Reforma ne drejtesi Halimi Shprehem alternativat tona per nje reforme konsensuale

- Pas takimit me ekspertët e Komisionit të Venecias -

halimi2TIRANË, 2 Nëntor/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, në përfundim të takimit me ekspertë të Komisionit të Venecias, ritheksoi se reforma në drejtësi duhet të jetë konsensuale, ndërsa shtoi se PD ka dorëzuar një tekst të saj me alternativat që propozon opozita parlamentare për këtë reformë.

Ish-Ministri i Drejtësisë këtë qëndrim të tijin e bëri me dije në dalje të takimit me ekspertët e Komisionit të Venecias në kryesinë e Kuvendit.

Sipas Halimit, diskutimi me ekspertët ishte frytdhënës. "I falënderova ekspertët e Komisionit të Venecias për vizitën që patën këtu, për mbështetjen në këtë proces kaq të rëndësishëm për vendin tonë, si dhe për publikimin që i bëri ky komision amendamenteve të opozitës", tha Halimi, duke shtuar se është i keqardhur që mazhoranca dështoi në krijimin e një procesit transparent e konsensual.

Lidhur me përmbajtjen e takimit, Halimi u shpreh se, "ekspertët e Partisë Demokratike bënë një pasqyrim të shkëlqyer të vërejtjeve që kemi me tekstin e paraqitur nga mazhoranca dhe alternativave që ne japin në këtë drejtim. Teksa ne theksuam dhe gatishmërinë tonë (PD-së) dhe qëndrimin për një reformë në drejtësi konsensuale dhe që i vjen në ndihmë drejtësisë dhe qytetarëve shqiptarë", tha ai.

"Gjatë takimit u diskutua për mekanizmat e reja të luftës ndaj korrupsionin në drejtësi. Ekspertët e PD-së, shprehën shqetësimin për heqjen e garancisë që prokurorët dhe gjyqtarët i ofrohet nga pavarësia e pushteteve. Heqjes së të drejtës që ka Gjykata Kushtetuese për t'u shprehur lidhur me këtë tekst, si një mënyrë për të cënuar pavarësinë e sistemit të drejtësisë", tha Halimi, duke shtuar se lidhur me këto pika, reporterët bënë një sërë pyetjesh drejtuar të gjitha palëve, teksa veçoi se "gjetëm çështje të përbashkëta, siç ishte ajo e rritjes së garancisë për gjykatësit dhe pavarësisë së tyre".

Deputeti Halimi tha se Komisioni do të shprehet në ditët në vijim për rezultatet e takimit. "Ekspertët bënë pyetje, diskutuan për çështje që lidhen me standardet europiane të drejtësisë, e drejta e gjyqtarëve për t'u ankuar, lufta antikorrupsion në drejtësi, heqja e të drejtës që Gjykata Kushtetuese ka për t'u shprehur për drafte të tilla. Diskutuam edhe për gjetjen e mekanizmave të tjera për të luftuar korrupsionin e drejtësisë shqiptare. Ekspertët tanë do të vijojnë komunikim intensiv me ekspertët e Komisionit të Venecias. PD dorëzoi edhe një version tjetër, të këtij teksti për t'i dhënë edhe zgjidhje të tjera alternative. Qëndrimi ynë është konstruktiv", tha Halimi./m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama