Reagon Komuniteti Mysliman Zvicra islamofobi pa motiv

Reagon Komuniteti Mysliman: 'Zvicra', islamofobi pa motiv
Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, Gazmet Aga, ka kërkuar dje reagim edhe nga institucione të tjera lidhur me fushatën dhe fotot e Partisë Popullore Zvicerane, ku kontrastohej sipas tyre gruaja shqiptare dhe ajo zvicerane me dy foto të përkundërta dhe me mesazhin fyes: "Edhe ne do të përfundojmë si këta". Ndërkohë që gjatë ditës së sotme në selinë e Komunitetit Mysliman do të ketë një mbledhje të nivelit më të lartë drejtues për këtë çështje ku pritet të ketë, sipas z. Aga, edhe një deklaratë proteste dërguar të gjitha kancelarive diplomatike në Shqipëri.


Z. Aga, a jeni në dijeni të fushatës së Partisë Popullore në Zvicër që ka shoqëruar një referendum për emigracionin në Zvicër me foto diskriminuese shqiptarofobe? Cili është reagimi juaj?

U njoha me këtë ngjarje diskriminuese në media. Nuk është thjesht një tentativë e dështuar për të njollosur besimin islam; ato foto janë diskriminuese për të gjithë shqiptarët, pavarësisht besimit. Fushata të tilla janë të nxitura nga forca politike ekstremiste, të cilat zmadhojnë të ashtuquajturin "rrezik islamik" nisur nga ndjenja e islamofobisë. Rastin e fundit ne e shohim si pjesë të kësaj strategjie. Ata janë të painformuar dhe kjo fushatë diskriminuese nuk ka asnjë të vërtetë për shqiptarët. Shqiptarët nuk janë ashtu dhe dihet nga të gjithë që vendi ynë shihet edhe si shembull unik në botë i tolerancës dhe bashkëjetesës. Shumica islame, ndërkohë, asnjëherë nuk ka përbërë pengesë në integrimin e Shqipërisë në BE. Ne jemi shqiptarë dhe dimë të bashkëjetojmë me të gjithë, nuk ka vend këtu për frikëra në BE. Kemi prova në histori që kemi bashkëjetuar me katolikët, ortodoksit edhe me hebrenjtë etj. Fushata të tilla nuk bëjnë gjë tjetër, veçse nxjerrin në pah islamamofobinë e pamotivuar.

Do të ketë ndonjë notë proteste zyrtare?

Ne si Komunitet Mysliman do të zhvillojmë një mbledhje të forumit të më lartë drejtues ku do të diskutohet kjo çështje. Në fund të saj do të bëjmë dhe dije edhe qëndrimin tonë nëpërmjet një deklarate proteste, e cila do të dërgohet në të gjitha kancelaritë diplomatike në Shqipëri. Ata që tremben ose bëjnë sikur tremben nga ne, duhet të kuptojnë se të qenit mysliman, jo vetëm që nuk pengon Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE, por është një vlerë për të cilën, e përsëris, kemi qenë dhe jemi shembull. Nuk i meritojmë ato foto dhe ato mesazhe, madje kjo partia që ka nisur këtë fushatë, bën mirë të marrë ca shembull nga toleranca e myslimanëve shqiptarë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama