Komisioni i Posaçëm parlamentar i reformës në drejtësi miratoi sot draftin e reformës në drejtësi, me përjashtim të neneve për të cilat nuk ka ende dakordës midis PD dhe PS.
Drafti u miratua vetëm nga përfaqësuesit e PS-së e LSI-së, pasi deputetët e PD-së braktisën mbledhjen.
Mbas këtij miratimi Kryeministri Edi Rama, Ambasada e SHBA-ve dhe Kryetari i PD-së Lulzim Basha folën për median. Disa nga deklaratat e tyre janë më poshtë:
Kryeministri Edi Rama u shpreh për median se nuk do ta pranojë kërkesën e opozitës dhe variantin e Komisionit të Venecias për parimin e vendeve të rezervuar. Ai tha se plotësimi i kërkesës së PD-së do t'i kthente institucionet e drejtësisë në institucione të kapura nga politika.
Kryetari i PD-së Lulzim Basha tha se nuk tërhiqet nga parimi i vendeve të rezervuara. Gjithashtu ai tha se do të djeg mandatet nëse trafikohet qoftë edhe një votë nga opozita për miratimin e reformës në drejtësi dhe do t'i drejtohet popullit.
Ambasada e SHBA-ve i bëri thirrje qeverisë dhe opozitës të gjejnë dakordësinë për çështjen e fundit të mbetur pezull dhe të gjithë deputetët të votojnë reformën.