Babai i Taulant Xhakës, Ragip Xhaka, ka përgënjeshtruar zërat për largimin e mesfushorit nga Kombëtarja shqiptare e futbollit.
Këtë të premte në disa portale u publikua lajmi se Taulant Xhaka dhe Shkëlzen Gashi do të largohen nga Kombëtarja pas përplasjeve të fundit që kanë pasur me trajnerin Xhani De Biazi.
Por në një reagim për mediat kosovare, babai i vëllezërve Xhaka tha se gjithçka që është shkruar është e pavërtetë. "Taulanti nuk është përleshur me De Biasin, derisa për Gashin nuk mund të them asgjë sepse nuk e di", ka thënë Ragip Xhaka për "Gazetën Express".
Ai ka shpjeguar edhe arsyet e nervozizmit të treguar nga futbollisti pas ndeshjes së parë me Zvicrën, ku Taulanti u pa të përplasje shihen e ujit pas zëvendësimit nga trajneri italian.
"Ai dëshironte që të luajë gjithë ndeshjen kundër vëllait të tij, Granitit dhe nervozizmi ishte normale aty",-shtoi babai i Xhakës.
"Unë mendoj se Taulanti është lojtari kyç në mesfushën e Kombëtares dhe është i vetmi që ka dhënë gjithçka për këtë ekip. Kuptohet se nuk e ka pritur aspak mirë atë vendim, por nuk është e vërtetë se do të largohet nga Kombëtarja dhe se është përleshur me trajnerin. Nuk do ta braktisë kombëtaren.
Taulanti nuk luajti në ndeshjen e fundit pasi ishte i sëmurë. Ai qëndroi i shtrirë për tre ditë duke mos u stërvitur fare. Unë ende nuk e kamë parë Taulantin. Ai gjatë ditës së shtune do të vij në Zvicër dhe do të qartësohet kjo që shkruhet, por unë e përsëris sërish se asgjë nuk është e vërtetë",-ka thënë Ragip Xhaka për "Gazetën Express".
Ndërkaq, pak kohë pas publikimit të lajmit për një largim të mundshëm të dy futbollistëve nga Kombëtarja, Shkëlzen Gashi publikoi një koment të shkurtër në profilin e tij në rrjetin social "Facebook", duke falënderuar tifozët për pritjen që i rezeveruan një ditë më parë në Tiranë.
"Faleminderit për një pritje kaq të bukur!",-shkruan Gashi, ndërsa e ilustron komentin e tij me një foto nga tifozët në shesh.