Rendesia dhe karakteri i Pashallekut te Shkodres

Dëshmitë shkodrane të kohës, të shkruara dhe gojore, duke e cilësuar Kara Mahmudin “asllan i Shkodrës” e “i madhi Kara Mahmud Pasha” dhe duke e krahasuar atë “me të shkëlqyeshmin Kastriot”, tregojnë konsideratën që shkodranët bashkëkohës kishin për të. Vrasja e tij u prit me keqardhje të veçantë në Pashallëkun e Shkodrës e në Mal të Zi dhe u konsiderua si fatkeqësi për vendin. Kurse dëshmitë e huaja bashkëkohëse, duke theksuar se Kara Mahmudi “e mbajti vendin të pavarur gjer në atë shkallë sa u duk se synonte të bëhej sundimtar absolut”, ose se “talenti i tij, trimëria e tij, pasuria e tij dhe bindja e popullit që sundonte, kanë treguar përherë pavarësinë e vërtetë të tij”, nxjerrin në dritë se konsiderata e popullit për “Vezirin e Shqipërisë” lidhej kryesisht me veprimtarinë politike të ndjekur prej tij e, në radhë të parë, me qeverisjen e pavarur të Pashallëkut të Shkodrës.
Kara Mahmudi kishte bërë për vete shumicën e popullsisë të Pashallëkut të Shkodrës, e cila e mbështeti atë fuqimisht dhe i doli zot duke rrëmbyer armët në çastet më të vështira të konfliktit të armatosur me pushtetin qendror e rivalët e vet brenda vendit. Kjo tregon se veprimtaria politike e tij pasqyronte aspiratat themelore të kësaj popullsie, për të jetuar e pavarur nga pushteti i Stambollit dhe se lufta e banorëve të Pashallëkut të Shkodrës, të udhëhequr prej Kara Mahmudit ishte vazhdim i luftës së popullit shqiptar kundër zgjedhës së huaj osmane. Pra, synimi përfundimtar i veprimtarisë së tij politike ishte dobësimi e çrrënjosja e pushtetit qendror të sulltanit në Pashallëkun e Shkodrës dhe zëvendësimi i tij me pushtetin e përqendruar të Kara Mahmudit. Me fjalë të tjera, Pashallëku i Shkodrës të shndërrohej në një shtet feudal shqiptar të pavarur ose dhe vasal të ndonjërës nga Fuqitë e Mëdha të Evropës, siç treguan projektmarrëveshjet me përfaqësuesit e Rusisë dhe të Austrisë.
Kara Mahmudi arriti të dobësonte në një shkallë të theksuar pushtetin qendror të sulltanit në Pashallëkun e Shkodrës. Brenda këtij pashallëku veprohej kryesisht sipas urdhrave të pashait shkodran, të cilat ishin të detyrueshme për të gjithë banorët, madje edhe për shtetasit e huaj, ndonëse konsujt e tyre protestonin kur ato urdhra nuk përputheshin me marrëveshjet e përfunduara midis qeverive të tyre dhe Portës së Lartë. Kara Mahmudi hyri në bisedime për marrëveshje ushtarake e politike me fuqitë e krishtera, armike të Perandorisë Osmane dhe, në kundërshtim me ndarjen administrative të saj e pa pëlqimin e Stambollit, shtriu pushtetin e vet në sfera administrative-ushtarake të tjera nga ato që i takonin si pasha e si vezir. Këto e të tjera veprime si këto, ashtu dhe qëndresat e armatosura kundër ushtrive qeveritare që u dërguan kundër tij, treguan se Bushatlliu kishte marrë rrugën drejt pavarësisë, se ai kishte krijuar një sundim efektivisht autonom në zotërimet që përfshinin Shqipërinë Veriore e Verilindore ose mbarë Gegërinë. Vdekja e tij e parakohshme (1796) nuk e lejoi të realizonte deri në fund synimin për shndërrimin e pashallëkut të tij në një shtet shqiptar, qoftë edhe tributar apo vasal ndaj Perandorisë Osmane ose ndaj ndonjë shteti evropian.
Megjithëkëtë, rezultatet kryesore të veprimtarisë politike të Kara Mahmud Pashës, përhapja e forcimi i lidhjeve ekonomike midis krahinave të Shqipërisë Veriore e Verilindore dhe bashkimi i tyre nën pushtetin e një familjeje të fuqishme feudale shqiptare ishin dy hapa të mëdhenj përpara drejt krijimit të shtetit kombëtar shqiptar. Prandaj veprimtaria e Bushatlliut shënoi një kthesë me rëndësi në historinë ekonomike e politike të Shqipërisë.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama