Reforma pritet te shkrihen gjysma e komunave

Reforma, pritet te shkrihen gjysma e komunave

Në zgjedhjet e 2015 do të kemi më pak njësi vendore. Ky pritet të jetë rezultati i reformës territoriale, diskutimi për të cilin nisi dje. Gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën Kombëtare “Reforma administrativo- territoriale në Shqipëri”, Kryeministri Edi Rama deklaroi se duhet formësuar një reformë radikale pasi decentralizimi administrativ dështoi duke fragmentarizuar Shqipërinë.

Rama prezantoi tre pikat ku do të bazohet reforma territoriale. “Dialog me të gjithë aktorët, kompleksitet në qasje, por me synim thjeshtëzim në ndarjen territoriale dhe fuqizimi i hapësirave ekonomike sociale dhe kulturore”, - tha ai.

 Ndërkohë që ambasadorët e BE-së dhe OSBE-së të pranishëm në këtë konferencë mirëpritën reformën territoriale dhe nënvizuan që kjo reformë të jetë gjithëpërfshirëse e transparente. Ata shtuan se reforma administrative e territoriale duhet të garantojë pavarësi politike dhe financiare. Në konferencën e djeshme mungoi kreu i opozitës njëherësh kryebashkiak i Tiranës, Lulzim Basha dhe deputeti Dashamir Shehi edhe pse ishte bërë ftesa për ta.

Rama

“Ka dështuar decentralizimi administrativ. Sot është e papranueshme që administrata e komunave t’u kushtojë taksapaguesve 25 milionë dollarë në vit dhe të ketë 80 komuna me më pak se 5 mijë banorë dhe jo pak, 71 komuna që i kanë të ardhurat 0 dhe që qën-drojnë në këmbë vetëm falë pagave të financuara nga buxheti i shtetit”, - deklaroi dje Rama duke paralajmëruar kështu zvogëlim të ndjeshëm të numrit të njësive vendore. Gjatë fjalës së tij Kryeministri shtoi se procesi për reformën administrative dhe territoriale, duhet të shmangë fragmentarizimin e vet si dhe të ketë dialog për këtë reformë. Sipas Ramës përgjithësisht qeveritë e tranzicionit dështuan në administrimin e territorit.

 “Fragmentarizimi i njësive vendore përbën një copëzim asfiksues dhe rëndon trupin e Shqipërisë. Nga ky copëzim lindin të vdekura shërbimet publike, njësi vendore të paqëndrueshme ekonomikisht, vazhdojnë të jenë në agoni dhe vazhdojnë agoninë me buxhetin e shtetit dhe janë rreth 50 për qind e tyre. Janë edhe njësi vendore me numër shumë të vogël që nuk bëjnë gjë tjetër por vetëm shpërdorojnë fondet e shtetit. Përdorimi i ndarjes së territorit në mënyrë politike, ka sjellë edhe dështimin e të gjitha reformave me bazë decentralizimin”, - tha Rama. Kreu i Ekzekutivit shtoi se transformimi thjeshtë i territorit të vendit në një territor të ndarë në mënyrë kompakte do të sjellë rritjen e menjëhershme të barazisë mes njerëzve por do të fuqizojë dhe ekonominë. “Një ndarje e re territoriale dhe administrative do të fuqizojë ekonominë. Me të njëjtin financim do të bëhet shumë më tepër punë. Kjo është tendenca sot. Kompaktësimi i njësive vendore sjell menjëherë përfitime ekonomike dhe financiare pa e rënduar dhe duke e lehtësuar barrën mbi buxhetin e shtetit”, - tha ai.

BE-OSBE

BE dhe OSBE mirëpresin reformën territoriale, ndërsa vlerësuan Qeverinë për përcaktimin e kësaj çështje si një prioritet. Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Florian Raunig theksoi se kjo reformë duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe transparente. “Nevoja për një ndarje të re është identifikuar nga një sërë ekspertësh ndërkombëtare dhe nga organizatat ndërkombëtare. Kjo reformë të jetë në përputhje me dispozitat e qeverisjes, dhe të garantojë pavarësinë politike administrative dhe financiare të pushtetit vendor”, - tha ai.

Raunig shtoi se një procesi i suksesshëm kërkon përgatitje të thellë duke mbajtur parasysh situatën specifike të vendit. Nga ana e tij ambasadori i BE, së Ettore Sequi tha se Progres-Raporti i fundit ishte shumë i qartë sa i takon shqetësimeve të qeverisjes vendore, dhe të ardhurave e menaxhimit të burimeve njerëzore, transparencës dhe numri i lartë i stafeve me kontrata të përkohshme. “Reforma dhe decentralizimi kanë evoluar dhe përbëjnë një shqetësim, në këtë kontekst BE e mirëpret konferencën dhe kërkon të arrihen objektivat.”- tha Sequi ndërsa shtoi se BE-ja ka dhënë mbi 100milion euro fonde gjatë programit IPA gjatë viteve 2007-2013 për infrastrukturën, kanalizimet, promovimin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore

Blushi: E propozuam më 2003, PD kundërshtoi

Shqipëria duhet të ketë më pak njësi vendore, më pak komuna e bashki nga sa ka sot. Nisma e vitit 2003 duhet të konkretizohet. Kështu shprehet deputeti socialist, ish-ministër i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, Ben Blushi. Sipas tij sot dhe opozita demokrate ka më shumë arsye për t'u bërë pjesë e procesit të kundërshtuar në vitin 2003. “E dërguam në Kuvend por në atë kohë nuk kishte vullnet. Të gjitha palët politike përfshirë dhe atë që unë i përkisja dhe i përkas akoma dhe sot, nuk mendonin për ndarjen e komunave, por zgjedhësve. Por unë mendoj se opozita sot ka më shumë arsye se ne për ta pranuar”, - tha ai.

