Para dy vjetësh, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së bamirëses shqiptare, kjo revistë i kushtoi një numër special, ndërsa disa dekada më parë, “Time” botoi në faqen e parë fotografinë e Nënës Terezës dhe shkrimin me titull: “Mother Teresa, Living Saint” (Nënë Tereza, Shenjtëreshë e Gjallë). Në kopertinën e ilustruar të kësaj reviste janë botuar fotografitë e 13 personaliteteve më të shquara gjatë gjithë historisë njerëzore. Mes tyre edhe fotografia e Nënë Terezës. Hyrjen e kësaj reviste prej 124 faqesh e ka shkruar profesor Douglas Brinkley, një historian i njohur amerikan. Revista në fjalë shkruan gjerësisht për Konstandinin e Madh, por qysh atëherë e deri sot, përveç Nënës Terezës nuk përmendet asnjë personalitet me rëndësi nga Ballkani.
Duke u ndarë në katër kapituj, në kapitullin e parë që mban titullin “Shtyllat e Moralit”, përfshihet edhe Nënë Tereza. Veprimtaria e tyre shpjegohet me këto fjalë: “Ata hoqën dorë nga dëshirat politike dhe joshjet për pasuri, vazhduan udhën e heshtjes, të prirë nga thirrja e shpirtit. Ata janë shenjtër e profetë, qëllimi i të cilëve nuk është kjo botë”. Kapitulli “Shtyllat e Moralit” fillon me Abrahamin dhe vazhdon me Konfucien, Budën, Sokratin, Platonin, Jezu Krishtin, Shën Palin, Muhamedin, Xheladin Rumin, Shën Françeskun e Asisit, Immanuel Kantin dhe Nënën Terezën.
Në faqen e fundit të këtij kapitulli figurojnë emrat e kinezit Lao Tzu, Shën Augustinit dhe Papa Gjon Palit të Dytë. Ata cilësohen si tre misionarë që kanë përhapur mesazhin e tyre nëpër botë. Në faqen 18 është fotografia dhe biografia e Nënës Terezës. Ndërsa kur është fjala për çështje shpirtërore të botës së krishterë, revista “Time” e vendos Nënë Terezën në vendin e katërt, menjëherë pas Jezu Krishtit, Shën Palit dhe Shën Françeskut.