Fanellat e Kombëtares kanë kapur një rekord të ri shitjesh. Performanca e kuqezinjvë ne Europian duket se ka rritur numrin e blerjeve tek tifozët. Sipas "TCH", rreth 65 mijë fanella të Kombëtares janë shitur ende pa u mbyllur "Euro 2016".
Paçka se kuqezinjtë u eliminuan nga turneu më i madh i futbollit në Europë, paraqitja e treguar nga ata mbushi rrugët e Francës me flamuj kuqezinj dhe fanella të Kombëtares.
"Kësaj radhe kemi pasur mundësi të shohim edhe fanellën tonë të ashtuquajtur 'Triumf', e cila është shitur në shifra realisht shumë të konsiderueshme. Deri më tani janë shitur rreth 50-55 mijë fanella, ndërsa 10 mijë bluza të tjera janë shitur në tregun shqiptar, në të cilin vëllimin më të madh e ka pasur FSHF-ja. Shifrat kanë qenë së paku mbi 10 herë mbi parashikimet", tregon Gazmend Malo, drejtor i Marketingut në Federatën Shqiptare të Futbollit.
I pyetur se cili është rekordmeni i fanellave kuqezi të Europianit, apo idhulli i tifozerisë shqiptare, ai ka thënë se: "Nëse do të flasim për lojtarët, padyshim që kapiteni Cana ka qenë më i preferuari. Por kemi pasur edhe emra të tjerë si Xhaka, Agolli dhe Kaçe. Në shifra më të ulëta më pas vijnë pothuajse të gjithë lojtarët e tjerë".
Po sipas "TCH", Lorik Cana është edhe lojtari që ka shpërndarë më shumë fanella. Magazinieri Fatos Kademi sqaron se kapiteni kuqezi është rekordmen edhe në porositë private, pasi ka shpenzuar rreth 16 mijë euro vetëm për fanellat që ka shpërndarë në tri javët e Europianit të Shqipërisë.
"Më shumë bluza janë të Lorik Canës, rekord prej 200 fanellas. Më pas vijnë Agolli e Basha me nga 20, ndërsa në vijim janë edhe Sadiku, Balaj. Xhaka nuk ka porositur. Shumica kanë marrë fanella, por i kanë bërë porositë më herët sesa të fillonte Europiani", thotë Fatos Kademi, magazinier i FSHF-së.
Në muajin shtator kuqezinjtë pritet të veshin të tjera fanella, të dizenjuara enkas për Botërorin "Rusi 2016".