Skënderbeu ka mbyllur dje përgatitjet për ndeshjen kundër Tërbunit në një seancë stërvitore të zhvilluar në ambientet e stadiumit. Një seancë që ka zgjatur më shumë se 70 minuta, trajneri Josa ka testuar për herë të fundit ekipin e tij duke zgjedhur edhe 11-shen bazë që do të hedhë në fushë nga minuta e parë në ndeshjen e sotme.
Nuk ka pasur shumë surpriza në formacionin e Josës ku natyrisht binte në sy mungesa në pozicionin e titullarit të Hamdi Salihit, të cilit nuk do t'i jepet bluza e titullarit ndeshjen e sotme, por pritet ta nisë nga stoli. Nga ana tjetër, Josa nuk ka ndryshuar reshtim duke iu kthyer 4-4-2-shit klasik që është përdorur gjatë gjithë sezonit. Në portë Shehi dhe para tij katër mbrojtësit do të jenë Vangjeli, Arapi, Jashanica dhe Radas.
Në mesin e fushës Lilaj dhe Orelesi pritet që të formojnë qendrën e mesfushës, ndërsa në krahët Progni e Latifi do të jenë mbështetje e madhe për dy sulmuesit që do të jenë Xhejms dhe një mes Renatinjos dhe Plakut.