S ot në Spanjë është një e diel "zjarri", teksa në orën 17:00, të tria skuadrat pretendente do të zbresin në fushë dhe sigurisht të gjitha do ta mbajnë një "vesh" nga rivalët. Teorikisht, Barcelona mund të shpallet kampione nëse fiton kundër Espanjolit dhe Atletiko Madridi humbet në fushën e Levantes, e cila nuk ka arritur dot të mbijetojë. Ndërsa Real Madridi (1 pikë larg kreut) nuk duhet të shkojë përtej barazimit kundër Valencias. Një kombinim i vështirë rezultatesh, teksa shpresa e Simeones dhe e Zidanit, që sapo kanë siguruar finalen e Ligës së Kampionëve, është të ndodhë e kundërta. Të dy kanë një qëllim të përbashkët: presin surprizën nga Espanjoli. Nëse ata ndalin Barcelonën në derbi, kreu do të ndryshojë 90 minuta para fundit, siç ndodhi në vitin 2007, ku pikërisht barazimi me Espanjolin u kushtoi titullin kuqebluve dhe shpalli kampion Realin e Madridit, që në atë periudhë drejtohej nga italiani Fabio Kapelo.
Barcelona
Katalanasit janë në avantazh ndaj Atletikos falë rezultateve në përballjet direkte: "Sigurisht që aspekti psikologjik është shumë i rëndësishëm. Kemi humbur avantazhin që kishim ndaj Atletikos dhe Realit, por nuk jemi as në situatë delikate, as negative, - deklaroi Luis Enrike. - Kundërshtarët tanë duhet të fitojnë gjithashtu ndeshjet e tyre dhe në fund shpallet kampion kush ka bërë më mirë në harkun e 38 javëve. E vetmja gjë që mund të kontrollojmë është ndeshja jonë, jo ajo që ndodh gjetkë. Derbi i vitit 2007? Nuk mbaj mend se çfarë ka ndodhur para një muaji, e jo më para 9 vitesh".
Atletiko
"Nëse nuk fitojmë ndeshjen tonë ndaj Levantes, atëherë është e kotë të shohim se çfarë do të bëjnë kundërshtarët në ndeshjet e tyre, - ka shpjeguar trajneri i Atletikos, Diego Simeone, që sapo e ka udhëhequr këtë skuadër drejt arritjes në finalen e Ligës së Kampionëve.
- Vazhdoj të mendoj se mund të shpallemi kampionë dhe entuziazmi ynë nuk ka ndryshuar, por për t'ia dalë mbanë, duhet të mposhtim Levanten. Vetëm kështu mund të shpre-sojmë te një mundësi tjetër në javën e fundit. Është e vërtetë që Levante ka rënë nga kategoria, por luan ndeshjen e fundit para tifozëve vendës dhe kërkon të lërë një përshtypje të mirë. Jam i sigurt që nuk na pret një sfidë e lehtë".
Reali i Madridit
Zinedin Zidan është i detyruar të shpresojë në një hap fals të dyfishtë, teksa "galaktikët" kanë një pikë më pak se Atletiko dhe Reali në tabelën e klasifikimit: "Kemi fituar dhjetë ndeshjet e fundit dhe duhet të vijojmë që të ruajmë të njëjtin ritëm deri në fund. Dy ndeshjet e fundit janë si finale, jemi në luftë për titull, pasi kemi vetëm një pikë më pak se dy skuadrat kryesuese.
Ky është edhe mesazhi që i kam dhënë skuadrës. Kemi luftuar, kemi punuar shumë dhe kemi cilësi si ekip. Nuk ishte e thjeshtë të arrinim deri këtu, por gjithçka që kemi bërë është një tregues i rëndësishëm për punën tonë. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të fitojmë dy takimet që na kanë mbetur në kampionat dhe më pas të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme për finalen e Ligës së Kampionëve. Do të ishte diçka fantastike nëse i fitojmë të dy trofetë. A do të vazhdoj të qëndroj te Reali sezonin e ardhshëm? Deri tani nuk kam fituar asgjë, kështu që pa trofe...".
Përgatiti: JETON STAMOLLA