Në to, përpara se të blesh, fillimisht provon dhe shijon produktet. Është, pa dyshim, pjesa më e këndshme e kryeqytetit, i cili për herë të parë sjell një frymë krejt të re festimesh, duke përfshirë këdo që e shkel. ”Qenka bërë vërtet shumë bukur. Të them të drejtën, po më pëlqen që i shoh edhe këtu shtëpitë e drunjta”. Ishte vetëm një nga copëzat e bisedës që arritëm të shkëputnim nga një grup studentesh. Prisnim që orari i drekës ta gjente disi më të zbrazur, por çuditërisht pamë të kundërtën. E, në fakt, që në hyrje gjithçka të ndjell për pak pushim, për shkëmbim batutash e për shumë buzëqeshje që shijojnë më tepër nëse ke një birrë përpara. Shumëkush e preferon “sade”, të tjerë e shoqërojnë me qofte apo mish të skarës. Janë të pashmangshme takimet me miq e të njohur. “Qyteza e drunjtë” duket se edhe te ne do të kthehet në traditën ku të gjithë trokasin gotat.
Birra “Korça” mahnit festën
“Edhe një tjetër”. Kjo shprehje dëgjohej më shpesh pranë stendës së birrës “Korça”. Fytyrat e djemve dhe vajzave që shërbejnë “bionden” dhe “brunen” dëshmojnë qartazi se është më e vizituara. Por jo vetëm ata. Poshtë çadrave nuk gjen asnjë tavolinë të lirë dhe të gjithë çohen shpesh për t’u rikthyer me një gotë apo shishe plot. ”Rekord, sidomos pasdite. Është më e preferuara dhe nuk e themi ne. Shiheni vetë. Konsumohen 22 fuçi në ditë. Më së shumti shërbejmë me gota. Kemi arritur edhe në 25 mijë të tilla në ditë”, na sqarojnë të rinjtë, që nuk ndalen duke mbushur gotat.
Në tryezat përreth sheh të rreshtuara bashkë me ato të mbushura plot, edhe stiva gotash të zbrazura, të konsumuara më parë. ”Unë kam punën këtu afër dhe në orarin e drekës shkëputemi bashkë me shokët përditë, qëkur është hapur. Sot na ka shijuar më shumë se i kemi kthyer nja katër gota. Po është e lehtë dhe nuk të bën dëm”, thotë Luli, një burrë rreth të 50-ave, i cili, pavarësisht se është “tirons” (siç thotë ai), nuk i ndahet birrës “Korça”. Më tej, në një tryezë tjetër, disa aktorë të Teatrit Kombëtar kanë ftuar edhe një mikun e tyre francez në tryezë. Për të mos ia prishur kanë preferuar verë të kuqe “Egnatia”. Nuk pranojnë të fotografohen e ne respektojmë zgjedhjen e tyre duke i lënë të shijojnë. ”Foto nuk duam dhe zakonisht edhe ne birrë marrim, po sot thamë ta ndërrojmë dorën e t’i bëjmë respektin këtij mikut tonë.
Po shumë e mirë edhe vera”, thotë njëri prej tyre. Kthehemi sërish rreth orës 19:00. “Qyteza” është e supermbushur dhe veç dritave shumëngjyrëshe të qetësojnë edhe tingujt muzikorë. Pranë stendave sheh njerëz në radhë, të cilët nuk duan më as të ulen, por marrin në dorë pijet e tyre të preferuara. Është vetëm java e parë e “qytezës” së re në Tiranë, atmosfera premtuese pritet të ndizet edhe më në ditët që na ndajnë deri në ndërrimin e viteve.
Rekordi në stendën e birrës “Korça”
. 22 fuçi në ditë konsumohen nga qytetarët pranë stendës së birrës “Korça” në “Qytezën e drunjtë” te rruga “Murat Toptani” në Tiranë
. 25 mijë gota në ditë u shërbehen qytetarëve. Birra me gotë është më e preferuara nga qytetarët
. 10 arka në ditë konsumohen vetëm birra me shishe
. 200 shishe mesatarisht shijohen çdo ditë nga qytetarët
Shtohen dritat e festave
Pas pemës gjigante e vendosur në sheshin “Skënderbej”, ndriçimeve krejt të reja në bulevardin kryesor “Dëshmorët e Kombit”, janë ndezur dritat edhe në bulevardin “Zogu i Parë”. Sipas Bashkisë së Tiranës, edhe të tjera zbukurime feste pritet të instalohen ditët në vijim në të gjithë kryeqytetin. Tirana këtë fundvit është ndjellëse, me një atmosferë festive krejt ndryshe.
Produkte shqiptare në 40 shtëpiza
Janë rreth 40 shtëpiza të vogla druri ku shijohen e tregtohen produkte cilësore shqiptare. Qytetarët kanë mundësi pranë stendave të blejnë edhe suvenire të ndryshme apo lodra enkas për festat e fundvitit. Tradita e kryeqyteteve europiane më në fund ka ardhur edhe në Shqipëri. Rruga pedonale këtë muaj do të jetë, pa diskutim, më e vizituara në Tiranë.
Basha e përuroi një javë më parë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, preu një javë më parë tortën e përurimit të “Qytezës” së festave të fundvitit. Duke shprehur mirënjohje ndaj bizneseve që mbështesin atmosferën festive në kryeqytet, ai theksoi se nga paratë e taksapaguesve nuk është paguar asnjë qindarkë. “Qyteza” e re, ngritur në rrugën “Murat Toptani”, përveçse një vend argëtimi për qytetarët, është edhe një mundësi e mirë marketingu për kompanitë më të njohura që operojnë në tregun shqiptar. Kryebashkiaku deklaroi se kjo qytezë vjen në Tiranë si përgjigje ndaj kërkesave me standard europian të qytetarëve të Tiranës. Ai shtoi se motivimi dhe bashkimi i bizneseve në në këtë kontribut është shenja më e qartë e besimit që këto biznese, qytetarët që i udhëheqin ata kanë tek e ardhmja e qytetit.