Rauning Nuk mund te kete liri te medias pa pavaresi te saj

- Ambasadori i OSBE-së, Rauning merr pjesë në konferencën "Speak UP3" në Bruksel-

Raunig_SpeakUp3TIRANË, 4 Nëntor/ATSH/.- Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Florian Rauning mori pjesë sot në konferencën për lirinë e shprehjes "Speak UP3" , që po zhvillohet në Bruksel, ku theksoi se nuk mund të ketë liri të medias pa pavarësi të saj

Në konferencën e organizuar nga Komisioni Evropian, ambasadori Rauning theksoi se "liria dhe pavarësia e medias janë koncepte të dallueshme nga njëra-tjetra, por që gjithsesi mbeten të ndërvarura: Nuk mund të ketë liri të medias pa pavarësi të saj. Fenomeni i parë mbresëlënës është moria e mediave në një treg relativisht të vogël. Kjo xhungël pak a shumë e padepërtueshme e medias lokale dhe kombëtare çon në furnizim të tepërt për një numër relativisht të vogël konsumatorësh".

"Nëse vëzhgojmë situatën e medias në Evropën Juglindore, shohim se disa elementë duken si specifike për këtë rajon, ndërsa të tjera paraqiten si sfida më të përbotshme ndaj përmirësimit dhe sigurimit të lirisë e pavarësisë së medias", tha Rauning.

Duke folur për situatën e punësimit të gazetarëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor , Rauning tha se "duket se ekziston një praktikë shumë e përhapur e dobësimit të pavarësisë profesionale të gazetarëve duke i mbajtur ata të varur personalisht ndaj punëdhënësve të tyre, në shkelje të dispozitave ligjore. Kjo merr kryesisht formën e punësimit të paligjshëm ose të vonesave në pagesën e rrogave dhe shpërblimeve".

"Një tjetër mënyrë premtuese për të siguruar lirinë e shprehjes dhe pavarësinë editoriale është shndërrimi i transmetuesve publikë në institucione të pavarura, të besueshme e llogaridhënëse", u shpreh Rauning.

Ambasadori Rauning duke sjellë një shembull konkret nga Shqipëria, deklaroi se "prezenca e OSBE-së në Shqipëri, së bashku me vetë transmetuesin publik, ka nisur një reformë gjithëpërfshirëse dhe program modernizimi për transmetuesin publik të Shqipërisë. Partnerë të ngushtë në këtë projekt ambicioz janë Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Bashkimi Evropian i Transmetimeve dhe UNESCO"./k.s/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama