Tre vjet më parë, më 10 mars 2008, u shpall zyrtarisht “reforma” që u krye në Akademinë e Shkencave dhe formimi i Qendrës së Studimeve Albanologjike (QSA). Kjo reformë pati një shkurtim drastik të dhjetra e dhjetra punonjësve shkencore, ndihmës shkencor dhe teknikë të atyre instituteve që krijuan QSA-në. Ndonëse zyrtarisht ishte krijuar një komision që do të kryente “studimin” për reformën, zbatimi i saj u bë formalisht, dmth, “alla shqiptarçe“. Ata që ishin caktuar të drejtonin QSA shpalosën programin e tyre në gazeta të ndryshme,duke garantuar se kjo reforme, e cila do të zhvillohej brenda 1 ose 2 vjetësh, do te kryhej me seriozitet dhe se nuk kishte si qëllim të shkurtonte vëndet e punës, por, mbi bazë të studimit,
do të rregullonin raportet e punonjesve shkencorë me ata ndihmës shkencorë,i cili na paskesh pas qenë 1 punonës shkencor dhe 4 punonjës ndihmës shkencorë dhe ky raport do të shkonte nga 1 me 1 dhe 2 me 1, në favor të punonjësve shkencorë. Ky premtim i drejtorit aktual të QSA, z. A. Marashi, nuk u mbajt. Raporti i punonjësve shkencorë me ata nd. shkoncorë, p.sh., në Institutin Arkeologjik, u bë 20 me 1, në favor të punonjësve shkencorë.Si u zbatua në të vërtetë nga drejtuesit e rinj të QSA ky lloj studimi? Është fakt, që qysh më parë ishte caktua një numër fiks (122) dhe rreth këtij numëri u bë plotësimi i kuadrit “të ri“ të QSA-së. Në këtë numër u përfshinë drejtuesit kryesorë të QSA-së, sekretar(et) e drejtuesve të rinj, administrata e re e QSA-së, shoferët e drejtuesve më të lartë të QSA-së, magazinierët, pastrueset etj. etj.
Drejtuesit e QSA emëruan drejtorët e rinj të instituteve shkencore, të cilëve iu lanë dorë e lirë që të vendosnin stafin e ri shkencor nëpër institute. Me dhjetra specialistë, si punonjës shkencorë, skicografë, preperatorë, topografë, restauratorë, arkivistë, fotografë, bibliotekarë etj., që kishin nga 10 deri 30 vjet që punonin në institutet kërkimore shkencore u hodhën në rrugë. Për shkak të heqjes (apo superimit të vendit të punës) disa sektorë jetikë të istitucioneve kërkimore shkencore, si laboratorët, bibliotekat, arkivat etj., iu gjend rruga më e shkurtër, meqenëse u pezulluan punonjësit specialistë që punonin në këta sektorë, ato... u mbyllën përgjithmonë (?!).
Formalisht thuhet se mbyllja e këtyre sektorëve u bë për shkak të reformës, por në të vërtetë ato u mbyllën për të flakur nga puna specialistët. Sipas specialistëve të pezualluar nga puna, drejtuesit e rinj të instituteve shkencore shfrytëzuan rastin për të larë hesapet, apo inatet personale dhe i flakën nga puna kolegët e tyre.Absurditeti më i madh i gjithë kësaj ngjarje ishte se punonjësve të shkurtuar iu komunikua pezullullimi nga puna verbalisht më dt.10.03.2008, në një kohë që pezullimi, apo e thënë më saktë, ndërprerja e pagesës u ishte vendosur që më 31 dhjetor 2007 (?!).
Asnjë shkresë zyrtare nuk u është dhënë këtyre punonjësve për të zyrtarizuar pezullimin e tyre nga puna, qoftë edhe për shkak të reformës, dhe rrjedhimisht ata nuk përfituan asnjë shpërblim (rrogën nga 1 deri në 3 vjet), apo asistencë, ashtu siç e përmban Kodi i Punës i R.Sh., por u plasën në mes të të katër rrugëve, duke i fyer në dinjitetin e tyre profesiolal dhe njerëzor. A ishte reformë ajo që u krye tre vjet më parë në Akademinë e Shkenva dhe QSA?! Së pari duhet të kuptojmë se çfarë do të thotë “reformë”? Reformë do të thotë “Reformin” ose “Riformin”, që në rastin konkret do do të thoshte të riformohej drejtimi dhe puna kërkimore shkencore në Republikën e Shqipërisë. Po të ishte bërë një punë dhe një studim më serioz kjo do të mund të sillte jo paksimin (shkurtimin), por shtimin e punonjësve shkencore, ndihmës shkencore dhe teknikë në këto institucione.
Pasi, p.sh., në Institutin Arkeologji nga 12 skicografë qe kishte ky institucion deri në fillim të viteve 90, para reformës mbetën vetëm 2 dhe aktualisht është vetëm 1 (një); nga 2 restauratorë që patën në prag të reformës, aktualisht nuk ka asnjë; nga një bibliotekar, tani nuk ka asnjë dhe nga një arkivist, tani nuk ka asnjë.Dëmin më të madh në kryerjen e kësaj reforme e pësoi arkeologjia shqiptare. Veç shkurtimit të gati 75% të punonjësve të saj, ky institucion pati edhe pasoja të tjera katastrofike, si mbylljen e Laboratorit të Restaurimit, mbylljen e Arkivit shkencor, ku ruhen dokumentacioni i gjithë gërmimeve arkeologjike që janë kryer në Shqipëri gjatë 80 vjetëve, dhe mbyllja e Bibliotekës shkencore, ku gjenden librat unikalë për arkeologjinë dhe katalogë shkencorë nga e gjithë bota. Sigurisht u pezulluan nga puna punonjësit dhe specialistët e këtyre sektorëve.
Drejtuesit kryesorë të QSA-së dhe ata të Institutit Arkeologjik asnjëherë nuk kanë dhënë një argumentim të qartë dhe të saktë, se cili ishte shkaku i mbylljes së Bibliotekës, Arkivit dhe Laboratorit të Restaurimit që janë nga sektorët kryesore, të domosdoshme dhe jetikë për kryerjen normale të aktivitetit kërkimor shkencor. Ata kanë sjellë si argument numrin strikt (122) të punonjësve të QSA, pjesë e të cilit është edhe Instituti Arkeologjik, i miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave të R.Sh., duke lënë të kuptohet se në këtë kuadër është kryer edhe mbyllja e këtyre sektorëve (?!). Faj për këtë situatë kanë drejtuesit aktualë të Institutit të Arkeologjisë dhe i gjithë stafi i arkeologëve të këtij instituti. Arkeologët iu gëzuan faktit fatlum për ta, që nga kjo “reformë“ dolën të pa lagur dhe në djall vafshin të tjerët. Edhe po s’u bë puna, p.sh., restaurimi, fotografimi, skicimi i objekteve (që nuk varet prej tyre), ata prapë do ta marrin rrogën. Në Shqipëri mjafton që të kesh emrin në një bordero dhe rrogën e merr, u bë apo s’u bë puna dhe arkeologët shqiptarë e njohin dhe e dinë mirë këtë formulë. Arkeologët dhe drejtuesit e Institutit Arkeologjik nuk e mbrojtën institucionin e tyre, ashtu siç e mbrojtën drejtuesit dhe punonjësit shkencorë të ish Institutit të Kulturës Popullore.
Në këtë institut akoma ekziston Laboratori i Restaurimit, Arkivi shkencor, Arkivi i Fototekës, i Filmotekës, i Fonotekës sëbashku me punonjësit (specialistët) përkatës. Mbyllja e Bibliotekës, Arkivit dhe Laboratorit të Restaurimit u krye nga persona jo kompetentë dhe të pa aftë, që mbylljen e këtyre sektorëve e bënë duke u nisur nga motive joprofesionale, absurde dhe dashakeqe. Mbyllja e Bibliotekës, Arkivit dhe Laboratorit të Restaurimit në Institutin e Arkeologjisë është një veprim i nxituar e i pa studiuar, që do t’i sjellë një dëm të madh studimeve arkeologjike, kësaj shkence të rëndësishme të historisë dhe kulturës së vendit tonë.
Është e pajustifikueshme që edhe sot, pas tre vjetësh nga mbyllja e këtyre sektorëve, akoma nuk është marrë asnjë masë konkrete për hapjen e Laboratorit të Restaurimit, Bibliotekës shkencore dhe Arkivit të Institutit të Arkeologjisë dhe rikthimin në punë të specialistëve të saj, në një kohë që nevojat dhe kërkesat për punën e specializuar nga ana e specialistëve teknikë ndihmës shkencorë, në ndihmë të studimeve shkencore në këtë Institut (të Arkeologjisë), janë shumë të mëdha. Gati në çdo mbledhje të Departamenteve, Këshillit Shkencor dhe në Analizat Vjetore të Institutit Arleologjik, arkeologët e kanë ngritur me ngulm, bile edhe në prani të drejtuesve më të lartë të QSA-së, nevojën e domosdoshme që kanë për skicografë, topografë, restauratorë, për arkivin, bibliotekën etj. Për fat të keq, kërkesa e tyre vazhdon të bjerë në vesh të shurdhër, në një kohë që administrata e QSA vashdon të fryhet çdo vit me punonjës të rinj, që mund të jenë të vlefshëm për çdo gjë, por jo për shkencat e albanologjisë.
Dihet që zbulimet dhe studimet arkeologjike janë shumë të rëndësishme për historinë dhe kulturën shqiptare. Si të tilla ato paraqesin një rëndësi shumë të madhe edhe në fushën turizmit kulturor. Është e pafalshme që edhe sot, pas tre vjetësh nga ajo që u quajt “reformë“, por që doli një fiasko, vijon të jetë po ajo situatë dhe në krye të QSA dhe të Institutit Arkeologjik të jenë po ata drejtues dështakë.