Kreu i Kuvendit Ilir Meta, pasi ka theksuar edhe një herë rëndësinë e madhe që ka për vendin reforma territoriale, ka vlerësuar sot ftesën që kryeministri Edi Rama i ka bërë kreut të opozitës Lulzim Basha për t`u takuar për reformën administrative-territoriale.
“Vlerësoj ftesën që kryeministri i ka bërë kreut të PD-së Lulzim Basha për t’u takuar lidhur me përmbushjen e një prej reformave më madhore për të cilin vendi dhe qytetarët presin prej dy dekadash, siç është ajo që ka të bëjë me reformën territoriale administrative. Jam i bindur se kjo është një reformë në interes të vendit dhe për të gjithë qytetarët tanë që presin një pushtet më efikas, që të ofrojë shërbime më cilësore”, tha Meta.
Më tej kreu i Kuvendit ka shprehur besimin për të pasur bashkëpunimin e opozitës në mënyrë që komisioni bipartizan për reformën administrative-territoriale të nisë sa më shpejt nga puna dhe të mos mbahet peng i qëndrimeve politike që nuk kanë të bëjnë me thelbin e çështjes.
“Nuk do të ishte produktive dhe as normale që konsensusi tashmë i garantuar nga ana e mazhorancës për barazi të plotë të këtij komisioni të veçantë që përbëhet nga 8 anëtarë të mazhorancës, 8 të opozitës dhe dy kryetarë. Nuk duam që kjo reformë të kushtëzohet nga qëndrime të tjera politike që kanë të bëjnë edhe me dallimet e tjera politike. Duhet të tregojmë vullnet dhe bashkëpunim, pasi kjo reformë është e domosdoshme për të modernizuar vendin dhe për ta përafruar me standardet europiane”, tha Meta.