TIRANË, 14 Tetor/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Ulja e temperaturave në Europë dhe Ballkan mund të sjell ndryshim të udhës së klandestinëve nga Siria dhe Afrika e Veriut drejt Europës, ku vendi ynë mund të kthehet në një vend transit.
Në një situatë të tillë, qeveria shqiptare nuk dëshiron të gjendet e papërgatitur dhe ka ndërmarrë një analizë të detajuar të riskut për situatën që mund të parashtrohet.
Lajmi bëhet me dije nga Zv/Ministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea, gjatë një prononcimi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).
"Nuk parashikohet një fluks klandestinësh në vendin tonë, por ne nuk duam të gjendemi të papërgatitur, prandaj dhe Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë një analizë të riskut në rast se ky grup njerëzish ndryshon kurs, pra, përdorin Shqipërinë si vend transit, të mos gjendemi të papërgatitur", theksoi Gjebrea.
Sipas saj, zonat më vulnerabël janë ato jugore dhe veçanërisht zonat kufitare.
"Analiza jonë ka qenë e gjithanshme. Janë vlerësuar vend strehimet, rruga që ata mund të ndjekin. Kemi vlerësuar periudhën më të mundshme që mund të ndodhë lëvizja dhe të gjitha detajet e tjera të cilat duhet marrë parasysh në një situatë të atillë dhe për të gjitha këto është bërë dhe një vlerësim kostoje, për të cilën nuk mund të shprehem më shumë se kaq tani", tha ajo.
Zv/Ministrja Gjebrea tha se qendrat e strehimit kanë një kapacitet maksimal prej 350 vendesh, teksa lajmëroi dhe faktin se pikat kufitare në jug të vendit, kanë marrë masa për një eventualitet të tillë.
"Vendet ku ne kemi menduar se do strehohen këta klandestinë janë në jug të vendit dhe më konkretisht në Gjirokastër, ku janë dy qendra strehimi, të cilat së bashku kanë një kapacitet maksimal prej 350 vendesh. Ky është një kapacitet i limituar, por që nuk janë të vetmet godina që do të përdoren, pasi kemi vendosur të shfrytëzojmë edhe ambiente të tjera, në rast se fluksi do të jetë i lartë", siguroi Gjebrea, e cila ritheksoi se kjo nuk është një ftesë që i bëhet klandestinëve, por një masë e marrë për të mos u gjendur të papërgatitur në rastin e një fluksi të këtij grupimi personash.
Ndërkaq, burime nga Policia e Gjirokastrës sqarojnë se fluksi i klandestinëve, nëse ndryshohet kursi, prite të ndodhë pas mesit të nëntorit apo në fillim të dhjetorit, kur të nisin dhe rreshjet e dëborës në zonën kufitare mes Greqisë dhe Maqedonisë.
Këto burime sqarojnë se veç qendrave të strehimit, po mendohet mundësia e ngritjes së kampeve dhe përdorimi i ndërtesave të tjera shtetërore për këtë qëllim.
Një nga pikat kryesore ku mund të ngrihen këto kampe është aeroporti dhe bazat ushtarake të Gjirokastrës.
Gjithshtu, burime policore sqarojnë se është menduar edhe për çështjen e ushqimeve, shëndetit apo veshmbathjet e këtyre personave, teksa mësohet se koha e qendrimit të tyre në këto kampe apo qendra strehimi do të jetë e limituar, pasi këta klandestinë më pas në bashkëpunim me partnerët e huaj, do caktohet nëse do vijojnë ose jo rrugëtimin e tyre drejt destinacionit. /a.g/