Gjatë fjalës së tij të mbajtur në Konferencën Kombëtare “Reforma administrativo- terrritoriale në Shqipëri” të zhvilluar dje Blushi deklaroi se një ndarje e re administrative do të ndihmonte në zgjidhjen e shumë problemeve ekonomike dhe burokratike që kanë sot njësitë vendore. “Kemi parë shumë zona të braktisura që sot nuk administrohen. Kjo ndarje e sotme është një problem për zhvillimin ekonomik, modernizimin.

Kjo ndarje që kemi sot rrezikon demokracinë sepse demokracia sot rrezikohet nga keqadministrimi, korrupsionidhe varfëria”, - tha Blushi. Ai shtoi se ky sistem komunash e bashkish që kemi sot prodhon ineficencë, nuk lufton korrupsionin, por mbi të gjitha dekurajon çdo ditë besimin e njerëzve tek strukturat e shtetit. Ligjvënësi socialist argumentoi më tej se më shumë se 80 % e popullsisë kanë lëvizur nga zonat e tyre për më shumë mundësi, por pavarësisht këtyre lëvizjeve sistemi i komunave dhe bashkive nuk ka lëvizur.

 “Rreth 60 % e komunave kanë humbur pjesën më të madhe të banorëve të vet, shumë komuna kanë më pak se 1000 banorë. Nëse kjo gjendje do vazhdojë shumë komuna do detyrohen të importojnë personel”, - tha ai. Të gjitha këto arsye sipas Blushit bëjnë të nevojshme një ndarje të re territoriale e cila nuk do të synojë zhdukjen e komunave, por miradministrimin e tyre për t'i dhënë mundësi ekonomisë lokale e kombëtare të rritet. “Reformë territoriale jo për të hequr kryetarë komunash por për të zgjedhur administratorë më të mirë, jo për të shkurtuar fonde por për të rritur efikasitetin e njësive”, - tha ai. Blushi theksoi më tej se tre kriteret kryesore ku duhet të bazohet kjo reformë eficenca ekonomike, vijimësia territoriale, dhe ngjashmëriaapo afërsia kulturore.

Fino: Na duhet konsensusi, Basha të ishte këtu

Deputeti socialist, Bashkim Fino fton opozitën të jetë pjesë e diskutimeve për reformën territoriale. Gjatë diskutimeve të djeshme në Konferencën Kombëtare “Reforma administrativo-territoriale në Shqipëri”, Fino theksoi se një reformë e tillë duhet të shoqërohet me një konsensus politik pasi kjo reformë në thelb nuk i shërben politikës, por qytetarëve të cilët do jenë përfituesit kryesor. “Unë e përshëndes deklaratën e bërë para ca kohësh nga lideri i opozitës, Lulzim Basha që sot është kryetar i Bashkisë së Tiranës, i cili ka qenë dhe ai një nga promotorët dhe ka qenë mbështetës për ndarjen e re territoriale administrative të Shqipërisë. Natyrisht më vjen keq që sot nuk ndodhet këtu, më vjen akoma më shumë keq që të gjithë mos marrin pjesë në këtë diskutim, kryetarë bashkish, komunash, këshilltarë, prefektë të gjithë spektrit politik, sepse kjo është një reformë e cila në fund të fundit do u shërbejë qytetarëve dhe jo politikës”, - deklaroi Fino.

 Ndërsa vuri theksin tek dështimi i këtij procesi më parë, Fino theksoi nevojën e konsensusit. “Ka plot çështje që mund të na ndajnë nga pikëpamje politike, por jo kjo reformë e cila nuk ka qasje të majtaapo të djathta, por qasje të duhura apo të gabuara. Qasja e duhur do ishte krijimi i një procesi gjithëpërfshirës.

Ne si përfaqësues të Kuvendit PS apo LSI do të japim mbështetjen e një procesi që nuk duhet të kushtëzohet nga politika, por interesi i qytetarëve. Dua tu kujtoj kolegëve të opozitës se jemi në momentin kur duhet të ulemi së bashku për ta kryer këtë reformë të rëndësishme teknike ”, - theksoi ai. Fino propozoi më tej ngritjen fillimisht të një komision ad-hoc me të gjitha grupet parlamentare dhe diskutimin më tej të kësaj reforme dhe në rang lokal. Ndërsa shtoi se ndryshimet duhet të prekin jo thjesht ndarjen administrative, por dhe buxhetimin.

 “Ndryshimet duhet të prekin, jo vetëm njësitë e vogla, por të synojnë krijimin e njësive të reja shumë më të mëdha nga këto që janë sot, me më shumë kompetence dhe me burime financiare që, më falni që po e them, por nuk e dëgjova në panelin e parë. Kjo është pjesa më kryesore sepse gjithë faktorët që janë këtu këtë kanë problem kryesor. Përndryshe një rikompozim sipërfaqësor do e bënte reformën gjysmake”, - deklaroi ai.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama