Redi Jupi E ardhmja ne televizion ne fushe do me rikthenin femijet

Redi Jupi: E ardhmja ne televizion, ne fushe do me rikthenin femijet
Është padyshim një ndër futbollistët më mediatik. I pranishëm në ekranet televizive, padyshim në të gjitha eventet sportive, por edhe ato kulturore e artistike. Redi Jupi edhe pasi ka varur këpucët në gozhdë, vazhdon të jetë imazhi i futbollistit të suksesshëm. Futbolli e ka ndihmuar të identifikohet, pjesa tjetër është marketing; kurimi i përditshëm që ai bën imazhit të tij mediatik. “Me anë të profesionit gjithsecili identifikohet në shoqëri, por pjesa tjetër ka të bëjë me formimin dhe interesat që çdo individ ka.

Futbolli më ka ndihmuar të identifikohem, të markoj territorin tim në komunitet, ndërsa pjesa tjetër është punë e përditshme.”- thotë Jupi në intervistën e tij për MAPO-n. U “ngjiz” si futbollist te klubi “Dinamo”, prandaj pas e ndjek gjithmonë etiketimi “dinamovit”. Kaloi më pas te klubi “Tirana”, ku thuhej se ishte ndër futbollistët më të paguar të ish-presidentit El Sajed. Numëron rreth 19 ndeshje si kapiten me Kombëtaren, por e pranon që historia e tij në kombëtare ka qenë komplekse. “Asnjëherë nuk u ngjitëm, rrallë u kuptuam”- thotë Redi. Ka luajtur në Kroaci, Slloveni dhe Turqi dhe pas eksperiencave jashtë vendosi të tërhiqej nga futbolli e të varte këpucët në gozhdë më 2009-ën. Por nuk është çudi që një ditë të veshë këpucët e të kthehet në fushën e futbollit.

Të kthehemi pak mbrapa në kohë. Emri i Dinamos personalizohet shpesh me emrin tuaj. Çfarë ndien sot Redi Jupi, që i ka dhënë lamtumirën fushës së futbollit, kur sheh që ekipi i tij Dinamo mezi i mbijetoi Superligës?

Përveç se karriera ime ka qenë e lidhur ngushtë me Dinamon, unë jam edhe tifoz i kësaj skuadre. Më dhëmb shumë ai klub, do të thotë shumë për mua. Gjendja është alarmante dhe do të duhet që të ndërhyhet sa më shpejt.

Me ekipin e Shpresave Redi Jupi ka qenë një titullar dhe aktiv thuajse në të gjitha ndeshjet. Çfarë ndodhi që nuk pati të njëjtën ecuri dhe me ekipin Kombëtar? Kjo ka të bëjë me mënyrën sesi funksiononin asokohe gjërat te drejtuesit e kombëtares apo ka ndonjë arsye tjetër që publiku s’e di akoma?

Në fakt historia ime me ekipin kombëtar ka qenë komplekse. Asnjëherë nuk u ngjitëm, rrallë u kuptuam. Subjektivizmi i përgjigjes në këtë pyetje është me ngarkesë të lartë. Ne njerëzit e sportit e kemi të vështirë të jemi realistë kur diskutimi na përfshin ne vetë.

Keni qenë futbollisti më i paguar ose të paktën kështu flitej në qarqet gazetareske. Por pyetja që shtroj unë është nëse atëherë, si dhe sot, a shkojnë meritat e futbollistëve në proporcion të drejtë me pagat që marrin? Sepse sot flitet për shuma marramendëse me të cilat presidentët paguajnë futbollistët dhe që loja e tyre në fushë nuk e justifikon “çmimin”...

Gjatë gjithë karrierës sime, mbase në kundërshtim me imazhin e krijuar, nuk mbaj mend ndonjëherë të kem toleruar për sa i përket profesionalizmit. Rastet kur nuk kam qenë në stërvitje me ekipin, në 25 vjet futboll, numërohen me gishtat e një dore. Por nga ana tjetër, po njësoj rigoroz kam qëndruar edhe për sa i përket pagesave që merrja. Mendoj se problemi i pagesave të larta dhe pa logjikë tregu do të zgjidhen në momentin që klubet tona do të jenë pjesë e tregut. Për fat të keq sot e njëzet vjetët e fundit ato janë komplet në baza informale.

Keni qenë titullar në kampionatin shqiptar. Keni luajtur në Kroaci, Slloveni dhe Turqi. Si ndryshon futbollit shqiptar nga futbolli në këto vende që keni luajtur?

Çdo vend ka kulturën dhe mentalitetin e tij dhe ato reflektohen edhe në futboll. Për sa i përket futbollit të luajtur, ne nuk është se nuk dimë ta luajmë atë, por kur futen në lojë edhe elementët që përmenda më lart atëherë ngelemi mbrapa si në çdo fushë tjetër, në fund të fundit.

Sot jeni një ndër ish-futbollistët që gjurmon talentet në Federatën Shqiptare të Futbollit. Duke qenë se keni shëtitur dhe keni parë shumë talente, a mendoni se po rritet një brez futbollistësh fëmijë emigrantësh, të cilët janë rritur dhe formuar jashtë Shqipërisë, që dalëngadalë do të sjellin një tjetër mentalitet loje në kombëtaren shqiptare?

Ka një grup të mirë lojtarësh, sidomos të datëlindjeve 1995-1996, të cilët jetojnë jashtë. Mendoj se një pjesë e tyre do të bëhen pjesë e kombëtares së Shqipërisë në të ardhmen. Problem është që ne duhet të mendojmë se çfarë do të bëjmë me futbollin e të rinjve në Shqipëri, se në fund të fundit baza e ekipeve kombëtare nga ata do të jetë.

Konsideroheni si një ndër futbollistët më mediatik. I pranishëm në ekrane televizive apo aktivitete të natyrave nga sportive por dhe kulturore. Ju ka ndihmuar futbolli që të keni këtë interes mediatik, fakti që gjithmonë jeni kujdesur për kurimin e imazhit tuaj, apo fakti që janë shumë pak ata futbollistë që mund të jenë të aftë të përballen me komunikimin mediatik?

Me anë të profesionit gjithsecili identifikohet në shoqëri, por pjesa tjetër ka të bëjë me formimin dhe interesat që çdo individ ka. Futbolli më ka ndihmuar të identifikohem, të markoj territorin tim në komunitet, pjesa tjetër është punë e përditshme.

Çfarë do të ishte ajo gjë që do t’ju rikthente në fushën e lojës?

Do kisha shumë qejf të më shikonin fëmijët e mi duke luajtur. Të dy kanë lindur pasi unë e lashë futbollin.

Ku e sheh veten Redi pas disa viteve: në televizion apo do t’i qëndrojë gjithmonë besnik futbollit?

Botës së futbollit në televizion.

Cila ka qenë familja juaj, ambienti ku jeni rritur?

Familje tradicionale, fëmijëri e lumtur.

Sa ka ndryshuar Redi beqar nga Redi bashkëshort dhe baba?

Shumë në mënyrën e organizimit të ditës e të jetës. Aspak në çfarë mendoj dhe çfarë jam.

Si e keni njohur bashkëshorten?

Shoqëri e përbashkët.

Si është marrëdhënia juaj me femrën në përgjithësi?

Komplekse, siç edhe femra është.

Sa vlerë kanë idealet për ju në kohët që jetojmë?

Për një shoqëri të pjekur e me vlera të stabilizuara duhet të adaptohesh që të mbijetosh. Në këtë shoqërinë tonë mavri duhet të rezistojmë për të mbijetuar.

A besoni në Zot?

E vetmja përgjigje që i shmangem shpesh. Do na duheshin disa fletë për të dhënë përgjigjen që unë dua.

Çfarë bëni kur jeni i mërzitur (reagimi i parë)?

Vlerësoj në qoftë se mërzia më vjen nga diçka që kisha në dorë e mund ta bëja, apo jo.

Jeta është vetëm e jotja apo edhe e të tjerëve?

Jeta është vetëm e imja. Jam unë që vendos t’ia kushtoj atë apo një pjesë të saj dikujt apo diçkaje.

Thashethemi i fundit që keni dëgjuar për veten?

Ka kohë që nuk dëgjoj. Si duket, edhe nuk jam interesuar.

Keni ndonjë tatuazh në trup? Nëse po, çfarë domethënie ka? Dhe nëse jo, a jeni tunduar ndonjëherë për ta pasur një të tillë?

Nuk kam dhe nuk kam pasur ndonjëherë tentacionin. Por nuk kam asgjë kundër atyre që e kanë një të tillë.

Çfarë ngjyre ka martesa për ju?

Ylber me nuancat e çelëta.

Jeni hakmarrës?

Gjithmonë e më pak

Një fjalë me të cilën do ta etiketonit veten tuaj?

Nuk e di, e kam shumë të vështirë.

Një fjalë me të cilën të tjerët ju etiketojnë më shpesh?

Dinamovit.

Makina e parë që keni pasur?

Wolksvagen

Po makina e fundit?

Po ajo..

Çfarë do të bëje dhe çfarë nuk do të bëje për para?

Për para do të bëja gjithçka që e lejon ligji dhe morali.

5 gjërat për të cilat, sipas jush, ia vlen të jetohet?

Ia vlen të jetohet për çdo gjë që jeta na ofron.

Si është një ditë e juaja ideale?

Dita ideale është kur kam realizuar të gjitha ato gjëra që kisha planifikuar të bëja kur u zgjova në mëngjes.

Udhëtimi që keni ëndërruar dhe që nuk e keni bërë akoma?

Udhëtim transoqeanik me familjen.

Njeriu të cilit i besoni më shumë?

Njerëzit e mi.

Personi që njihni më mirë dhe personi që ju njeh më mirë?

Njerëzit e mi.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama