Refik Toptani Me hidherim po ndahemi nga Turqia

Refik Toptani: Me hidherim po ndahemi nga Turqia
“Ne jemi si vëllezërit Siamezë, kur sëmuret njëri teshtin tjetri”. Me këtë sentencë, të huazuar në një skenar filmi, dukej se Porta e Lartë e Azisë kërkonte vazhdimësinë e vëllazërimit me shqiptarët e Europës. Ndërkohë, vështirë ta thuash se edhe shqiptarët, të ndikuar fort nga “dashuria” 500 vjeçare, ku herë pas here u ishte dhënë shansi të merrnin në duar frenat e vetë Perandorisë, po ndaheshin me gëzim nga pushtuesit e lodhur. U desh veç pak muaj, pasi elita intelektuale bëri divorcin me të “sëmurin e Bosforit”, që një tufë fshatarësh me sfurqe në dorë, të grumbulluar rreth një prijësi me mjekër me emrin Haxhi, t’i suleshin Pavarësisë të shpallur nga Ismail Qemali, me shprehjen qesharake “Dum babën”. Ky ishte prologu fatkeq i shqiptarëve të Erës së Re... ...Arben Puto, profesor e studiues i njohur i historisë shqiptare për periudhën e pavarësisë, na jep këtë tablo të situatës në dy vitet e para, kur shteti i ri Shqiptar, pa përvojë administrative, u drejtua nga myslimani Ismail Bej ish-funksionar i ministrisë së jashtme turke dhe protestanti Vid nga dera e princërve prusianë:

Jeni njohës i thellë i viteve 1912- 1914 të historisë Shqiptare. Çfarë të rejash na vijnë përmes studimeve tuaja?

Mund të them se pas vitit 1990 unë kam qenë ballë për ballë me dokumentacionin, me arkivat me literaturën, tashmë i çliruar dhe nga presioni i ideologjizimit të historisë. Natyrisht tani jam i lirë të mos pyes më njeri, veç dokumentacionit. Libri im “Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha, 1912- 1914” tani vjen si një botimi i dytë. Për herë të parë u botua në vitin 1978. Por kanë kaluar 35 vjet, dhe sigurisht në botimin e dytë duhet parë dhe me një këndvështrim tjetër, një ritrajtim. Më duhet të them gjithashtu se botimi i parë është bërë në kushtet e mungesës së lirisë. Gjatë kësaj kohe kishin dalë dokumente të reja. Pra kemi materiale të reja që e pasurojnë përmbajtjen, për më tepër tanimë është autori që e parashtron historinë sipas bindjes së tij, në kushtet e reja të lirisë së mendimi e krijimtarisë.

Sa e ridimensionojnë epokën e Pavarësisë këto dokumente?

Me figurën e Ismail Qemalit, personalitetin, veprimtarinë dhe vizionin e tij, në këtë botim të ri, jam marrë më shumë. Patjetër që ai është ridimensionuar krahasimisht me botimin e vjetër. Por gjithsesi figura e Ismail Qemalit nuk është tema kryesore, edhe pse është personaliteti kryesor në libër. Por ai nuk mund të qëndrojë vetëm, sepse kjo periudhë ka edhe elementë të tjerë shumë interesante.

Si do ta gjente popullsinë shqiptare, Pavarësia?

Situata në vend ishte shumë e prapambetur. Ndryshimet e mëdha dhe vetë Pavarësia ka qenë vetëm vizioni i elitës së mendimit politik shqiptar, i Ismail Qemali, Sami Frashëri, etj. Ata e parashikonin që kjo ditë duhet të vinte. Por vetë popullsia ishte shumë e prapambetur. Ishte gati-gati një aventurë shpallja e Pavarësisë, sepse kishim të bënin me një terren shumë të vështirë, jo vetëm të prapambetur por dhe rob të fanatizmit fetar. Po e ilustroj këtë që sapo thashë me një rast. U fol së fundmi për mbledhjen që është bërë në Tiranë në 26 nëntor 1912. Kryebashkiaku aktual doli e tha se në Tiranë flamuri u ngrit para se të ngrihej në Vlorë. Që këtu u duk tentativa për t’ia marrë Vlorës këtë përparësi. Por unë e kam shkruar në libër se çfarë u tha në mbledhjen që u zhvillua në Tiranë atë ditë. Një nga Toptanasit, Refiku, në fjalët e tij, të cilat unë i citoj nga literatura e dokumentet, tha: “O vllazën, me hidhërim të thellë po ju njoftoj se puna e pru me u nda nga vllaznit tanë turq. Ai flamur që u valëvit në shekuj tani duhet të zbresë dhe të ngjisim flamurin Shqiptar. Rroftë flamuri shqiptar” Këto ishin fjalët me të cilat ai iu drejtua masës.

“Dashuria” për pushtuesin është një fenomen shqiptar?

Natyrisht ky nuk është fenomen ekskluzivisht shqiptar. Është me rëndësi të veçantë të theksohet që populli i thjeshtë, i pret këto kthesa këto përmbysje me emocionin se ç’po ndodh, çfarë do bëhet. Sepse ndryshimet e hedhin atë në një botë të pasigurte. Kjo është thënë dhe për Italinë në shekullin XIX. Bashkimin vërtet e arriti Garibaldi, por Masimo d’Azelio, një nga personalitetet e larta të kohës tha një shprehje që eksiziton në tekste: “Italia e fato, bisogno la fare la italiano”. Këto fjalë i kopjoi dhe i botoi në gazetën e Vlorës, Kristo Floqi me një përshtatje. Ai tha: “Shqipërinë u bë, tani të bëjmë shqiptarët”. Në këtë mënyrë Ismail Qemalit iu vu një detyrë shumë e rëndë. Jo vetëm nga pikëpamja e situatës së brendshme, por dhe nga situata në planin ndërkombëtar. Unë nuk e kam thënë në libër por mendoj se populli shqiptar, në ato vite, ka qenë më i prapambeturi në Ballkan.

Çfarë ka ndikuar që ai të rreshtohej në fund të listës?

 Mendoj se ka ndikuar konvertimi i fesë. Praktikisht shqiptarët u integruan në fenë islame. Faik Konica në gazetën e tij “Albania” që në vitin 1900 thoshe: “O shqiptar, thuaj ‘jam mysliman’, mos thuaj që ‘jam turk’”

Fuqitë e Mëdha sa e penguan apo e ndihmuan Pavarësinë shqiptare?

Këtë e kam trajtuar gjerësisht sidomos Konferencën e Ambasadorëve në 1912-1913. Këtu është trajtuar çështja shqiptare në tre aspekte. Pikë së pari: Si do të ishte statusi i saj, pavarësi apo një lloj tjetër. Fillimisht Konferenca nuk e njohu Pavarësinë dhe pse e Kuvendi i Vlorës shpalli atë që Luigj Gurakuqi e cilësoi: “e mosvarme”. Vendimi i tyre në 17 dhjetor 1912 mori këtë vendim. Kurse në Londër u tha: Shqipëria të bëhet shtet autonom nën sovranitetin apo suzerainitetin e sulltanit. Këto janë koncepte krejt të kundërta. Pra nuk ishte shkëputje. Suzerainiteti është një lloj pavarësie, por ai që është në këtë vartësi quhet vasal. Edhe po të shikosh shtetet ballkanike kanë qenë për një kohë të gjatë vasalë të Portës së Lartë, ndërsa pavarësinë e plotë e krijuan pas Kongresit të Berlinit më 1878. Kjo ndodhi si me Serbinë, Bullgarinë e Greqinë. Si të thuash, ishte një formulë që Fuqitë e Mëdha e kishin të përshtatshme për vendet e prapambetura. Pavarësia e Shqipërisë u njoh 7 muaj më pas në Protokollin e 29 korrikut 1912, kur të gjithë votuan për Principatën Shqiptare.

Po problemi i kufijve?

Çështja e dytë kishte të bënte me kufijtë. Pikërisht aty u bë dhe nami. Shqipëria u la me 28 mijë kilometra katrore dhe një popullsi prej 800 mijë banorësh. Gjysma e territorit dhe e popullsisë u la jashtë këtyre kufijve. Në gazetën “Përlindja e Shqipërisë” organ i qeverisë së Vlorës u shkrua: “U bë Shqipëria një pëllëmbë e gjatë dhe gjysmë pëllëmbe e gjerë”. Kjo ishte një padrejtësi. Ministri i Jashtëm anglez, Eduard Grei, ishte kryetari i Konferencës së Ambasadorëve. Ai në maj 1913 bëri një deklaratë në dhomën e Komunës, ku tha: “Duke e parë çështjen nga një pikëpamje e ngushtë lokale do të ketë shumë vërejtje, por qëllimi ka qenë që të ruhet marrëveshja midis Fuqive të Mëdha, harmonia mes tyre, dhe ne bëmë gjënë më të mirë që ruajtëm paqen në Evropë”. Praktikisht marrëveshjen e bënë duke ndarë tokat shqiptare e duke i shkelur të drejtat asaj. Grei e pranoi që kishte copëtim të tokave shqiptare, por e justifikoi.

 Dhe çështja e tretë...?

Çështja e tretë kishte të bënte me organizimin e brendshëm. Por edhe këtu kishte ndërhyrje. Kuvendi i Vlorës, jo vetëm shpalli Pavarësinë, por formoi qeverinë e parë kombëtare me kryeministër Ismail Qemalin si dhe Vlorën kryeqytet. Kjo qeveri pati një jetë të shkurtër dhe e kishte aktivitetin në një territor shumë të kufizuar. Por edhe pse në kushte të vështira në 14 muaj kjo Qeveri arriti të bënte diçka. Këtë e thonë raportet e konsujve të huaj.

Lufta e klasave

Arben puto duke folur për librin e tij “Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha” botimi i vitit ’78 thotë se i duhej të pasqyronte versionet zyrtare, që ishin të imponuara, edhe pse një gjë e tillë nuk ishin në bindje të historianit. “Duheshin referuar pikëpamjet e Enver Hoxhës që kishin të bënin me Pavarësinë. Unë nuk e kisha parë të arsyeshme t’i fusja këto mendime edhe pse në fakt nuk dija që deri atëherë Enver Hoxha të kishte shkruar ndonjë artikull me këtë temë. Më pas, në veprën 23 të tij u botua dhe një artikull rreth Pavarësisë, dhe natyrisht unë e mora në konsideratë. Por ajo që e rëndonte më shumë botimin e parë ishte versioni i dhënë për kryengritjen e Shqipërisë së Mesme. Nuk mund të mohohet sfondi social i kësaj kryengritje, por duhet theksuar se orientimi kryesor i saj qe bashkimi me Turqinë. “Dum babën” kjo ishte parulla. Por Enver Hoxha e kishte merak luftën e klasave. Instituti i historisë e kundërshtoi këtë teze, por ai thirr në mbledhje të Byrosë Politike. Historianët u imponuan që t’i përshtateshin këtij fakti. Kjo nuk ka qenë bindja ime dhe as e kolegëve të mij."

Profesori i histories

Arben Puto lindi në Gjirokastër në 1924. Mësimet parauniversitare e kreu në Liceun francez të Korçës (1935-1939), në Liceun francez dhe Liceun klasik në Romë. Mori pjesë në LANÇ, fillimisht në Gjirokastër pastaj në Tiranë. Arsimin e ndërprerë e përfundoi pas çlirimit në gjimnazin e “Tiranës” më 1946. Studimet e larta i kreu në Moskë në Fakultetin e Drejtësisë dhe i përfundoi më 1951 në degën e së Drejtës Ndërkombëtare Publike. Me hapjen e UT-së më 1957 punoi si pedagog deri më 1990.

Historiografia shqiptare

Arben Puto thotë: “Figura e Ismail Qemalit ka dominuar gjithnjë në përvjetorët e pavarësisë. Që kur ishim fëmijë u mësuam që Ismail Qemali ishte ai që ngriti flamurin në Vlorë. Pra, ai e shpalli Pavarësinë. Sepse para çlirimit s’ka pasur kurrfarë historiografie, nuk kishte tekste historie. Historiografia filloi të merrte përmasa të gjëra pas vitit 1945. Padyshim që në vitet e komunizmit kishte ngarkesa ideologjike, por kishte dhe fakte historike. Kjo nuk hidhet poshtë”.

Ahmet Zogu përballë Ismail Qemalit

Në këtë 100 vjetor po bëhen tentativa për ta zbehur Ismail Qemalin dhe për të nxjerrë figurë dominuese Ahmet Zogun. Ai vërtet vuri disa gurë në themelet e shtetin shqiptar, krijoi një rend publik solid me ndihmën e anglezëve, adoptoi disa ligje sipas konventave evropiane, por ishte diktator. Në regjimin e tij nuk kishte parti politike, liri fjale dhe ai kishte një politikë shtypëse ekstreme. Në kryengritjen e Fierit firmosi 50 dënime me vdekje, aq sa u sensibilizua dhe opinioni ndërkombëtar. Erdhi në pushtet në vitin 1924 me ndihmën serbe, ku bëri një marrëveshje me kryeministrit, Nikolla Pashiq. Ai e ndihmoi të vinte në pushtet, ndërsa Zogu i dhuroi Shën Naumin. Por më e rëndësishmja është se Zogu mori përsipër të luftojë lëvizjen kosovare, dhe e bëri një gjë të tillë, duke vrarë Bajram Currin e më pas Hasan Prishtinën, por dhe duke heshtur përballë reprezaljeve që serbët bënin në Kosovë. Pra, nuk ka asnjë shans që në këtë 100 vjetor të shpalljes së Pavarësisë, të afirmohet Ahmet Zogu duke ulur staturën e Ismail Qemalit”, thotë Arben Puto.

Opinion

Esat Toptani, si e shkatërroi Vidin me kryengritjen fshatare

Theksoj që përfaqësuesit e Fuqive, konsujt, gjatë muajve të qeverisë së parë shqiptare kanë qenë të gjithë në Vlorë dhe për çdo çështje që dilte, mbanin kontakte personalisht me Ismail Qemalin. Në këtë periudhë kohe nuk bëhej fjalë as për Durrësin e as për Esat Toptanin. Këtë unë e kam interpretuar si një njohje të përkohshme, “de fakto”, që i bënë Fuqitë e Mëdha qeverisë së Vlorës. Kjo shpjegohet dhe me qëndrimin e Austro-Hungarisë që ishte për një shtet shqiptarë me kufij më të zgjeruar, dhe që e përkrahte Qeverinë e Vlorës duke e cilësuar si një bërthamë për organizimin e shtetit shqiptar. Por së fundi as Austro-Hungaria nuk e njohu shtetin Shqiptar, megjithëse konsujt qëndruan shumë kohë pranë qeverisë së Vlorës duke bërë lloj-lloj raportesh. Gjithsesi në fund u tërhoq. Dhe më pas vjen protokolli i vitit 1913, ku Shqipëria e Pavarur u njoh si principatë. Më pas erdhi Princi Vidi që qëndroi shkurt vetë, 6 muaj. Por dhe ai ishte një zgjedhje shumë e gabuar. Madje një gjë të tillë e ka pohuar dhe Ismail Qemali i cili është shprehur:

“Po të ishte zgjedhur një më i mirë ndoshta do të ishin kompensuar humbjet”. Kur u krijua principata, u krijua dhe komisioni ndërkombëtar i kontrollit nga gjashtë Fuqitë e Mëdha, që do të qëndronin mbi të. Pra vetëm formalisht ishte e pavarur. Realisht ishin dy pushtete. Nga kjo përplasje nuk kishte më vend për qeverinë e Vlorës. Detyra që mori përsipër Komisioni, ishte që të eliminonte qeverinë e Vlorës dhe ia arriti. Në janar 1914 Ismail Qemali dha dorëheqjen, por kërkoi që edhe Esat Toptani në Shqipërinë e Mesme të jepte dorëheqjen që në këtë mënyrë të hapej rruga për formimin e një qeverie kombëtare. Nga ana e tij Esat Toptani vuri kushte: të ishte në krye të delegacionit që do t’i jepte princ Vidit kurorën, njëkohësisht kërkoi dhe dy portofola në kabinetin e ri, atë të Brendshëm dhe të Luftës. Gjithsesi u detyruan ta pranojnë më në fund me shprehjen: “E pranuam por nuk e aprovuam”.

Esati Toptani më pas i vuri minat pushtetit të Princ Vidit, duke nxitur fshatarët e çifligjeve të tij në Shqipërinë e Mesme, e cila ishte një popullsi fshatare e prapambetur e fanatike, se nuk kishin pse të drejtoheshin nga një princ i Krishterë. Pra ishte një lëvizje e nxitur prej tij për të minuar qeverinë sepse donte të ishte vetë në krye. Por u zbulua, sepse mbante lidhje me kryengritësit, por kishte me vete dhe disa agjentë italianë, të cilët nga një kodër e Durrësit jepnin udhëzime se ku duhet të godisnin fshatarët e armatosur. Koloneli Tomson i xhandarmërisë, me urdhër të Princ Vidit, e arreston Esat Toptanin dhe kërkoi që ai të dilet para gjyqit. Por një gjë e tillë nuk u realizua. Italianët insistuan që Esat Toptani të lirohej. Ai jo vetëm u lirua por në Itali e pritën si burrë shteti. Ndërkohë kryengritja vazhdonte dhe mori një karakter islamik. Më interesante u bë kur kryengritësit u hodhën kundër Esat Pashait, pikërisht sepse ai u lidh me fuqitë e Antantës, pra me vendet e krishtera, dhe doli kundër Turqisë. 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama