Përse shqipja publike nuk i bëri ballë tsunamit totalizues? Ardian Vehbiu, autor i esesë për ligjërimin publik në Shqipërië e viteve 1945-1990, e ka shkruar këtë vepër në kujtim të atyre që i shpëtuan përçudnimit të komunikimit kombëtar
Shprehje të parafabrikuara dhe forma të tjera të drunjta të shqipes publike Ardian Vehbiu i merr për të ilustruar mekanizma të ndryshëm të shqipes totalitare.
Me shprehje të tipit: Në emër të popullit je i arrestuar!, apo trajta "Interesat e kujt mbron?; Kush të ka paguar t'i thuash këto?; Politikën e kujt bën ti?; Ku e ke marrë frymëzimin për këtë?; Të kujt i ke këto mendime?; Kush fshihet prapa këtij armiku?; Kush ia lëviz fijet?;
Për kë punon ti? (i gjen aktive edhe në shqipen e sotme publike), Vehbiu analizon rastin kur individi është instrument. "Aq e fortë ishte alergjia e totalitarizmit ndaj individit, sa as armikut nuk i lejohej luksi që të vepronte si subjekt i lirë dhe individual", shkruan ai tek "Shqipja totalitare.
Tipare të ligjërimit publik në Shqipërinë e viteve 1945-1990".
Individi dhe anti-individualizmi, dhe më tej autori dhe anti-intelektualizmi janë trajtuar më vete në studimin e Vehbiut. Prej këtu nis pjesa e dytë e intervistës që ai dha për "Shekullin" pak kohë pas hedhjes në qarkullim të kësaj vepre.
Në përfundim autori i njeh përgjegjësi të madhe medias në përtëritjen ligjërimit publik, mision që mund të përmbushet kur mediat të jenë të pavarura dhe të shkëputen nga interesat e ngushta të Partive. Ai shpreson edhe që kjo përtëritje të vijë sipas modeleve që ende gjenden në kodin gjuhësor të shqipes trashëguar prej mjeshtërve të fjalës të para 1944-ës.
Në kapitullin "Shkërmoqja e autorit" ju prekni një çështje delikate, të trishtueshme dhe dramatike: Autorin që shihej jo si krijues i dijes, por si ndërmjetësues. A duken sot në mendimin dhe kulturën tonë pasojat e këtij procesi?
Kultura shqiptare, në përgjithësi, ende nuk i ka normalizuar dot marrëdhëniet me autorët, duke mbetur peng e kontradiktës midis autorit si autoritet dhe autorit si dikush që kërkon "të duket" duke u veçuar nga masa.
Kjo u shfrytëzua mirë, madje u amplifikua gjatë viteve të regjimit komunist, në trajtat e anti-intelektualizmit dhe anti-individualizmit nga njëra anë, dhe të kultit të individit nga ana tjetër; çka më ka shtyrë të pohoj, në libër, se E. Hoxha mund të mendohet edhe si i vetmi "autor" i shqipes totalitare.
Në fakt, sistemi i ligjërimit publik ishte i tillë që ta përjashtonte autorësinë, sa kohë që kjo nënkupton risi ose sfidë ndaj formave ekzistuese dhe të pranuara; dhe E. Hoxha mund të funksiononte si autor sa kohë që qëndronte jashtë sistemit, në pozicionin e një sovrani ligjërimor.
Anti-intelektualizmi është karakteristikë e kulturave fshatarake dhe ka të bëjë me kompleksin e inferioritetit; por në kushtet e regjimit komunist totalitar dhe policor, do të lidhej vetvetiu me gatishmërinë e turmës për t'i dhënë autorit atribute pothuajse hyjnore; thua se krijimi, duke përfshirë edhe krijimin gjuhësor, kërkonte autoritet të pazakonshëm ndaj vdekatarëve.
Sot e kësaj dite, ne e kemi të vështirë të pranojmë lirisht autorët si të tillë; meqë priremi të ndjekim preceptin primitiv "një autor për fushë": një shkrimtar të vetëm, një kritik, një politikan, një artist, një filozof, një historian e kështu me radhë.
Ky paradoks, midis refuzimit që i bëhet individit si faktor aktiv në komunikim dhe gatishmërisë për t'i rënë në gjunjë një autoriteti të afirmuar është i trashëguar, besoj unë, edhe nga botëkuptimi totalitar dhe ligjërimi që e përftonte atë botëkuptim.
Enver Hoxhën e shihni si një koleksion shembujsh të shqipes totalitare, meqë veprat e tij për këtë çështje, bashkë me dy fjalorët e shqipes 1980 dhe 1984, dhe format gjuhësore të ngrira, shprehjet e parafabrikuara etj., janë përfaqësuese. Një kuriozitet: veprat e Hoxhës i keni lexuar me objekt studimin apo dikur jeni shtyrë nga arsye të tjera, si përdorues i asaj gjuhe?
Pozicioni i E. Hoxhës në raport me sistemin ka qenë unik; sepse lideri totalitar nuk ishte pjesë e sistemit, por kundërpeshë e tij; dhe vetëm ashtu sistemi mund të funksiononte, siç e ka treguar edhe historia e stalinizmit në BS dhe vetë fati i regjimit komunist në Shqipëri pas vdekjes së diktatorit.
Ligjërimi i Hoxhës është ligjërim i një sundimtari ideolog dhe politikan, që merrte karakteristikat e ligjërimit totalitar në momentin që futej në qarkullim; dhe nga ky këndvështrim analiza e mënyrave si konsumoheshin tekstet e Hoxhës nga shoqëria shqiptare ka rëndësi të dorës së parë për të kuptuar si riprodhoheshin palët ose skajet e ligjërimit publik të asaj kohe.
Vetë Hoxha, si autor, ka lënë pas një shumëllojshmëri tekstesh, të cilat një pjesë mund të jenë edhe produkt kolegjial; pa përmendur pastaj faktin që nuk mund të vësh menjëherë shenjën e barazisë midis një raporti në Kongres, një fjalimi me dyer të mbyllura në Plenum, një bisede me kooperativistët, një libri me kujtime dhe një vepre për t'u konsumuar nga proletariati botëror. Janë tekste të ndryshme, që kanë nevojë për qasje të ndryshme.
Sa për pritjen dhe leximin e këtyre teksteve, unë i kam lexuar madje nënvizuar e konspektuar dikur, në kontekstet totalitare të edukimit komunist dhe të studimit në shkollë, sikurse i kam lexuar nga kurioziteti dhe dëshira; megjithatë, tekstet me natyrë politike dhe ideologjike trajtoheshin, në kohën time, si dokumente të shenjta të kulturës totalitare - të cilat të gjithë ishim të detyruar t'i lexonim, t'i riprodhonim, t'i komentonim, por jo t'i kritikonim.
Mund të bëhet një analogji dhe të thuhet se tekstet e Hoxhës luanin për kulturën totalitare një rol të ngjashëm me atë të Biblës në kulturën e shoqërive të krishtera në Mesjetë ose të Kuranit në kulturën e shoqërive islamike tradicionale sot e kësaj dite; duke funksionuar si gramatikë totale e sjelljes publike, duke përfshirë këtu edhe ligjërimin.
Duke e vënë shqipen publike të asaj kohe pranë ligjërimit sovjetik dhe atij nazist, çfarë përfundimesh dalin?
Kur e kam konceptuar librin, më kanë shërbyer veçanërisht studimet që i janë bërë ligjërimit publik në Bashkimin Sovjetik, të periudhës staliniane dhe më pas.
Megjithatë, rusishtja publike e shekullit XX u ndikua në masë të madhe nga dinamika unike e raporteve ligjërimore dhe autoriale midis Leninit të balsamosur në mauzolé dhe në kulturën sovjetike nga njëra anë dhe super-qehajait të tij Stalinit nga ana tjetër; çka nuk ka ndodhur me shqipen.
Nga ana tjetër, shqipja totalitare bashkon në vetvete tipare të ligjërimit publik të kohës së Stalinit, me tipare të rusishtes publike të mëpasme, sidomos rusishtes së burokratizuar dhe të shabllonizuar të periudhës brezhnjeviane.
Shtetet totalitare, duke përfshirë këtu edhe Gjermaninë naziste, i qasen njëlloj ligjërimit, me të njëjtën dëshirë për ta veshur gjuhën me uniformë policore dhe për ta nxjerrë në agorá ose në sheshin e komunikimit publik; por kjo nuk duhet të na bëjë të harrojmë se nazizmi, si ideologji, e ruante një përbërëse të fortë nacionaliste, raciste dhe tradicionale, të rrënjosur në të shkuarën sa historike aq edhe mitike të popujve gjermanikë; prandaj gjermanishtja naziste i ruajti gjithnjë të forta lidhjet me kulturën gjermane aq të pasur të shekujve të mëpasëm.
Përkundrazi, regjimet totalitare komuniste, në Bashkimin Sovjetik dhe në Shqipëri, synonin një shkëputje totale nga e shkuara; duke e vështruar traditën me dyshim, aq më tepër kur kjo traditë manifestohej në tekste me natyrë subversive.
Nga kjo pikëpamje, unë besoj se rusishtja u mbrojt disi më mirë nga homogjenizimi ideologjik, për shkak se traditën e një gjuhe dhe një kulture që ka nxjerrë, ndër të tjera, Pushkinin, Tolstoin dhe Dostojevskin, Lermontovin dhe Çehovin, Gogolin dhe Turgenjevin, nuk e çrrënjos dot me anë tekstesh propagandistike, madje as edhe vetëm nga rrafshi retorik i ligjërimit; ndërsa shqipja publike nuk e kishte imunitetin e duhur, as përpunimin e duhur tekstual dhe traditën për t'i bërë ballë tsunamit totalizues.
Mjaft të krahasosh sasinë e teksteve të botuara gjatë viteve 1945-1990, me tekstet e botuara më parë; për të kuptuar se suksesi i totalizimit të shqipes ka të bëjë, drejtpërdrejt, me masën e përsëritjeve, ose të mallrave ligjërimore të hedhura në tregun e komunikimit nga ndërmarrjet prodhuese të konsumit të gjerë të propagandës komuniste.
Përse një studim i këtij lloji që ju e quani ese dhe jo studim akademik, nuk ka ardhur deri më sot nga rrethet shkencore shqiptare?
Nuk di të them pse. Kjo ka të bëjë me përparësitë studimore të institucioneve përkatëse dhe të studiuesve individualë. Në Shqipëri dhe gjetiu ka specialistë shumë të mirë të këtyre çështjeve, të cilët ndryshe nga unë, që përfaqësoj veç veten, mund të siguronin edhe financime publike për t'i vendosur kërkimet e tyre në baza akademike të mirëfillta.
Studimi i shqipes totalitare do të përfitonte shumë nga hulumtimi i mjeteve shprehëse që përdorte propaganda komuniste për të komunikuar me publikun; grafika, pllakatet, artet figurative, fotografitë në gazetat dhe revistat e periudhës.
Një mori çështjesh, të cilat në librin tim vetëm sa ceken, meritojnë shumë më tepër vëmendje - për shembull, format e ligjërimit në gazetën "Zëri i Popullit" ose në raportet e panumërta në arkivat, bie fjala, të komiteteve të Partisë ose të Rinisë anembanë vendit, të cilat i përmbajnë kodifikimet totalitare në trajta edhe më të kulluara sesa, për shembull, fjalimet e E. Hoxhës.
Një libër si imi mund të shkruhet me iniciativë private; por studime të hapëta rreth të njëjtave tema dhe çështje kërkojnë para së gjithash ri-orientime strategjike të institucioneve përkatëse.
Ju shpresoni në përpunimin e një ligjërimi të ri publik?
Sot për sot, unë dalloj së paku dy forma të ligjërimit publik - njëra që ka mbetur peng e së shkuarës dhe orvatet të bindë nëpërmjet totalizimit ose pozicionimit ideologjik-etik; tjetra, më dinake, që përpiqet ta derdhë ligjërimin modern të integrimit europian, të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, të ekonomisë së tregut, etj., në format e vjetra totalitare; duke zëvendësuar, si të thuash, vetëm autoritetin ose burimin e ligjërimit. Në rrafshin politik, këto dy forma gjejnë shprehje në kundërvënien midis kombëtarizmit dhe integrizmit; në rrafshin social, midis populizmit dhe elitizmit, e kështu me radhë.
Çfarë shpesh mungon, është kultura pluraliste e mirëfilltë, ose të kuptuarit e dialogut jo si betejë për 'demaskimin' dhe asgjësimin e palës tjetër, por si proces për t'iu qasur së vërtetës ose marrëveshjes praktike.
Edhe për kontrollin e ligjërimit publik ka keqkuptime të mëdha, të cilat manifestohen si luhatje, marramendëse, midis censurës brenda grupit dhe lënies së hapësirave publike në mëshirë të vulgut.
Unë uroj që ligjërimi publik të përtërihet e të zhvillohet para së gjithash nëpërmjet forcimit të pavarësisë së mediave dhe shkëputjes së tyre nga interesat e ngushta të Partive; meqë sa kohë që mediat përdoren si kobure, prirjet totalizuese nuk i neutralizon dot.
Më anë tjetër, me kohë do të kristalizohet bindja se hapësira publike e komunikimit i përket publikut, nuk është hapësirë shtetërore as pronë e shtetit e aq më pak e pushtetit. Institucionet pushtetore, në këtë rast, kanë për detyrë ta ruajnë hapësirën publike nga instrumentalizimi; njëlloj si kopshtari që e pastron kopshtin nga barnat e këqija, por pa ëndërruar se një ditë do t'i japë dërrmën për të ndërtuar atje një pallat, një bunker ose një katedrale
.
Dhe së fundi: e keni shkruar këtë libër në kujtim të të gjithë atyre që ditën dhe mundën të heshtin. Do të thotë, të atyre që i shpëtuan "përçudnimit të komunikimit kombëtar"?
Do të thoja, më mirë, në kujtim të atyre që u munduan t'i qëndronin larg, të kthenin kokën nga ana tjetër, të vetëdijshëm se çdo pjesëmarrje sillte me vete rrezikun e bashkëfajësisë.
Për shkak të mënyrës si artikulohej ligjërimi publik në institucione të asaj kohe të tilla si shkolla ose qendra e punës, nuk ka mbetur qytetar i Shqipërisë socialiste pa shërbyer si vegël për riprodhimin e ligjërimit totalitar; por shpesh një pjesëmarrje e tillë si, bie fjala, hapja e një studimi me një citat të Enver Hoxhës ose duartrokitja në fund të leximit të një letre drejtuar KQ të PPSh, duhen marrë më tepër si koncesione ose kompromise të vogla me veten, në emër të mbijetesës.
Përndryshe, kush e ka jetuar të shkuarën komuniste, do ta mbajë mend, me mua, si kakofonia e totalitarishtes, në mjedise publike, në radio, në televizion, në gazetat, në libraritë, në mbledhjet e kolektivit, në mitingjet, në sallat e kinemasë, në parullat dhe pankartat dhe banderolat ngrihej e tëra mbi një sfond të heshtjes; sikurse do ta mbajë mend, përsëri me mua, se regjimi i frikësohej heshtjes edhe më shumë se ç'i frikësohej sfidës, kundërshtimit ballazi, refuzimit publik dhe rebelimit.
Kishte gjithnjë diçka sublime në mënyrën si thoshte "Jo" heshtja; diçka përballë së cilës regjimi totalitar nuk u gjend dot kurrë i përgatitur, me gjithë infektimin që i bëri gjuhës shqipe, ligjërimit publik dhe krejt hapësirës sociale të komunikimit publik.
Elsa Demo
Nga : Gazeta Shekulli