ato dhe të pafuqisë dhe mungesës së alternativave të popullit, në njërën nga palët--pala sunduese në emër të ligjit dhe rezultatit elektoral.
Metodat demokratike në përzgjedhjen e përfaqësuesve të institucioneve, përfshi rotacionin politik të posteve drejtuese, nuk kanë arritur të jenë zgjidhje e problemit, pasi kultura dhe vullneti i atyre që drejtojnë institucionet kthehet menjëherë në përpjekje për të shtuar dhe përqëndruar sa më shumë pushtet të jetë e mundur gjatë aq pak kohë sa do jenë në detyrë; oreksi dhe injoranca bëjnë pjesën tjetër.
Rilindjet, qofshin ato urbane apo demokratike, kanë treguar gjerësisht se nuk janë tjetër veçse sllogane elektorale, të cilat shërbejnë si mjete propagandistike për të arritur pushtetin, por pastaj ushtrimi i pushtetit udhëhiqet vetëm nga prirja për sundim total, pa asnjë kufizim, deri në abuzim.
Projektet për bërjen e shtetit përdoren vetëm për të rritur fuqinë zhvatëse të pushtetit, në shërbim të projektit për sundim dhe pasuri.
Mjafton të analizojmë me qetësi ndryshimin e proçedurave tatimore, rritjen pa masë të sanksioneve dhe eliminimin e garancive dhe mbrojtjeve bazë të bizneseve, për të kuptuar si është themeluar abuzimi i pushtetit nga zyrtarët në emër të përparimit shoqëror.
Fatkeqësisht, kjo është shndërruar në metodë për çdo zyrë të mundshme--me ngritjen e shumë perandorive të vogla, secila e pajisur me pushtet tatimor të themeluar mbi kërcënimin e vulës.
E gjitha është ngritur mbi paaftësinë thelbësore të bazuar në një sistem adiministrativ publik, qëllimisht të kalbur dhe të paaftë të ofrojë shërbimin e pritshëm, në mënyrë që të rrisë gatishmërinë e klientit (pra, qytetarit) për të kaluar në negocime direkte nën dorë.
I gjithë sistemi publik i ditëve të sotme është i finalizuar tek zhvatja dhe i mbrojtur nga ata, që duhet ta denoncojnë, të cilët për qëllime politike mohojnë provat. Por deri kur?
Deri kur populli të zemërohet, me pak fjalë deri kur një vajzë 20 vjeçare, në vend që të poshtërohet me derrin e rradhës, përdor mjetet që i lejon përparimi teknollogjik, për t'i treguar tërë botës se ai është një derr .
Me veprimin e saj ajo tregon se për të ndaluar gjithë këtë nuk nevojiten reformat e Rilindjes, nuk shërbejnë portalet e rreme të denoncimeve të menaxhuara drejpërdrejtë nga të akuzuarit e mundshëm; e mbase nuk nevojitet as një reformë kaq e komplikuar drejtësi; por nevojiten disa gjëra të thjeshta: nevojitet të jesh i moralshëm, nevojitet të kesh pak kurajo apo indinjim, nevojitet pak teknollogji dhe së fundmi një media e lirë për t'i bërë jehonë denoncimit.
Dy të fundit garantohen nga përparimi teknollogjik, i cili me kamera, telefonë të zgjuar, portale interneti dhe media sociale nxorri jashtë loje kartelin e mediave dhe nënshtrimin e tyre të detyruar përballë pushtetit--dy të parat janë në dorë të popullit, në fakt të ndihmuara dhe inkurajuara nga e njëjta arrogancë e pushtetit.
Dhe sot populli ka fytyrën (e mbuluar për motive privatësie) të një vajzë dibrane, e cila mund të jetë vajza e kujtdo ose mund të ishit kushdo--mund të ishit vetë ju.