Reforma ne drejtesi Halimi Çdo produkt pa opoziten shkaterrues per jetegjatesine e saj

Reforma në drejtësi, Halimi: Çdo produkt pa opozitën, shkatërrues për jetëgjatësinë e saj

EDUARD-HALIMITIRANË, 6 Gusht/ATSH/.- Partia Demokratike reagoi sot, pas deklaratave të maxhorancës për reformën në drejtësi, duke kërkuar "që reforma në drejtësi të jetë tërësore, jo e fragmentuar, transparente dhe gjithëpërfshirëse".

Përmes një deklarate për shtyp, deputeti i PD-së Eduard Halimi u shpreh se "PD është e vendosur për një reformë në drejtësi tërësore, jo të fragmentuar, me një strategji të plotë dhe vizionare, që të largojë gjyqtarët e prokurorët e paaftë e të korruptuar, apo të kapur politikisht, dhe të garantojë një sistem drejtesie të fuqishëm dhe të plotësisht të pavarur".

"Vetëm një proces i përbashkët dhe me trasparencë do të jetë garanci për një reformë konsesuale dhe të suksesshme. Çdo produkt i komisionit të Reformës që nuk do të përfshinte kontributin e opozitës, do të ishte shkatërrues për konsesusin dhe po aq, për suksesin dhe jetëgjatësinë e kësaj reforme jetike për të ardhmen e vendit", tha ai.

Të dyja këto dokumenta, sipas Halimit, vetëm pasi të përfshijnë edhe impaktin e opozitës, duhet t'i kalojnë Komisionit të Venecias për opinionin e tij të pazëvëndësueshëm. "Ky është dhe do të jetë një proces që nuk duhet të krijojë debat mes palëve politike, në mënyrë që të eleminohet arroganca e deritanishme dhe konsesusi të garantohet plotësisht", shtoi ai.

"Protagonizmi politik nuk e ndihmon procesin, pasi besoj se qytetarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë do të kërkonin një qëndrim të përbashkët në lidhje me procesin e deritanishëm dhe po aq për të ardhmen", tha Halimi, duke iu referuar deklaratës së sotme të përfaqësuesit politik të mazhorancës në komisionin e Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj lidhur me procesin e deritanishëm të këtij komisioni.

Sipas tij, "PD kërkon një reformë brenda standardeve europiane, transparente, gjithpërfshirëse, të udhëhiqet nga ekspertiza euro- amerikane dhe të marrë certifikimin e komisionit të Venecias".

Si opozitë parlamentare, vijoi Halimi, ne jemi në këtë proces të reformës, më të vendosur se kurrë, jo për t'i bërë makiazh drejtësisë së kapur nga mazhoranca, as për të qenë fasadë e një strategjie kapje politike të mëtejshme të sistemit. "Ne jemi aty pa protoganizëm politik, por me qëllimin që bashkë me garancinë dhe qendrimin syçelët të partnerëve ndërkombëtarë, të japim impakt konkret që reforma të bëhet tërësore, dhe të udhëhiqet nga standardet dhe ekspertiza ndërkombëtare dhe kapja politike e sistemit të drejtësisë të ndalet", tha ai.

Ndaj, Halimi shtoi se "vetëm një proces i përbashket dhe me trasparencë do të jetë garanci për një reformë konsesuale dhe të suksesshme"./m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama