Kur në vitin 1990, Ilir Kerni u nis drejt Parisit, me një bursë të fituar nga UNESCO, nuk mund ta mendonte se nuk do të kthehej më pas. Teksa avioni humbi tej në re, në mendjen e tij orvatej gjithçka kishte lënë pas. Diktatura sapo kishte rënë dhe turmat e njerëzve kishin pushtuar rrugët… ndërsa ai fluturonte drejt “Grand Opera”. Disa vite më parë ky udhëtim për të nuk mund të ishte as ëndërr. Ish-balerin i parë i Teatrit të Operës dhe Baletit dhe i nderuar me vlerësimet më të larta të artit në Shqipëri, Ilir Kerni nuk e imagjinonte realitetin tjetër që do të shfaqej para tij sapo avioni të ulej në Paris. Ajo çfarë kujton tashmë 22 vjet më pas, është fakti se u rrëqeth i tëri. Qyteti ku opera ka frymëzuar kaq e kaq artistë për veprat e tyre, do të bënte edhe kthesën në jetën e balerinit shqiptar. Nëse do t’i duhet të shprehë me fjalë Parisin e atyre viteve, atij i duhet të shkruajë një libër, që ndoshta një ditë do ta bëjë…
Tashmë Ilir Kerni e zhvillon karrierën e tij si artist në Teatrin Nacional të Zagrebit, një tjetër qytet që i hapi dyert dhe tashmë e ruan si një nga qytetarët e tij më të denjë. Por Shqipëria, vendi ku u formua si artist, dhe ku preku për herë të parë skenën, vazhdon të mbetet brenda tij. Kur mbyll ditën e punës e kthehet në shtëpi, ai nuk mund të rrijë pa lexuar lajmet mbi atë çfarë ndodh në vendin e tij… Trishtohet me atë çfarë ndodh sot me baletin shqiptar, apo mbi realitetin politik, megjithatë Ilir Kernit i pëlqen të besojë se kohë më të mira do të vijnë. Ilir Kerni përfundoi Akademinë e Baletit në Tiranë në vitin 1977. Si balerin i parë ai u angazhua menjëherë në Teatrin e Operës dhe Baletit, ku u vlerësua me një sërë titujsh, si “Artist i Merituar”, “Çmimi i Republikës”, Urdhri “Naim Frashëri” etj. Pas eksperiencës në “Grand Opera de Paris”, ai angazhohet në “Opera de Strasburg”.
Prej vitit 1994, karriera e tij zhvillohet në Teatrin Nacional të Zagrebit, ku është vlerësuar me një sërë çmimesh, si “Oskar Ormos”, si dhe çmimin më të lartë që jepet në Kroaci, për rolin e Mefistofelit në baletin “Faust”, si roli më i mirë. Prej vitit 2005 ai punon si baletmaestër në këtë teatër. Gjashtë vjet më parë, Ilir Kerni i dha lamtumirën baletit, nga skena ku e nisi. Ai interpretoi në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë, rolin e Xhejmsit në shfaqjen romantike “La sylphide”….
Si do ta kujtonit lidhjen tuaj me baletin… Vitet ‘80 kur nisi dhe karriera juaj si balerin?
Kujtoj pasionin e madh rinor për këtë art; kujtoj me dashuri dy mjeshtrit që sot nuk jetojnë më, M.Papën dhe A.Aliaj, të cilët më dhanë pasion, forcë, zanat me aq pastërti. Ata ishin njerëz të dashur që do të mbeten tek unë përgjithmonë (emrat janë të shumtë)… Kujtoj hyrjen time të rastësishme në këtë rrugë, fillimet dhe vështirësitë në teatër… edhe pse tabloja e kësaj periudhe dominohet nga ngjyra gri. Gjithsesi ajo periudhë mbetet pjesë e rëndësishme e formimit tim njerëzor dhe profesional. Unë vetë nuk i afrohem me dëshirë kujtesës për këtë periudhë, e cila mbetet jo shumë e këndshme në memorien time.
Mbase për faktin se periudha e dytë pas viteve ‘90 është më e rëndësishme për ju? Sa e keni ndier regjimin komunist dhe çfarë ndodhi me artin tuaj pas viteve ‘90?
