Reklama e BE Shqiperia krahasohet me Greqine (VIDEO)

Reklama e BE, Shqiperia krahasohet me Greqine (VIDEO)
Videoklipi për promovimin e vendeve ballkanike do shfaqet në kinema

“Përshëndetje”. Ndo-nëse në fund Shqipëria prezantohet me këto fjalë në videoklipin më të fundit të realizuar nga Komisioni Europian. Janë thënë nga një fëmijë jo më shumë se 8 vjeç, ndërsa në sfond duken pamje të Apolonisë. E konceptuar nga Drejtoria e Zgjerimit, me anë të këtij videoklipi  synohet të luftohen paragjykimet ndaj Ballkanit dhe Turqisë në vendet më skeptike të BE-së. Bëhet fjalë për një video-reklamë mbi vendet e Ballkanit që ka realizuar Komisioni për t’u transmetuar në vendet e BE-së, nën moton: “Kaq të ngjashëm, kaq të ndryshëm, kaq europianë”.

Në 60 sekonda shfaqen pamje nga vende të ndryshme të përzgjedhura për të treguar ngjashmëritë historike, shoqërore e kulturore. Çdo vendi që aspiron për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian i korrespondon një tjetër vend i ngjashëm me të, që tashmë është pjesë e BE-së. Ju duket si Greqia? Jo, në fakt është Shqipëria. Ju duket si Suedia? Jo, jemi në Mal të Zi. Ju duket si Franca? Është Serbia. Pamjet janë të vendeve që nuk janë pranuar ende, ndërsa me titra jepet fillimisht një prej shteteve me të cilat janë krahasuar. Përveçse në rrjetet sociale në internet, klipi do të shfaqet edhe në reklamat e kinemave të Austrisë, Britanisë, Francës, Belgjikës, Holandës, Gjermanisë, Danimarkës dhe Finlandës. I ngacmuar nga korrespondentët e Ballkanit në Bruksel, Peter Stano, zëdhënësi i komisionerit Shtefan Fyle, ka shpjeguar se ky material reklamues nuk është konceptuar për të përcjellë ndonjë mesazh politik, por synon të promovojë përtej dallimeve ngjashmëritë mes këtyre vendeve aspirante me ato europiane.

Ndërkohë, në viedoklip mungon një tjetër vend kandidat, që është Islanda. Zëdhënësi i komisionerit Shtefan Fyle, i pyetur pse mungon vendi tjetër kandidat, është shprehur se Islanda është më europiane, pasi ka marrëdhënie më të gjata e më të shumta bashkëpunimi me BE-në, gjë që në fakt vlen edhe për Turqinë. Prej vitit 2009, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian. Shqipëria është dëshmuar faktor i rëndësishëm në ruajtjen e qëndrueshmërisë rajonale, duke mbështetur pavarësinë e Kosovës dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike në Ballkan. Ndërkohë, sipas përfaqësuesve të BE-së, pengesat më të mëdha për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE janë kapërcimi i së kaluarës së vështirë dhe gatishmëria për të avancuar drejt një axhende europiane.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama