Klubi i Skënderbeut ka dalë me një reagim zyrtar rreth të rejave të fundit që kanë lidhje me apelimin e tyre pas dënimit që iu dha nga UEFA. Korçarët saktësuan se po përgatiten mirë për betejën ligjore në KAS.
"Duke marrë shkas nga disa shkrime të ditës së sotme dhe jo vetëm, në të përditshmet sportive, e ndjejmë të moralshme që të bëjmë një reagim i cili do të jetë i fundit në lidhje me ato akuza absurde për këtë çështje e cila pritet të zgjidhet përfundimisht në ditët në vazhdim. K.F Skëndërbeu ka bërë publike të gjitha zhvillimet realet siç kanë ndodhur dhe po ndodhin në marrëdhënie me UEFA-n.
E respektojmë UEFA-n si institucion dhe kemi pranuar të jemi pjesë e tyre duke ju përshtatur rregullave dhe ligjeve të këtij institucioni, mirëpo kjo nuk mund të pranojmë baltën që hidhet mbi klubin tonë me akuza dhe paragjykime absurde. Pranuam me qetësi dënimin nga UEFA dhe menjëherë nisëm punën për të përgatitur mbrojtjen në CAS. Puna vazhdon me të njëjtën qetësi, por teksa vazhdojmë të lexojmë akuza absulutisht të pavërteta, nuk mund të qëndrojmë duarkryq.
Jemi të bindur që shumë shpejt të gjitha këto shpifje do të bien poshtë, pasi Skëndërbeu është i pastër dhe do të kërkojë të drejtën e tij deri në fund. Momentalisht jemi në proces dhe nuk mund të bëjmë publike raportet, por në përfundim do t'i publikojmë ato për t'i treguar opinionit sportiv dhe medias që gjithçka po shkruhet dhe flitet është aludim në lidhje me shifrat dhe të ashtëquajtura fakte që kompani të tilla paskan. Edhe në seancën dëgjimore në UEFA nuk pamë e dëgjuam asgjë nga këto shifra.
Nëse kanë prova, le t'i drejtohen gjykatës dhe jo gazetave pasi ne nuk jemi kavje që të përdoremi nëpër laboratore për të eksperimentuar ashtu siç Federbet do të eksperimentojë programin e tij me Klubin e Skënderbeun. Informojmë tifozerinë korçare që Klubi i Futbollit Skëndërbeu do ta ndjekë deri në fund këtë çështje e cila ka prekur jo pak moralin e klubit, lojtarëve, stafit por edhe të një qyteti dhe tifozerie të mrekullueshme. Gjithçka do të përfundojë pas vendimit të CAS. Bëjmë me dije që klubi ka kontraktuar një nga agjensitë më prestigjoze në Europë për të mbrojtur të drejtën absolute ne CAS.
Projekti i Skëndërbeut nuk do të mbarojë këtu, madje përkundrazi sapo ka nisur. Do të vazhdojmë të qetë punën për tu përgatitur për Champions League dhe për të sistemuar në vitrinën tonë tituj të tjerë kampionë. Jemi të qetë dhe besimplotë që përfaqësuesit e Skëndërbeut nuk do të mungojnë në hedhjen e shortit në Nyon të Zvicrës dhe do të bëjmë më të mirën për të arritur përsëri suksesin e sezonit që sapo përfundoi.
E ritheksojmë që ky është reagimi i fundit që bëjmë pasi jetojmë në një realitet i cili paragjykon gjithçka dhe veç tifozerisë korçare nuk kemi moralin dhe përgjegjësinë ti përgjigjemi askujt tjetër që mund të vuajë nga xhelozia e tepërt për sukseset e Skënderbeut. Gjithë kjo baltë e hedhur prek jo vetëm Skënderbeut, por gjithë kampionatin shqiptar në këto gjashtë sezonet e fundit, ku Skënderbeu ka vendosur diktatin me meritë absolute!"