Reforma ne Drejtesi- Grupet e interesit diskutojne ne Elbasan per ndryshimet kushtetuese

7TIRANË 16 Nëntor/ATSH-Gjergji Mima/ - Në kuadër të Reformës në Sistemin e Drejtësisë u zhvillua sot në Elbasan tryeza për prezantimin dhe konsultimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese me gjyqtarë, prokurorë, avokatë, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe pedagogë të fushës së drejtësisë të pranishëm në këtë veprimtari.

Ekspertja e Grupit të Punës për Ndryshimet Kushtetuese, znj. Aurela Anastasi hapi prezantimet duke u përqendruar tek risitë e Amendamenteve Kushtetuese. Znj. Anastasi u shpreh se me ndryshimet kushtetuese synohet forcimi i pavarësisë së pushtetit gjyqësor përmes fuqizimit të organeve që e ushtrojnë dhe ndalimit të ndërhyrjeve politike ndaj tyre, po ashtu synohet dhe rritja e besueshmërisë publike ndaj pushtetit gjyqësor, përmes përmirësimit të profesionalizmit, pavarësimit të organeve të kontrollit dhe të procedimit, si dhe rritjes së transparencës ndaj publikut.

Duke i paraprirë bashkëbisedimit që vijoi, ekspertja e Grupit të Punës për Ndryshimet Kushtetuese vuri në dukje se reduktimi i rrezikut që vjen nga koorporatizmi i gjyqtarëve dhe ruajtja e marrëdhënieve dhe e balancës midis pushteteve janë sfidat më të rëndësishme për t'u përballur në vijim të procesit të Reformës në Drejtësi.

3Me interes u ndoqën nga të pranishmit dhe shpjegimet e dhëna nga Eksperti i Nivelit të Lartë për Grupin e Gjyqësorit, Ilir Panda mbi mënyrën se si do të bëhet vlerësimi i gjyqtarëve. "Me ndryshimet e propozuara synohet pasja e një sistemi të unifikuar për emërimin, llogaridhënien dhe shkarkimin në gjyqësor, si dhe të ketë një parashikim të përgjegjësisë disiplinore edhe për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë. Synohet vendosja e kritereve të qarta për vlerësimin e gjyqtarëve si dhe një procedurë transparence të emërimit të tyre" - u shpreh ndër të tjera Panda në prezantimin e tij.

Sa i përket prokurorisë, Eksperti i Nivelit të Lartë të Grupit të Drejtësisë Penale, Ardjan Visha theksoi se, ndryshimet kushtetuese që propozohen reflektojnë gjerësisht tri problematika të evidentura nga ekspertët në fazën e parë, siç është "fakti që prokuroria ka funksionuar e mbyllur dhe e centralizuar, vulnerabiliteti i karrierës së prokurorit, si dhe mangësia që vetë sistemi ka për t'u korrigjuar". Në këndvështrimin e z. Visha këto reflektime do të përcillen pozitivisht nga kategoria e prokurorëve.

4Më pas, vendi iu la diskutimeve dhe pyetjeve të të pranishmëve në këtë tryezë, të cilat u përqendruan kryesisht në tematikat e prezantuara gjatë konsultimit. Ato u mbajtën shënim nga organizatorët, për t'u trajtuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë në vijim.

Në përmbyllje të takimit, Dr.Rainer Deville - Ekspert ndërkombëtar dhe njëkohësisht Shef i Misionit EURALIUS, relatoi dhe konkluzionet e kësaj tryeze diskutimi.

Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë ftuan gjyqtarë, avokatë dhe përfaqësuesit e grupeve të interesit që të jenë aktivë me propozime dhe mendime edhe përmes faqes on-line të Reformës në Drejtësi, ëëë.reformanedrejtesi.al, apo dhe kontakteve të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën.

/f.n/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama