Dy prej ambientalistëve më të njohur në kauzat për ruajtjen e mjedisit, Artan Lame dhe Artan Shkreli, shprehin qëndrimet e tyre për asgjësimin e armëve kimike në vendin tonë. Për ambientalistin Artan Lame, që sot kryeson edhe Agjencinë e Legalizimeve, reagimi i qytetarëve, të cilët prej ditësh janë hedhur në protesta, nuk është i duhuri. “Shqiptarët treguan që nuk janë ende të aftë për të marrë përgjegjësinë mbi vete”, tha Artan Lame në një reagim të shkurtër për gazetën panorama, nëse është pro apo kundër ardhjes së armëve kimike.
Edhe më i prerë ka qenë në qëndrimin e tij arkitekti Artan Shkreli, i cili pyetjes pro apo kundër asgjësimit të armëve kimike në Shqipëri, i është përgjigjur me dy fjalë: “Në parim kundër!”. Në vazhdimësi, Shkreli dhe Lame janë njohur për reagimet e tyre kundër betonizimit të kryeqytetit, zhdukjes së hapësirave publike dhe atyre të gjelbra. Po kështu, ata renditen në radhët e intelektualëve që kanë mbështetur raste nismat e Kryeministrit aktual, Edi Rama, si gjatë kohës kur ai drejtonte Bashkinë e Tiranës, edhe para marrjes së pushtetit në opozitë. Madje ata kanë qenë edhe oponentët kryesorë për të kundërshtuar Planin e ri Urbanistik të Tiranës, që u miratua nga Lulzim Basha.