Tani që ne nuk jemi më fëmijë dhe ata janë burra, që kanë një jetë tyren, teksa i sheh në skenë, ku flokët iu shpupuriten nga një erë artificiale, të krijohet një ndjesi e mirë, pozitive, gati e pafjalë. Ka qenë po kaq emocionuese edhe për këngëtarin Redon Makashi të fitonte një çmim të parë pas 22 vjetësh, jo krijimtarie, sepse krijimtaria e tyre fillon më thellë, përpara viteve ’90, në festivalet e këngës, ku kanë fituar edhe çmime, bashkë me kitaristin Bledar Sejko. Një ditë pas festivalit, duhet të jesh me fat që ta gjesh të lirë telefonin e Redon Makashit.
Mesazhet dhe telefonatat janë pa fund… Por në një moment të lirë arrijmë t’i shkëpusim kantautorit përjetimet që të përcjell fitorja e një çmimi, por jo vetëm kaq, por edhe të gjitha lajmet e mira, që vijnë paskëtaj: albumi, videoklipi, një koncert në Pallatin e Kongreseve… Një vit i mbarë po mbyllet, për t’i lënë vendin një tjetri edhe më të mbarë…
Pavarësisht versioneve të ndryshme për këngën fituese, trofeun e fitores arritët ta merrni ju në “Këngën magjike”. Duket sikur është prishur “syri i keq”…
Edhe tani që flasim, nuk mund ta besoj. Një çmim i parë pas 22 vjetësh, në një festival të këtyre përmasave! Kam fituar edhe një çmim të parë në “Këngët e stinës” në vitin 1998, por nuk mund të krahasohet me këtë fitore, emocionet ishin të shumëfishta. Gjithmonë u jam qasur fitoreve nëpër festivale, por kam arritur deri te çmimi i dytë. Më është dukur vetja si Agim Krajka, i famshëm për çmimet e tij të dyta.
Ju shpesh keni thënë se nuk merrni më pjesë nëpër festivale, ç’ju bindi?
Kjo është e vërtetë. Unë gati kisha hequr dorë nga festivalet. Dhe pjesëmarrja tek “Kënga magjike” ishte thuajse rastësore. Kënga “Më lër të fle”, një bashkëpunim me artistin e ri, por shumë të talentuar Vullnet Ibrahimi, është pjesë e albumit tim të ri, i cili del në treg javën që vjen, si një prodhim i “Super Sonic”. Kur Arditi e dëgjoi këtë këngë, më propozoi ta shtyja nxjerrjen e albumit e të paraqitesha në “Këngën Magjike” me këtë këngë. Nuk isha i sigurt deri në fund dhe kam marrë pjesë me shumë ngurrim…
Ua kishit frikën votimeve, lobingjeve të këngëtarëve?
Ishte e çuditshme. Të gjithë e dimë se si funksionojnë votimet…, nuk mungojnë hatëret apo lobingjet. Unë personalisht e pata shumë të vështirë, por 20 pikë ishin, edhe pse kishte shumë këngë të tjera të bukura. 20-pikëshin tim unë ia dhashë Devis Xherahut. Ajo që më ka bërë shumë përshtypje, ishte fakti që votimi ishte gati unanim. Diferenca ishte e madhe. Edhe ata këngëtarë që unë nuk i kisha votuar, votuan për mua. Edhe atmosfera e krijuar, edhe gjithçka e thënë me zë të ulët… gjithçka ishte shumë pozitive… Nuk e di se çfarë ndodhi vërtet.
Çmimet janë gjithmonë të mirëpritura, por pas 22 vitesh pritjeje, fitorja është edhe më e ëmbël, apo jo?
Ishte një çmim që më erdhi në momentin e duhur. Ka periudha kur një artist nuk e gjen më veten në atë që shkruan, apo në mënyrën si perceptohet nga publiku. Unë isha në një periudhë të tillë. Marrja e këtyre trofeve më ka kthyer besimin tek vetja, te puna ime. Ky ishte karikimi që më duhej. Aq më tepër që ishte edhe një publicitet shumë i mirë për mua dhe për këngët e mia.
Kështu ju ktheu edhe shijen e mirë të konkurrimeve, keni ndryshuar mendje për festivalet?
Ndoshta unë nuk konkurroj më… të paktën për një kohë të gjatë. Dua ta shijoj këtë festival, dy çmimet që mora në të, të parin, por edhe çmimin e kantautorit më të mirë, që është shumë i rëndësishëm..
Po festivalin e fundvitit në RTSH, e mendoni?
Do të marr pjesë në të vetëm si i ftuar, me rastin e 50-vjetorit të festivalit, por jo si konkurrent. Nuk më munguan ftesat nga ana e organizatorëve, që unë i vlerësoj shumë, por nuk m’u duk momenti i duhur. Aq më tepër që tashmë festivali i fundvitit vihet i gjithi në shërbim të një kënge të vetme dhe askush nuk kujdeset për krijimet e tjera, për investimet e krijuesve të tjerë. Madje nuk kanë më vlerë as çmimet e dyta e të treta. Askush nuk kujtohet më për këto këngë, ato mbeten vetëm në skenën e festivalit. Nuk menaxhohen si duhet, ndërsa në “Këngën magjike” edhe këngët që nuk hyjnë në finale, kthehen në hite, për shkak të transmetimeve dhe bashkëpunimeve me stacionin muzikor “SuperSonic”. Ndoshta është momenti për të gjetur një formulë tjetër, për të gjetur këngën që do të na përfaqësojë në Eurovizion, e t’ua kthejnë festivalin krijuesve.
Të gjithë e kemi me merak të dimë, ka kënga juaj një dedikim real?
(Qesh) Jo, jo nuk ka… Por ajo është diçka ku të gjithë mund të gjejnë nga pak veten e tyre..
Tashmë dalja e albumit tuaj të ri nuk është më një surprizë, pasi ajo u dekonspirua qysh se morët trofeun, në prezantimin që i bëri Ardit Gjebrea. Na tregoni diçka më shumë për të, sa këngë do ketë, ç’rryma, do ketë bashkëpunime?
Ishte një surprizë për mua prezantimi që Arditi i bëri albumit tim, përpara se unë të këndoja këngën fituese. Ishte si të thuash një “larje borxhi” për vonesën e daljes së tij në treg. Albumi ka 9 krijime të reja. Janë të të gjitha rrymave, që nga baladat tek rroku klasik, danc, por tek të gjitha ndihem unë, mënyra ime e të krijuarit. Asgjë nuk është jashtë natyrës sime, ndaj edhe e kam titulluar “Botën time”. Veç këngës fituese, kam një tjetër bashkëpunim me Vullnet Ibrahimin, kam edhe një duet me nënën time. Është një riorkestrim i këngës “Serenatë për nusen”.
Çdo album shoqërohet edhe me një videoklip, po punoni për ndonjë të tillë?
Momentalisht po punoj për përgatitjen e një videoklipi, që del së shpejti. Nuk bëhet fjalë për këngën fituese, por për një tjetër krijim, që titullohet “Asgjë nuk ndalet”. Është një këngë që i kushtohet Tiranës dhe ka karakter social.
Të veçantë daljen tuaj e bëri edhe rikthimi i grupit “Arb”, ishte kjo ekskluzivisht për festivalin?
Përgjithësisht në modë është që grupet të ndahen, ndërsa unë tentoj ta bashkoj. Rikthimi në skenë me grupin “Arb” ishte një emocion më vete. M’u duk vetja si në vitin 1992. Dhe, nëse jam i kënaqur për këtë çmim, është edhe për djemtë e grupit, të cilët e përjetuan me emocione edhe më të forta se unë këtë çmim, me lot në sy. Jam i kënaqur, sepse ishte si një çlodhje për ta. Tashmë ata kanë jetën e tyre, janë martuar, janë bërë me fëmijë. Dikush jeton në Londër, një tjetër në Elbasan dhe ky festival ishte si një grumbullim i “Kombëtares” për ne, ndonëse na ndodh që të bashkohemi edhe në raste aktivitetesh të tjera.
Do të ketë paskëtaj edhe ndonjë koncert recital tuajin?
Në muajin janar do të sjellim për publikun një koncert të veçantë. Është një rikthim i “Tre musketierëve” në Pallatin e Kongreseve. Është një koncert që po e përgatis së bashku me Elton Dedën dhe Aleksandër Gjokën. Në sytë tanë është një sipërmarrje gjigante. Po të isha supersticioz, ndoshta nuk duhej ta kisha thënë kaq shpejt, por ne po punojmë shumë për ta realizuar.