Ne nuk njihnim dy realitete, ndaj dhe kornizat e kohës na dukeshin fare normale. Informacioni ynë në atë kohë ishte tepër i mangët, ishte vetëm dëshira e madhe për të njohur botën dhe artin e baletit, ndërsa ballafaqimi pas viteve ‘90 ishte shokues në shumë drejtime, si në atë profesional ashtu edhe në drejtime të tjera, sepse ishim të papërgatitur, por dëshira dhe talenti bëri të kapërcenim me shpejtësi hendekun e madh që na doli përpara. Mua personalisht m’u desh të kapërceja vite, edhe për fatin e keq se dola në moshë që praktikisht në artin e baletit është limiti i fundit. Vetëm ky fakt shpjegon se ç’vrap dhe investim kam bërë, e për këtë jam krenar.
E kujtoni kohën kur mbërritët për herë të parë në Paris, ndalesën në “Grand Opera”… Mund të na e tregoni çfarë ndiet?
Kujtoj 12 janarin 1991… Rinas. Dita kur u largova nga Tirana, situatë e paharrueshme, dyndje njerëzish që shtyheshin për të hipur në avion si në autobus, me dhe pa viza. Pas shumë vështirësish avioni u shkëput nga toka dhe këtu filloi rrugëtimi i panjohur. Mbërrita në Paris. Pas, në vendin tim, kisha lënë gjendje lufte. Ndërsa hyja në “Grand Opera” ndjeva se u rrëqetha i tëri. Ëndrra ime… E pabesueshme kur e kujtoj tani, më duket sikur po rrëfej për një personazh tjetër dhe se kjo histori nuk më takon mua. Mund të shkruash një roman ose një skenar filmi mbi atë periudhë. Ndoshta një ditë do t’i shkruaj këto kujtime, mbresat e fuqishme dhe të papërsëritshme të asaj kohe.
Cilët ishin artistët që ju frymëzonin në atë kohë?
Në kohën kur ende nuk kishim njohuri mbi atë çfarë ndodhte jashtë nesh, kishim idhuj, kjo është sa e natyrshme aq edhe normale. Ndërsa sot natyrisht i shikoj ndryshe gjërat. Çdo artist i mirë është unikal, univers më vete.
Prej vitesh ju punoni në Teatrin Nacional të Zagrebit. Çfarë ka ndryshuar ky teatër në karrierën tuaj?
Tashmë teatri “Nacional i Zagrebit” është shtëpia ime e dytë, ky vend dhe ky teatër më krijuan mundësinë e madhe për udhëtimet e mia profesionale, duke më dhënë gjithë lirinë e nevojshme. Prandaj i jam mirënjohës dhe do e vlerësoja si fat të madh. Nga ana tjetër, këtu kam fituar eksperiencë shumë të çmuar si balerin, por edhe si baletmaestër. Kam krijuar njohje gjatë proceseve të punës me krijues dhe interpretues të nivelit botëror.
Le të flasim pak për rolin e Mefistofelit në baletin “Faust”, me të cilin jeni vlerësuar dhe me çmim. Si ndiheshit nën lëkurën e Mefistofelit?
Për mua kjo është periudha që nuk harrohet, sepse kam pasur produktivitetin më të madh, ndoshta të jetës sime si artist i skenës. Simfoni ndjesish që s’mund të shpjegohen. Çdo shfaqje ishte e ndryshme, sepse natyrshëm nga thellësia e talentit prodhohej dhe zhvillohej ndryshe personazhi, një dominim absolut i skenës. Mund të them se jam i lumtur që kam provuar ndjesi të tilla kaq të rralla, pa të cilat mendoj se do të isha më i varfër. Vlerësimet që erdhën pas kësaj shfaqjeje me çmime, vulosën karrierën time këtu, duke u rreshtuar ndër personalitetet që i kanë dhënë diçka këtij qyteti.
Pas një karriere të tillë, çfarë ëndrrash kanë ngelur pa u prekur për Ilir Kernin?
Në planin personal nuk kam ambicie, por do të doja sinqerisht që baleti në Shqipëri të ishte në nivele normale krahasuar me teatrot e Europës. Ekzistojnë të gjitha mundësitë, duhet vetëm dëshira e mirë dhe përkushtimi me ndershmëri për ta realizuar këtë. Do të shtoja dhe dëshirën tjetër personale për të parë dhe gjysmën tjetër, Kosovën, me një teatër dhe balet që të ecte krah për krah me Tiranën (nëse do të kisha diçka në dorë këtë gjë do ta bëja menjëherë). Aktualisht unë po jap kontributin tim në baletin kombëtar të Kosovës, lumturi e madhe personale dhe profesionale kur shoh rritjen artistike me hapa gjigante të kësaj trupe. Paradoks, por më duhet ta theksoj se për nga mënyra se si punohet atje, Tirana e sotme duhet të marrë shembull.
A keni pasur një filozofi në jetë?
Punë, shumë punë me pasion e ndershmëri. Këto elemente nuk të lënë në baltë. Gjërat e pamerituara rëndojnë shumë mbi kurriz, kërkimi i suksesit me çdo çmim është larg natyrës dhe personalitetit tim.
A keni role ku do të donit të ktheheshit sërish?
Nuk do i rikthehesha asgjëje që ka kaluar. Në mendje kam diçka të re, por një ditë natyrisht do të kthej kokën mbrapa për t’u përshëndetur dhe për të nisur rrugëtimin e pafund…
Keni kritika mbi atë çfarë ndodh me baletin në Tiranë… Si e shihni atë çfarë ndodh me baletin sot në Shqipëri?
Pyetje delikate për mua, do të doja të mos e komentoja. Fatkeqësisht jemi në një situate absurde (shprehur me elegancë). Në një kohë kur Tirana ndoshta duhej të ishte referencë në këtë pjesë të Europës, për faktin se ka prodhuar shumë talente që tashmë dihen, dhe për fatin tonë trashëguam nga mësuesit tanë shkollë të mirë …sot fatkeqësisht baleti është braktisur dhe shpartalluar në mënyrën më perfekte. Por besoj se gjërat duhet dhe do të ndryshojnë shpejt, dëmi i shkaktuar, shpejt do të rikuperohet, falë talenteve që prodhohen. Jemi i vetmi vend që mund të krijojmë trupë baleti pa pasur nevojë për të huajt. E keqja është sa të ribëhet teatri i vërtetë, teatri i repertorit dhe publiku i saj, ose thënë ndryshe teatër normal dhe jo teatri i sotëm… O burra të kapim ndonjë projekt, (tender në shqip). Jam besimplotë se teatri dhe baleti shpejt do të ribëhen.
E ndiqni realitetin tjetër përveç teatrit në Shqipëri, atë çfarë ndodh me politikën… Çfarë është Shqipëria për Ilir Kernin?
Ndjek gjithçka që ndodh në Shqipëri në kohë reale si gjithë shqiptarët që ndodhen jashtë Shqipërisë. E kuptoj pyetjen që bëni dhe nuk them asgjë të re nëse pohoj zhgënjim për shumë gjëra, sidomos për mentalitetin korruptiv që është mbjellë te shqiptari këto 22 vite. Politika është zhurmë, zhurmë deri në dhunim. Nëse hap televizorin, ke 24 orë vetëm fytyrën e politikanit, nëse hap frigoriferin ke frikë se përsëri mos të del politikani. Në këta 22 vjet ka një moment kur të gjithë jemi ndier të mrekulluar, por që fatkeqësisht njerëzit po e harrojnë. Atëherë kur askush nuk besonte se Shqipëria bëhet, Edi Rama ndryshoi Tiranën e asaj kohe që i ngjante Kabulit, në një qytet europian. Fakti që kopjohet nga politikanët e tjerë në çdo hap dhe veprim, është gjë shumë e mirë. Në atë periudhë kam ndier sa gëzim dhe trishtim të ëmbël pse isha jashtë kësaj historie moderne të qytetit ku kam lindur. Shpresoj të ndodhë përsëri ky trishtim i ëmbël dhe të kemi të njëjtin fenomen Tiranë për të gjithë Shqipërinë.
A keni frikë nga ikja e viteve?
Kam hequr shumë për t’i bërë këto vite që kam. Jam gëzuar e mërzitur, kam fluturuar e rrëzuar… dhe sërish jam ngritur. Pra, kjo është pasuria ime. Tani më duket sikur jeta ka më kuptim. Me kalimin e viteve jeta shijohet, si dhe vera e vjetër…