Korabi dhe tifozët e tij kanë qenë në qendër të akuzave në lidhje me dhunën e shkaktuar të shtunën pas ndeshjes ndaj Kastriotit. Në lidhje me ngjarjen, klubi dibran ka reaguar dje nëpërmjet një deklarate për shtyp.
Ndër të tjera, ata dënojnë dhunën e tifozëve vendës, por njëkohë- sisht akuzojnë drejtuesit dhe lojtarët e Kastriotit se kanë hyrë në fushë dhe kanë dhunuar mbështetësit dibranë. Ndër të tjera, Korabi akuzon edhe për tentativë blerjeje të ndeshjes nga krutanët që kanë telefonuar dhe takuar disa lojtarë të Korabit për t'i korruptuar.
Deklarata
"Duke iu referuar ndeshjes Korabi-Kastrioti, datë 07.05.2016, ora 17:00, ju paraqesim të vërtetën e zhvillimit të ngjarjes që aq shumë artikulohet në shtyp dhe mediat vizive. Ndeshja e radhës kishte rëndësi për të dy ekipet dhe atmosfera sportive në fushë ishte një festë e vërtetë që rrallë shihet në stadiumet tona.
Duam të theksojmë se nga dita e mërkurë deri ditën e ndeshjes nga stafi drejtues i Kastriotit është bërë presion ndaj lojtarëve të Korabit me telefon dhe takime direkte për kompromise. Ndeshja që nga minuta e parë e deri në minutën e fundit, kur gjyqtarët hynë në dhomat e zhveshjes, është zhvilluar 'fair-play'.
Aludohet se gjyqtari ka qenë i njëanshëm. Megjithatë, ekzistojnë pamjet filmike të gjithë takimit, të cilat mund të shihen nga të interesuarit për të kuptuar se në cilën anë ishte gjyqtari. Me mbarimin e ndeshjes, siç ndodh në gjithë botën sportive, tifozëria dibrane jo pak, por rreth 7 mijë, ka festuar e gëzuar këtë fitore dhe një pjesë, afërsisht 500 tifozë, kanë hyrë në fushë për të festuar me futbollistët e tyre, gjë normale, por jo e justifikuar nga ana jonë.
E themi këtë sepse nuk ka asnjë arsye që një popull të ushtrojë dhunë kur është fitues. Në këtë moment, persona nga stafi i Kastriotit dhe lojtarët rezervë kanë hyrë në fushë dhe kanë ushtruar dhunë ndaj tifozëve tanë që po festonin me futbollistët këtë fitore, me qëllim që të realizonin një skenar tjetër, të cilit ia arritën pjesërisht. Në këtë situatë, forcat e policisë, stafi dhe futbollistët e Korabit kanë ndërhyrë në mbrojtje të ekipit mik", thuhet fillimisht në reagimin e klubit.
"Ne si klub i futbollit e si dibranë dhe në emër të Bashkisë, dënojmë me forcë aktet e dhunës nga çdo ushtrues të saj, person apo ekip qoftë dhe distancohemi në çdo moment të shfaqjes së saj. Për të gjithë këtë që deklarojmë ne disponojmë pamjet filmike që do t'i vihen në dispozicion FSHF-së që të shikohet qartë dhe pa deformime se çfarë ka ndodhur në stadiumin 'Korabi' në realitet", përfundon deklarata e Korabit.
Përgatiti: FATMIR ZHUZHI