Po ashtu Barbara Streisand, hunda e të cilës shqetësonte ndonjëherë producentët e biznesit të zbavitjes, edhe ajo kurrë nuk pranoi të ketë hundë më të bukur që s’do të ishte e saja. Edhe e papërsëritshmja Ana Manjani do të klasifikohej në racën e “femrave të bukura pa qenë të bukura”. Shembuj ka plot dhe fatkeqësisht këto modele të talentit dhe të pasionit për të bukurën, po shkojnë drejt zhdukjes.
Industria e zbavitjes dhe biznesi i imazhit të yjeve të ekranit po bëhet determinant për të bombarduar publikun me fytyra dhe trupa perfekt, “mesazh” i një bote për t’u dukur ashtu siç nuk është.
E përfshirë në një diskutim të tillë, është aktorja angleze Keira Knightley, e cila për të tretën herë habit për këmbënguljen dhe rezistencën e personalitetit të saj. Protagonistja e filmit më të ri “Dukesha”, ka thënë: “Mos e transformoni gjoksin tim”, duke dalë kundër rritjes me kompjuter të përmasave të saj për afishat e filmit.
Knightley i ka thënë sërish “jo” fotoshopit: aktorja britanike është krenare për format e saj, edhe pse përmasat e saj nuk janë aq të plota sa të kolegeve të saj të Hollivudit Aktorja 23-vjeçare, në fakt ka refuzuar – pak e bezdisur – spekulimet e studiove për të rritur gjoksin me një ndërhyrje me kompjuter për afishen e filmit të saj të ri “Dukesha”, film i frymëzuar nga jeta e Georgiana Cavendish, dukeshë e Devonshirit. Filmi del në kinematë amerikane më 29 gusht.
Dhe nuk është hera e parë që aktores i bëhen provokime të këtij lloji ku i kërkohet të jetë më seksi. Kishte ndodhur, tepër qartë, më 2004 me afishen e “Mbretit Artur, që ajo me ironi e kishte komentuar: “Ajo sigurisht nuk është e gjitha “gjëja” ime”, duke iu referuar pikërisht atyre formave “të rritura” papritur. Knightley kishte refuzuar tashmë rritjen e gjoksit me kompjuter për afishet e filmit “Piratët e Karaibeve”. “Është krenare për trupin dhe për format e saj dhe nuk do që të ndryshojë asgjë”, ka thënë një mik i aktores.
Nga : Gazeta Shekulli