Red Bull Music Academy Radio Night - Tirana

Red Bull Music Academy Radio Night - Tirana
Red Bull Music Academy (RBMA) është një aktivitet i përvitshëm muzikor ku këngëtarë, producentë, Dj dhe muzikantë nga e gjithë bota kanë mundësinë të ndajnë së bashku eksperiencat e tyre muzikore dhe të përfitojnë nga profesionalizmi i më të mirëve të kësaj fushe.

Me fillesën në 1997 në Berlin si një “Akademi për DJ”, RBMA bëri të mundur që 30 artistë nga e gjithë bota të takohen së bashku, të punojnë dhe të mësojnë nga profesionistët e muzikës.

Duke u zhvilluar çdo vit në vende të ndryshme, Akademia funksionon në mënyrë të tillë: aplikantët duhet të përgatisin një CD me punimet e tyre, që të jetë prodhim origjinal i tyre: këngë, prodhime të DJ dhe çfarëdolloj kompozimi tjetër muzikor, si dhe të plotësojnë një formular aplikimi. Nga ky moment çdo aplikant merret në konsideratë, pavarësisht zhanrit të muzikës që luan.

Për 2 javë rresht, pjesëmarrësit punojnë në studiot e Akademisë, të pajisura me aparaturat më moderne për performancat dhe prodhimet muzikore. Për më tepër, ata janë të vëzhguar nga “Ekipi i Studios” së Akademisë, të gjithë profesionistë në fusha të ndryshme të muzikës, dhe marrin pjesë në leksionet që japin të ftuarit, të cilët mund të jenë nga teknikë zëri deri tek kërcimtarë të muzikës rap.

Vitet e kaluara aplikantë nga Shqipëria dhe Kosova kanë dorëzuar formularët e aplikimit dhe CD me punimet e tyre, por pa mundur të përzgjidhen si pjesëmarrës në seminaret e zhvilluara nga Red Bull Music Academy, siç ishte ai i organizuar në Londër në Shkurt 2010.

Edicioni i ardhshëm i Red Bull Music Academy do të zhvillohet në 2011 dhe faza e aplikimit do të jetë e hapur për të gjithë në fillim të vitit 2011.

Ne kuadër të kësaj Akademie Muzikore në Tiranë u zhvilluan disa party, për të afruar dhe integruar DJ dhe producentët shqiptarë për tu bërë pjesë e Red Bull Music Academy, duke aplikuar në fazën e ardhshme të aplikimit.

Për të folur rreth Red Bull Music Academy dhe për të ndarë me DJ shqiptarë eksperiencën e tij në këtë Akademi, Gramophonezdie DJ nga Serbia, ishte i ftuar special i mbrëmjes së 8 Korrikut në një club mjaft të njohur të Tiranës.

Mbrëmja filloi teksa binte muzgu, me një bashkëbisedim dhe shkëmbim eksperiencash mes DJ më të njohur shqiptar dhe Gramophonezdie DJ nga Serbia, duke vazhduar me një festë e cila zgjati deri në mëngjes.


Profili i Gramophonezdie:

Gramophonedzie është Marko Milicevic: Dj nga Beogradi që u bë mjaft i famshëm në mbarë botën me hitin e tij “Why Don’t You”.
Rrënjët e tij në fushën e muzikës janë të hershme, duke filluar me një pasion të madh për muzikën funk si dhe instrumentet muzikoret, karriera e Markos në fushën e produksionit filloi në 2000, kur ai u përzgjodh për të marrë pjesë dhe studiuar në Red Bull Music Academy në Irlandë. Më pas ai u diplomua në fushën e muzikës në Universitetin e Beogradit. Kënga e tij e njohur “Why Don’t You” u bë kënga hit e vitit 2009 si për club-et ashtu dhe për radiot në Ballkan, Evropë dhe më gjerë. Kjo këngë arriti më shumë se 1,000,000 klikime në YouTube dhe një pasqyrim mjaft të gjerë edhe në kanalet televizive muzikore. 

Marko ka 15 vjet që luan si DJ në Serbi si dhe mund të themi se është një DJ në shkëlqim për vitin 2010! Ai është mjaft i njohur si në Ballkan ashtu dhe në Evropë. Gjithashtu një turne në USA nuk do mungojë në karrierën muzikore të tij.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama