- Presidenti i drejtohet me një letër komisionit të posaçëm -
TIRANË, 14 Tetor/ATSH/.- Presidenti i Republikës Bujar Nishani përmes një letre të gjatë drejtuar të mërkurën komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi, kërkon përfshirjen e Kreut të shtetit në këtë proces
Reforma në drejtësi, thotë Presidenti në letër, duhet të jetë një proces që t'i shërbejë në radhë të parë dhe mbi të gjitha qytetarëve shqiptarë dhe të mos përdoret si një instrument për të përmbushur aspiratat individuale apo orekset politike. Kjo reformë duhet të jetë gjithëpërfshirëse, transparente, objekt i një debati të gjerë publik, dhe të zhvillohet mbi shinat e parimeve të gjithëpranuara e standardeve më të larta evropiane.
Një ndër pesë prioritetetet e parimeve të vendosura nga KE, për hapjen e Negociatave të Anëtarësimit në BE, është realizimi cilësor dhe në kohë i reformës në drejtësi, e cila duhet arritur përmes një bashkëpunimi gjithëpërfshirës e konstruktiv, në partneritet me Komisionin e Venecias, e institucionet evropiane e ndërkombëtare që na asistojnë prej vitesh në këtë fushë, shprehet Nishani në letër.
Në këtë kuadër, vijon ai, një vit më parë, thirra në një tryezë gjithëpërfshirëse aktorët e drejtpërdrejtë dhe asistues, me besimin se kjo do të shërbente si një kambanë zgjimi dhe katalizator i një angazhimi të ri.
Pavarësisht hapave fragmentarë e të njëanshëm që u ndërmorën gjatë vitit të kaluar, të cilët nuk sollën asnjë përmirësim, as cilësor e as përmbajtësor në sistemin tonë të drejtësisë, mirëprita angazhimin që palët ndërmorën gjatë këtij takimi, duke premtuar mbështetje të çdo përpjekjeje që do të pasonte këtë pikënisje të re.
Por, me keqardhje kam konstatuar se ky proces po zhvillohet në mungesë të plotë transparence si për aktorët e drejtpërdrejtë ashtu edhe për publikun e gjerë.
"Reforma në drejtësi meriton një vëmendje të posaçme e jo periferike, si dhe një diskutim të gjerë e të plotë me qëllim sigurimin e besueshmërisë, zbatimit të suksesshëm dhe jetëgjatësisë së saj", shprehet Nishani. Më tej, Kreu i shtetit rendit në letër disa shkelje, që sipas tij, 'reflektojnë mungesë të plotë e të njëanshme të bashkëpunimit me këtë institucion', 'i shmangur në mënyrë të qëllimtë', gjë që 'dëmton rëndë procesin dhe çdo akt që del prej tij'.
Kompromentimi i tij arrin deri në kufijtë e mashtrimit publik mbi veprimet apo mosveprimet e Presidentit të Republikës, të cilat veçse njollosin reformën dhe frymën mbi të cilën po krijohet ajo. Pavarësisht këtyre rrekjeve të pashpresa, qëndrimi i palëkundur i Presidentit të Republikës ka mbetur koherent dhe konsekuent për domosdoshmërinë e avancimit të reformës në drejtësi, sipas parimeve dhe standardeve më të larta evropiane.
Duke u ndalur te ajo që Presidenti e quan 'ana përmbajtësore e Reformës', Nishani i referohet Raportit Analitik për analizën në sistemin të drejtësisë, hartuar nga ekspertët e nivelit të lartë, e cila sipas tij, 'nuk reflekton shumësinë e informacioneve dhe analizës së përcjellë nga aktorët e tjerë të përfshirë qoftë edhe formalisht në proces, duke rezultuar jo rrallë herë në deformimin e realitetit, pasqyrimin e qëndrimit subjektiv të ekspertëve në emër të opinionit publik, deri në ofrimin e modeleve nga vende të cilat nuk mund të përbëjnë pikë referimi për Shqipërinë, vend kandidat për në BE, (si p.sh. rasti i Ukrainës)'.
/a.s//m.m/