Këto ditë të nxehta vere, kur pjesa dërrmuese e njerëzve e mban frymën në qytetet bregdetare që gëlojnë nga pushuesit e shumtë dhe Tirana mbetet e vakët në zhegun përvëlues të ditëve të gushtit, nuk është e rastit që realizimi i një ngjarjeje kulturore, siç është Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit, të zhvillohet në Durrës.
Sikundër çdo vit tjetër, për të ardhur më pranë artdashësve të filmit, edhe ky edicion i katërt vjen me elemente dhe qasje të reja artistike. Një prej tyre është edhe prezenca për herë të parë e një kolosi të filmit hollivudian si Frensis Ford Coppola në vendin tonë. Jo vetëm pozicionimi i tij përballë mediave dhe artdashëseve, por njëherësh prezantimi i dy filmave premierë të tij, “Tetro” dhe “Youth without Youth”, do të përbëjnë gamën e risive këtij festivali. Por jo vetëm. Anila Varfi zbulon më shumë detaje…
Edicioni IV i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Veror është në prag. Ç’mund të na thoni për risitë e këtij viti?
Risia e parë që ka lidhje të drejtpërdrejtë edhe me median, është fakti që legalisht për herë të parë një eveniment shqiptar mbulohet nga “FiPresci”, Fondacioni Ndërkombëtar për Kritikën, çka do të thotë që dimensioni i këtij edicioni i kalon kufijtë nacionalë dhe internacionalë. Prania e personaliteteve të artit botëror, si Jiri Menzel, apo regjisori me famë botërore, Oscari Cek, Nik Powell, drejtori shkollës së filmit dhe TV në Londër, Jan Harlan, producent i Stanley Kubrick, gjithashtu Rade Serbedzija, aktor serb me famë botërore, bën që prania e këtyre personaliteteve në festivalin e këtij viti në Durrës ta rrisë shumë pritshmërinë e audiencës sonë tradicionale dhe asaj të re.
Një personalitet i kastës së regjisorëve hollivudianë është edhe Frensis Ford Coppola (Frensis Ford Kopola), i cili u bashkohet risive të këtij evenimenti me praninë e tij në Durrës. Është sukses për t’u shënuar ky për ju, apo jo?
Për herë të parë në vendin tonë shkel një regjisor i famshëm botëror si Frensis Ford Coppola. Ai do të jetë i pranishëm në datën 1 shtator përpara mediave shqiptare, admiruesve të filmave të tij dhe publikut të gjerë. Prej dy vitesh unë kam bërë tentativa të vazhdueshme me të dhe isha unë negociatorja e kësaj vizite që edhe me mbështetjen e Ambasadës Amerikane u bë e mundur prania e tij në vendin tonë. Ajo që konstatova ishte vëmendja e tij përgjatë viteve kundrejt festivalit tonë të filmit. Sigurisht që është sukses prezenca e atij që shumëkush e identifikon me producentin e filmit të famshëm “Kumbari”, që ka bërë jo pak jehonë edhe në vendin tonë, por edhe shumë produksioneve të tjera kinematografike të arrira. Gjatë zhvillimit të këtij festivali nga data 27 gusht deri më 2 shtator, do të shfaqen dy tituj filmash të Coppola-s, “Tetro” dhe “Youth without Youth”, dhe festivali do të kulmojë me një shfaqje madhështore të filmit “Tetro” në skenën e Amfiteatrit Romak.
E gjithë kjo gjetje vjen në kuadër të gërshetimit të dy kulturave, asaj amerikane dhe turke, që do të përbëjnë edhe boshtin e seksioneve artistike të kompeticioni artistik?
Mbrëmjet tona do t’i dedikohen jo vetëm filmit kompetitiv, por edhe “Mikut të Nderit” për këtë vit, që është kinemaja dhe kultura e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Turqisë. Këto dy kultura kinematografike do të vijnë përmes filmave dhe retrospektivës së regjisorit legjendar Francis Ford Coppola, ndërsa kultura kinematografike turke vjen përmes një programi të mirëdizajnuar nga kritikja e filmit Alin Tasciyan. Në ceremoninë e hapjes së festivalit, e cila do të mbahet më 27 gusht në Amfiteatrin Romak, në program është edhe filmi fitues i Festivalit të Berlinit “Honey” nga Semih Kaplanouglu. Më tej, në ditët e festivalit, përmes një programi do të prezantohen shtatë filma turq, më të mirët e produksioneve të tri viteve të fundit. “Durrës Film Festival” do të ketë vëmendjen e publikut te kultura e këtyre dy vendeve, duke tentuar të vendosë lidhje të forta midis Shqipërisë e vendeve fqinje nëpërmjet një aktiviteti që ka vendosur në qendër të tij kinemanë në të gjitha format e saj.
Në përqasje me tri edicionet e kaluara të këtij festivali, çfarë ka ndryshe këtë vit?
Këtë vit do të ketë më shumë filma pjesëmarrës, do të ketë katër juri që do të vlerësojnë titujt konkurrues. Do të jenë juria e filmit të madh bashkëkohor, juria e filmit të shkurtër, juria “FiPresci”, për herë të parë prezent në Shqipëri, i vetmi territor i pambuluar nga media e huaj për kinemanë deri më tani, si dhe juria e audiencës. Në kompeticionin “Botë Ballkanike”, çmimi “Filmi më i mirë ballkanik” do të jetë në lojë për filmat konkurrues. Gjithashtu, duke theksuar identitetin e festivalit, stafi i festivalit do të përzgjedhë 9 filma (35 mm) nga produksionet më të fundit europiane për konkurrimin në seksionin “Vizione bashkëkohore”. Katër çmimet e dhëna nga një juri ndërkombëtare janë: Çmimi “Gladiatori i Artë” për filmin më të mirë, çmimi që do t’i jepet producentit/ regjisorit më të mirënjohur në botë. Ky vit do të laureojë me këtë titull të madhin regjisorin hollivudian Francis Ford Coppola. Çmimi tjetër për regjisorin më të mirë, aktorin më të mirë, aktoren më të mirë. Ndërsa në këndin e retrospektivës, në ndryshim nga viti 2010, ku festivali prezantoi retrospektivën e veprave të Agim Qirjaqit, Bekim Femiut, Dhimitër Xhuvanit dhe Tinka Kurtit, emra të mëdhenj në artin shqiptar, të cilët u nderuan me Çmimin e Karrierës 2010, këtë vit do t’i bëhet jehonë aktorit Vangush Furxhi. Në ndryshim nga vitet e kaluara, sivjet festivalin do ta prezantojmë edhe në katër qytete tjera të vendit: Tiranë, Vlorë, Pogradec dhe Sarandë, me një program të veçantë për to.
Po realizime shqiptare do të ketë?
Emrat e filmave konkurrues do të bëhen të ditur vetëm 10 ditë përpara festivalit. Mund të them që nuk ka filma shqiptarë. Sepse për të qenë protagonistë konkurruesit në një eveniment si i yni, ekzistojnë kritere të forta vlerësuese nga një juri europiane. Një film konkurrues i producentes Greta Zenelaj, me titull “In the woods”. Ajo së bashku me të motrën kanë një studio produksioni në Los Anxhelos. Gjithashtu, një film tjetër pjesëmarrës do të jetë i një regjisori shqiptar të talentuar, por edhe ky me banim në Amerikë.
Cili është boshti tematik që emetojnë filmat pjesëmarrës në këtë konkurrim artistik?
Thuajse të gjithë filmat janë prodhime europiane me vizion bashkëkohor, që në themel të subjekteve të tyre kanë çështjet sociale dhe ato politike. Tema të prekshme dhe jetike për kohën në të cilën jetojmë, por që vijnë në këndvështrime të ndryshme nga regjisorë të ndryshëm. Një realizim krejt i veçantë artistik është edhe ai që i kushtohet ish-Presidentit të Çekisë, Vaslav Havel. Detajet e tjera do t’i zbulojmë gjatë zhvillimit të festivalit.
Folëm për sukseset, por cilat janë vështirësitë që hasët deri në realizimin e këtij edicioni të festivalit?
Kriza ekonomike u ndie edhe në punën tonë. Sigurisht që patëm probleme në çështjen e financimit, por dëshira e madhe për të mos e ndërprerë ëndrrën për filmin bëri të mundur që edhe me mbështetjen e Ambasadës Amerikane, Ambasadës Turke, kryetarit të Bashkisë së Durrësit dhe një grupi profesionistësh përreth, ky edicion i katër i “Durrës Film Festival” të mos mungonte edhe këtë vit për të gjithë artdashësit e filmit.
Besoni në suksesin dhe përqafimin edhe këtë vit nga ana e audiencës kundrejt evenimentit që do të prezantoni në ditët në vijim?
Absolutisht po. Nuk është e zakonshme që ne zgjedhim një qytet bregdetar për të realizuar këtë festival. Duke qenë më pranë pushuesve, por edhe artdashësve. Në një kohë kur edhe hyrja për në festival është e lirë, ne e sjellim më afër kulturën dhe magjinë e filmit dhe sukseseve botërore.
Regjisori i “Kumbarit”, për herë të parë në Shqipëri
Ai është regjisori i famshëm i filmit “Kumbari”. Produksioni i tij artistik që ka bërë bujë në mbarë botën, jo vetëm që është një etalon në krijimtarinë e tij filmike, por ka bërë që emri i Frensis Ford Coppola-s të renditet në kastën e producentëve të mëdhenj hollivudianë. Bazuar në romanin e Mauro Puzo-s, botuar në vitin 1969, i shitur në miliona kopje në të gjithë botën, “Kumbari” premtonte që në zanafillë suksesin që pati, ndërsa regjisori amerikan me origjinë italiane vendos ta mbyllë me dy produksione të tjera, duke e kthyer në trilogji krijimtarinë e tij filmike. Ai është një nga figurat më të njohura në kinematografinë amerikane edhe në shumë tituj të tjerë filmash të tij, si: “Lugina e lumturisë”, “Bashkëbisedim i fshehtë”, “Apocalypse Now”, “Idealisti”, “Sleepy Hollow” etj., njëherësh i nominuar për disa kategori të rëndësishme çmimesh në kompeticione ndërkombëtare. Nuk mjafton vetëm suksesi në kinematografi, por Frensis është edhe një sipërmarrës i suksesshëm. Kantina e tij e prodhimit të verërave është një nga më të njohurat në botë.