Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një letër kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, ku i ka kërkuar që të bashkëpunojë për të rritur konsensusin për reformën territoriale. Rama në letër ka thënë se reforma territoriale është përcaktuar si rëndësishme nga partitë politike më të mëdha në vend, nga partnerët e Shqipërisë, dhe nga organizatat ndërkombëtare. Gjithashtu kryeministri i kërkon kreut të opozitës të takohen sy më sy dhe të diskutojnë lidhur me shqetësimet që kanë për këtë nismë.
Letra e plotë
I nderuar Zoti Basha, reforma administrative-territoriale është konsideruar e domosdoshme, jo vetëm nga të gjitha partitë më të mëdha politike në vend, por edhe nga partnerët e Shqipërisë dhe nga organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare.
Synimi i shpallur i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” është që kjo reformë të miratohet me konsensus të plotë dhe gjithëpërfshirje të të gjitha forcave politike dhe grupeve të interesit. Deputetët tanë kanë votuar për ngritjen e një komisioni parlamentar për reformën administrative-territoriale, të bashkëkryesuar nga opozita dhe shumica, secila palë me numër të njëjtë anëtarësh dhe po ashtu me të drejtë vetoje në procesin vendimmarrës të komisionit. Pra komisioni parlamentar i siguron opozitës të drejta të njëjta me ato të shumicës nga fillimi në fund të procesit.
Kështu, besoj se jo vetëm kaq, por edhe fakti se e presim tanimë prej kohësh opozitën të vijë në komision, dëshmon qartë vullnetin tonë për të për ta nisur e bitisur së bashku këtë proces, edhe pse disponojmë 84 votat e nevojshme për miratimin e reformës administrative-territoriale. Për gjithë sa më lart, vendosa të bëj edhe këtë përpjekje të drejtpërdrejtë në adresën tuaj, duke ju ftuar ta nisim pa humbur kohë bashkërisht, shumicë dhe opozitë, punën në komisionin për këtë reformë me interes të posaçëm strategjik për vendin. Lejomëni t’ju shpreh në fund gatishmërinë time për t’ju takuar sy më sy, nëse ju do të donit të ndanit me mua çfarëdo shqetësimi lidhur me këtë çështje me interes kaq të veçantë për të gjithë. Për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë.