Reforma ne drejtesi- Me 24 tetor Komisioni i Venecias shqyrton draftin e ndryshimeve kushtetuese

venecias 2TIRANË, 20 Tetor/ATSH-Anila Struga/.- Drafti i ndryshimeve kushtetuese i hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë (vendas dhe ndërkombëtarë) pritet të shqyrtohet nga Komisioni i Venecias më 24 tetor.

Drafti i organizuar në 58 nene, i është dërguar për vlerësim Komisionit të Venecias, organit që jep opinione dhe nuk ka të drejtë vendimmarrje, ndërsa më pas dokumenti pritet t'i kalojë për shqyrtim dhe miratim parlamentit shqiptar.

Paketa me amendime kushtetuese parashikon ndërhyrje në ligjin themeltar të shtetit, në nenet që lidhen me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, si dhe disa ndryshime që kanë të bëjnë me ridimensionimin e kompetencave kushtetuese të Presidentit të Republikës, sidomos atyre që lidhen me sistemin e drejtësisë.

Nga ana e saj dhe opozita i ka përcjellë Komisionit të Venecias paketën prej 54 nenesh të ndryshimeve në Kushtetutë, ku propozon versionin e saj ndaj çështjes. Ajo pretendon se paketa e Grupit të Ekspertëve të Lartë është e njëanshme dhe cënon standardet ndërkombëtare, ndërsa për hartimin e saj nuk është marrë mendimi i ekspertëve të Partisë Demokratike.

Reforma në drejtësi, e kthyer në kryefjalë të aktualitetit politik në Shqipëri, konsiderohet sfida më e madhe e maxhorancës së majtë që synon pastrimin e drejtësisë nga korrupsioni, shkëputjen nga influencat politike dhe kthimin e pavarësisë sistemit gjyqësor. Kjo reformë, e cila ka ekspertizën dhe vëmendjen e jashtëzakonshme të faktorit ndërkombëtar, u iniciua më 27 nëntor 2014 nga Kuvendi me vendimin për ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar.

Thelbi i saj, sipas drejtuesve të komisionit, është ndryshimi rrënjësor i organizimit dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, në funksion të nevojës për të dhënë drejtësinë e kërkuar, për të rritur besimin e publikut tek drejtësia dhe për t'i bërë misionet e sistemit të drejtësisë, të pavarura dhe të besueshme./m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama