Vendimi i qeverisë greke për të mbajtur një referendum dhe për të mbyllur bankat, i ka dhënë goditje turizmin vendas.
Andreas Andreadis, kreu i Shoqatës së Turizmit në Greqi tha se rezervimet e hoteleve bien çdo ditë me afërsisht 50 mijë prenotime, për shkak të zhvillimeve të fundit atje.
Kjo valë ka dhënë efektet e para në punësimin e grekëve në sektorin e hotelerisë dhe turizmit. Ndërsa rezervimet e reja nuk duken në horizont edhe prenotimet e bëra që më herët nga turistët e huaj, kanë nisur të anulohen.
Në fakt disa pronarë hotelesh, në kushte anonimati, flasin se nuk kanë rezerva që të mbulojnë nevojat e klientëve për më shumë sesa një javë.
Kreu i Shoqatës së Turizmit atje sugjeron se aktivizimi i sistemit ndërbankar në gjithë Europën, për transferta parash, do të jetë e rëndësishme, pasi kjo do të lehtësojë transaksionet me vendet e tjera dhe do të lejojë importet thelbësore, çka do të thotë se objektet hotelierike në njësitë e akomodimit do të jenë në gjendje për të ushtruar aktivitetin e tyre.
Gjithashtu të dhënat e publikuara nga “Travelplanet” tregojnë se edhe rezervimet e biletave të avionëve nga vetë grekët kanë pësuar një rënie deri në 50 përqind. Kjo arriti kulmin ditën e hënë të kësaj jave kur norma anulimit të biletave për avionë dhe tragete arriti në 22 për qind.
Duket se gjëja e fundit që u shkon në mendje grekëve këtë periudhë, janë pikërisht pushimet. Por Greqia vetë, i mirëpret turistët më shumë se kurrë edhe për faktin se është i nevojshëm qarkullimi i parave në treg.
Megjithatë, sikurse “Euronews” raporton , ishulli i Mikonos, nuk është prekur nga vala e krizës. Turistët, të cilët ndodhen momentalisht atje po përjetojnë pushime të qeta, ndërsa nuk dihet nëse kjo klimë normale do të vazhdojë në ishullin luksoz edhe pas referendumit të së dielës.