Renia dhe ngritja e shahut

Renia dhe ngritja e shahut
“Shahu ka vdekur.” Këtë e thonë të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, në ambientet e shahut. Të rinjtë nuk motivohen. Përvoja e të rriturve nuk i bën optimistë. Shpërblimi për atë që rrëmben trofenë e vendit të parë në një kampionat për të rritur nuk e kalon shifrën 30 000 lekë.

Femrat dhe meshkujt e rinj që fitojnë titullin kampion nuk marrin më shumë se 10 000 lekë. Kampiones së të rriturave në vitin 2005 iu akordua një shumë mujore prej 10 000 lekësh, që e mori për 3 vjet. Kurse kampionia e të rejave në këtë kohë merrte 5 000 lekë çdo muaj. Në këto kushte, nuk është çudi që në kampionatet e femrave titulli të shkëmbehet mes të njëjtave shahiste. Janë vetëm 5 të rritura që marrin pjesë në çdo kampionat, kurse të rejat afrohen shumë pak. Numri i pjesëmarrëseve në kampionatet e femrave vitet e fundit ka shkruar deri në 10. Mungesa e financave pengon në rrugën drejt formimit të mëtejshëm të shahistit të ri, në trajnimin e rregullt, në konsultimin me literaturën e kohës dhe pjesëmarrjen në kampionate jashtë vendit.

Kujtojmë që ka edhe nga ata ‘aventurierë’, siç cilësohen nga shumica, që sakrifikojnë kursimet për të qenë pjesë e një gare ndërkombëtare. Përse shahu është në këtë gjendje? Buxheti i Federatës Shqiptare të Shahut (FSHSH) që akordohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ulet përvit. Më 2011-n ishte 1 700 000 lekë, ndërsa këtë vit shkoi në 700 000 lekë. Çfarë do të paguhet më përpara? Administrata? Kampionatet brenda apo jashtë vendit? Stimujt për shahistët?… Situata është e njëjtë me të gjitha llojet e sporteve në Shqipëri, duke e lënë mënjanë futbollin.

Planet

Në këtë gjendje problematike vjen një lajm pozitiv: përfshirja e shahut në programet e shkollave. Zhvillimi i Kampionatit Botëror të Femrave në muajin nëntor në Tiranë, që në fakt ishte një matç mes shahisteve Hou Yifan dhe Humpy Koneru, solli zhvillime të reja. Dy njerëz, ish-presidenti i ish-Bashkimit Sovjetik, Mihail Gorbaçov dhe presidenti i FIDE-s (Federata Botërore e Shahut), Kirsan Ilyumzhinov, të ftuar në ceremoninë e dhënies së titullit, u ndalën te projekti i mësimit të shahut në shkolla shqiptare. Biseda u zhvilluan në Tiranë në kohën e matçit edhe me përfaqësues të tjerë të FIDE-s, zëvendëspresidentët Beatriz Marinello dhe Ali Nihat Yazici dhe me sekretarin e përgjithshëm, Georgios Makropoulos.

Kjo tregon se FIDE po i kthen sytë edhe nga Shqipëria! Këto kohë pritet që Federata Botërore dhe Federata Shqiptare e Shahut të nënshkruajnë një marrëveshje për realizimin e projektit të mësimit të shahut nëpër shkolla. Do të ndiqet e njëjta praktikë që është aplikuar në fund të vitit të kaluar nëpër shkolla në Australi, Indi, Kazakistan, Nepal, Paraguaj, Peru, Afrikë e Jugut, Uruguaj dhe Azerbajxhan, një nga vendet që sjell në kampionatet botërore të shahut mjeshtra të nivelit të lartë.

FIDE do të sigurojë bazën materiale (komplete shahu, metoda, mjete didaktike) dhe trajnimin e mësuesve të fizkulturës, të cilët do angazhohen me mësimin e fëmijëve të klasave të para. Mësuesit do ndihmohen edhe nga specialistët e shahut. Në projekt angazhohet edhe mjeshtri i madh Erald Dervishi.

Specialisti Kristaq Andoni, i cili ka afro një dekadë që merret me projekte për të rinjtë,

beson te vizioni që ka për zhvillimin e shahut presidenti aktual i FSHSH-së, Rezart Taçi. Këto kohë që ai drejton federatën, shpërblimet e shahistëve janë rritur dhe këtë vit u bë i mundur zhvillimi në Tiranë i Kampionatit Botëror të Femrave.

Ata që do t’u mësojnë shahun fëmijëve të shkollave nëntëvjeçare, do të bazohen fillimisht në metodat që kanë ardhur tanimë në gjuhën shqipe.

Sipas specialistëve, një dorë për organizimin e aktiviteteve mund të japë edhe Bashkia e Tiranës, duke përfshirë në kalendarin vjetor olimpiada e maratona. Një nismë e tillë do t’i mbante larg nxënësit e shkollave nga aktivitetet që vetëm mpijnë trurin.

Për çfarë i ndihmon shahu të rinjtë? “Kjo lojë zhvillon te ai që e luan virtytet më të mira që i nevojiten për jetën, vëmendjen, përqendrimin, mosshkurajimin në situata të vështira, aftësinë për të marrë shpejt vendime në kushtet e shtërngesës së kohës, guximin për të rrezikuar me qëllim arritjen e fitores. Zhvillon kujtesën, aftëson për të analizuar, mpreh logjikën dhe kultivon ndjenjën e së bukurës. Jo më kot, kompozimet e shahut, ashtu si etydet dhe problemat, i krahasojnë me veprat e bukura në fushën e arteve”, i jep një përgjigje kësaj pyetje mjeshtri Fatos Omari në parathënien e një prej librave të shqipëruar.

 Librat

Janë botuar dy tekste teoriko-praktike: “Udhëtim në Mbretërinë e Shahut”, pjesa e parë për fillestarët i bashkautorëve Jurij Averbah dhe Mihail Bejlin, i përshtatur në shqip nga Fatos Omari (shahisti u nda nga jeta vitin e kaluar) dhe një guidë praktike me problema dhe udhëzime për ata që e prekin tabelën për herë të parë. Libri ka për qëllim jo vetëm t’u mësojë të rinjve gjuhën e figurave dhe rregullat e kësaj disipline, por edhe t’u nxitë imagjinatën në veprimet strategjike. Omari e ka vuajtur vetë mungesën e librave para viteve ‘90. Në atë kohë ekzistonin vetëm pak tekste që vinin nga Bashkimi Sovjetik.

Pas guidës “Udhëtimi…”, më 2010-n u botuan: “Si të luajmë hapjen” Aleksei Suetin, “Strategjia” Volcjok, kurse gjatë vitit të kaluar erdhën në shqipe: “Plani në lojën e shahut” Judoviç, “222 Problema dhe Etyde të Zgjedhura Shahu” Semi Numani-Kristaq Andoni, pjesa e dytë e librit “Udhëtim në Mbretërinë e Shahut” i përgatitur nga Andoni e Numani, “Bota magjike e kombinacioneve” Koblenz dhe një libër i bazuar te retrospektiva, që u shërben më tepër profesionistëve dhe veteranëve, ai me titull: “Shahu shqiptar në vite”, me autorë Andonin dhe Muharrem Ibrahimin. Këto botime janë shpërndarë pjesërisht nëpër bibliotekat e shkollave. Në muajin prill, kohë kur zhvillohet edhe Kampionati i Moshave, do shpërndahen edhe në bibliotekat e 65 shkollave të Tiranës. Për këtë proces do të ndihmojë edhe Ministria e Arsimit.

 Retrospektivë

Historiku i shkurtër i nismës së ndërmarrë për angazhimin e fëmijëve dhe të rinjve në shah nis në vitin 2004. Në këtë vit FSHSH me president Vasil Gjikën mori përsipër organizimin e disa aktiviteteve për stimulimin e të rinjve. Në ‘ekipin e punës’ bënin pjesë edhe anëtarët e kryesisë së asaj kohe, Kristaq Andoni dhe Semi Numani, kurse jashtë kryesisë, mjeshtrat Ilir Karkanaqe, Ilir Seitaj, Fatos Omari dhe shahisti Arian Bllaca. U bë një Kampionat i të Rinjve, që më tepër u duk se ishte për të plotësuar kalendarin, sepse nuk arriti synimin që mendohej. Interesi i të rinjve për shahun – jo se ka munguar ndonjëherë – është testuar në kampionatin e parë të shkollave, në vitin 2006, i organizuar te salla e shahut, pranë stadiumit “Qemal Stafa”. Morën pjesë 440 nxënës të shkollave 9-vjeçare. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte spikatja e talenteve që do të bëheshin pjesë e Akademisë së Shahut. Në praktikë ajo që u mendua fillimisht si akademi, ishte një strukturë pa themele (pa drejtues, administratorë, ekspertë, programe, bazë materiale). Edhe kjo nismë dështoi. Aktiviteti më i afërt, që duket se shtyu më tepër organizatorët për të vijuar përpjekjet për angazhimin real në praktikë të të rinjve në shah, ishte Maratona e Shahut, e organizuar këtë vit në ambientet e kolegjit “Turgut Özal”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama