Reforma ne drejtesi Nishani Kerkon nje operacion te gjere dhe shume te thelle

presidenti-nishani-ligjerate-fakulteti-juridik-2TIRANE, 16 Tetor/ATSH/- Presidenti Bujar Nishani, njëkohësisht edhe Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mbajti sot me rastin e fillimit të vitit të ri akademik, një leksion të hapur në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës me temë: "Sistemi i drejtësisë, sfidat dhe perspektivat në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian".

Duke u ndalur në reformën në drejtësi si një nga rekomandimet kyçe të 5 prioriteteve të pasqyruara jo vetëm në Progres-Raportin adresuar Shqipërisë, por edhe si prioritet real i potencialeve dhe i nevojave të shoqërisë shqiptare, Nishani tha se "unë kam besuar dhe besoj që në sistemin tonë gjyqësor ka një numër jo të vogël individësh të cilët nga pikëpamja profesionale nuk kanë lidhje me gjyqësorin".

"Ju siguroj që në Prokurorinë e shtetit shqiptar ka prokuror që profesionalisht nuk barazohen as me oficerin e policisë gjyqësore të ditëve të para të karrierës së tij profesionale. Këta nuk mund të vazhdojnë të jenë më pjesë e prokurorisë së shtetit shqiptar. Por nga ana tjetër ju garantoj, dhe kjo në bazë të eksperiencës sime që, ka një shumicë gjyqtarësh, të cilët kanë një nivel për t'u admiruar nga pikëpamja profesionale, e kanë lidhur jetën e tyre njerëzore dhe profesionale me këtë karrierë dhe janë njerëz që kanë nivel të lartë integriteti, të cilët në shumicën e rasteve mbeten në heshtje, shmangen nga procesi i promovimit pikërisht pse janë të tillë", u shpreh ai.

Procesi i reformës në sistemin e drejtësisë kërkon me doemos gjithëpërfshirje tha Nishani, ndërsa apeloi për përfshirjen e menjëhershme në këtë proces, me prioritet të marrjes së mendimit profesional të njerëzve që vijën pikërisht nga fakultetet juridike, nga bota akademike juridike, profesorëve, pedagogëve, të cilët çdo ditë merren me problemet e sistemit.presidenti-nishani-ligjerate-fakulteti-juridik-3

Kreu i shtetit e konsideroi të papranueshëm kufizimin kushtetues që është propozuar, që çdo ndryshim i ligjit themeltar të shtetit nuk mund të çohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

"Edhe këtu jam i bindur se çdo jurist që e dëgjon mendon që kush është garancia e një akti. Presidenti? Dakord, sot e kemi një president të mirë, sa për t'i bërë pak qejfin vetes. Po nesër? Pra, filtri i fundit i parashikuar nga sistemi ynë i dhënies së garancisë së një akti nuk është Presidenti, Parlamenti apo Qeveria. Është Gjykata Kushtetuese", tha Nishani.

Presidenti nuk u shpreh dakord gjithashtu me ndalimin kushtetues të krijimit të gjykatave speciale. "Për krimin e organizuar dhe korrupsionin e niveleve të larta politike dhe shtetërore, mund të lindë nevoja për to", tha Kreu i Shtetit.

presidenti-nishani-ligjerate-fakulteti-juridikNë përfundim, Presidenti ritheksoi se "reforma në sistemin e drejtësisë kërkon një operacion të gjerë dhe shumë të thellë, përfshirje të mendimit të gjithë profesionistëve, posaçërisht të botës akademike, dhe duhet të jetë një proces, i cili të fusë në skaner tërë historikun e rekordeve që kemi neve brenda këtij sistemi, t'i ballafaqojë ato me ekspertizën më të mirë ndërkombëtare të atyre vendeve të cilat kanë, janë të përafruara me sistemin tonë juridik, të shtojnë parimet kryesore doktrinale të jurisprudencës, pa të cilat kurrsesi nuk mund të mbyllim sytë dhe t'i injorojmë". /a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama