Shfaqja kishte mbledhur figura të shumta nga arti, kultura dhe politika. Krijuesi i shqiponjës në mozaik ka thënë se ky ishte misioni i tij personal, pos dhuratës që ka dashur t’i bëjë Kosovës: “Kam ardhur me një mision personal në Kosovë që të jap diçka nga shpirti im dhe për flamurin e kombit. Zgjodha 100-vjetorin dhe flamurin për të dhënë një mirënjohje nga Shqipëria për të gjithë kosovarët dhe sakrificat e tyre. Ky rekord është një dhuratë për gjithë popullin kosovar.”
Annabel Laëday, nga Guinness, e ka kryer në formë zyrtare procedurën e matjes së tentativës për të thyer rekordin. “Jam e gëzuar që jam në këtë qytet të bukur si Prishtina. Deri më tash mozaiku më i madh me fasule ka qenë në Kinë, me 60 metra katrorë i krijuar në vitin 2009. Tash, Saimir Strati ka krijuar 63 metra katrorë. Kështu që konfirmoj se ky është rekordi i ri Guines.”
Ndërkaq ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka, duke folur për këtë ngjarje në këtë 100-vjetor, ndër të tjera tha: “Në radhë të parë falënderoj Saimirin që na ka bashkuar. I dashur Saimir, Kosova është një vend i tillë dhe ka një popull që e ka futur veten kaherë në Guinness, sepse veç Gunness që shkruan dhe mban rekorde, është edhe një Gunness tjetër, që është kujtesa historike e popujve, dhe në këtë kujtesë Kosova është regjistruar me kohë, për rezistencën heroike, jo që 10 apo 20 vjet, por para shumë shekujve. Rezistenca e Ibrahim Rugovës për kryengritjen e armatosur, mrekullia UÇK.
Dhe këto rekorde Gunness-i janë të paharrueshme dhe është meritë e Kosovës që populli shqiptar sot, në përvjetorin e 100-të e mban flamurin të ngritur lart e jo në gjysmë shtizë. Me punën tuaj të mrekullueshme me devotshmërinë tuaj dhe de jure e keni futur Kosovës në Gunness.”
Për artistin e mozaikëve ky është rekordi i shtatë botëror. Në vitin 2006 duke përdorur gozhda industriale, artisti ka rikrijuar portretin e Leonardo Da Vinci, duke përdorur rreth 400 kilogramë gozhda mbi një sipërfaqe 2x4m, duke vazhduar më pas edhe me pesë rekorde të tjera, deri në shqiponjën, që shënon rekordin e shtatë të Stratit.