Tipi i radhës së qumështit - ky sillej në bidonë alumini të trashë që duke i parë sot, kur thuajse nuk i gjen më në qarkullim, do mbash mend kuajt, frymën e ngrohtë që iu dilte nga trupat kockë e lëkurë, të kapur me litarë në dy hunj paralelë që krijonin turirin e karrocës së qumështit; do kujtosh fëmijët që me kërcim hidheshin në anën fundore të rrotave, tundeshin e shkundeshin një copë rrugë dhe zbrisnin pa i parë karrocieri. Tipi i radhës për bulmetrat, i radhës së perimeve në merkato që të zbrazura krijojnë situata pa kuptim. Njerëzit në pritje duken si të papunësh apo në pritje mos diçka do të ndodhë, përndryshe përse duhet të presin para rafteve dhe arkave bosh! Pas blerjeve në radha, vjen tradita e gatimit në banjë: një stol në shesh, një rrugicë për këmbët e gruas, një tavë për lakrën, qepën dhe ndonjë perime me ngjyrë, dhe tenxherja mbi flakën e furnelës me vajguri. Edhe ky objekt të ndjell erën e fitilave me rripa kanatieresh ose strazho shoferësh që duheshin futur një më një në grykën me njëzet vrima të furnelës.
Kuptimi i radhës së vajgurit përfundon tek kjo tenxhere me sfond WC-në.
Mbërritja e gjërave të ndaluara. Cikli me këto skena të jetës së përditshme në Tiranën e vitit 1990, hap ekspozitën e Xhengos e cila i kushtohet ngjarjeve historike që erdhën në fund të atij viti. "20-vjetori i pluralizmit dhe rënies së simboleve komuniste" është një titull shumë epik krahasuar me heroizmin parodik të shqiptarëve në radha për ushqim.
Njëherë tjetër, albumin që botoi me foto të kësaj klime, Xhengo i vë periudhës një titull romantik-patriotik "Ringjallja - Shqipëria në vitet '90". Ish-fotoreporteri i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, sot 67-vjeçar, e hap ekspozitën në Muzeun Historik Kombëtar, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, "për të sjellë në memorien e qytetarëve të Tiranës kalimin nga njëri te tjetri sistem, nga ai i diktaturës së proletariatit në atë që jemi sot, të demokracisë. Ka fotografi përfaqësuese të këtyre ngjarjeve dhe të proceseve demokratike që u realizuan nga viti 1990-1992."
Gani Xhengo e ka filluar këtë profesion që më 1970, po studimet i kreu në për Drejtësi. Ai tregon: "Kisha një perceptim të situatave të reja që po afronin por edhe të ndryshimeve politike që do të ndodhnin.
Sipas këtij vizioni detyra ime si fotograf ishte që të paraprija dhe të merrja një vendim që çka po ndodhte ta fotografoja. Por meqë unë punoja në një institucion të politizuar si Agjencia Telegrafike Shqiptare, që ishte institucion i shtetit dhe zëdhënës i politikës së mëparshme, kishim një lloj censure. Porosia për ne ishte: mos dilni të fotografoni. Ishim katër fotoreporterë. Nuk arrita të fotografoja hyrjen e njerëzve në ambasada. Siç e shihni kam gjithsej 3 fotografi mbi ngjarjet e 2 korrikut, të cilat tregojnë njerëzit që përndiqeshin nga forcat e rendit për të mos hyrë në ambasada.
Pastaj nga dhjetori e në vazhdim në mënyrë kronologjike këtu ngjarjet janë." Janë ato tregime për gjërat e ndaluara të shqiptarëve: institucionet dhe ritualet fetare dhe kapërcimi i detit. Mesha e parë në kishën françeskane në Tiranë. Dhjetor 1990. Pater Zef Pllumi, që prej viteve pesëdhjetë, nuk kishte qenë kaq afër besimtarëve katolikë, në kishë. Dhjetor 1990. Hapet xhamia e Et'hem Beut. Haxhi Hafiz Sabri Koçi mban mevludin e parë. Ai duket në mbret i përkulur në këmbët e besimtarëve në atmosferë shkëlqyese brenda xhamisë.
Nga salla shkencore e Bibliotekës Kombëtare Gani Xhengo, ka fotografuar turmën e besimtarëve myslimanë mesin e të cilës e përshkon një shtizë, minareja më në fund e shfaqur. "Duket që mohimi i besimit i ka ndrydhur dhe rrudhosur njerëzit. Duket trysnia e mohimit të fesë, por ama erdhi një moment që këta njerëz e fituan atë të drejtë." Dhjetor 1990. Statuja e Stalinit e përmbysur te këmbët e njerëzve, në qendër të Tiranës, pranë Hotel Dajtit. Ajo statujë që rrinte aty ku erdhi heroi kombëtar Skënderbeu.
Pastaj tregimi vazhdon se si njerëzit zbritën nga Qyteti i Studentëve dhe më 20 shkurt në shesh u përmbys shtatorja e Enver Hoxhës. Vetëm seria e këtyre fotove është me ngjyra. Në të njëjtin shesh, qytetarët e Tiranës kërkojnë në qershor 1991, dorëheqjen e qeverisë së Fatos Nanos. Ky i shfaqet në foto në parlament. Është çasti i parë i hapjes së parlamentit pluralist. Opozita është çuar në këmbë, Nano me të vetët ulur. Opozita propozon një minutë heshtje për martirët e demokracisë në Shkodër. Dhe pjesa tjetër nuk reagon. Ata që ishin dje në opozitë, sot ndodhen pozitë. Ka kërkuar jo pak herë një minutë heshtje deri në tri ditë zie kombëtare për tragjeditë i kanë ndodhur vendit në vite. Anija "Vlora", 7 gusht 1991. Gani Xhengo e përshkuan me këto fjalë historinë e saj: "Në gusht shkuan brenda një dite 25 mijë shqiptarë drejt brigjeve të Italisë.
U mbush anija deri në majë. Si ato shpendët që rrinë majë direkëve, edhe shqiptarët ashtu siç duken në këto fotografi. Fill mbas kësaj provuan një trajtim jonjerëzor në Itali. Dhe menjëherë mbas gushtit, në shtator, kthehen me helikopter, një kthim i detyruar. I shikoje me duart në bark, të pangrënë, të uritur, të zhveshur."
Ekspozita e cila u hap dje e përuruar nga autoritetet e pozitës dhe qëndron në Muzeun Historik Kombëtar edhe në tri ditët e ardhshme, ka një pjesë tregimi për Shqipërinë e sotme.
Ngjyrat e rrugës së kombit, ndonjë plazh i pastër, e ndonjë brinjë e pazaptuar gjiri. Ish-fotoreporteri tregon: "Në dy vjet, në një hark kohor kaq të shkurtër, kanë ndodhur kaq shumë ngjarje të forta historike. Sot them: historia e shqiptarëve është plotësuar, është plotësuar edhe koha e humbur e atyre viteve, 50 vite, gjysmë shekulli, brenda këtyre 20 viteve që për ne janë shumë për shkak të konfliktualitetit të vazhdueshëm politik. Të them të drejtën këto konflikte që ikin e vijnë mua nuk më interesojnë. Ajo që dua të sjell, të tregoj është që ne kaluam nëpër këtë histori. Gjithsesi u arrit që kombi ynë të futet në hullinë e shoqërive të tjera në Evropë. Këto procese, ky zhvillim është pozitiv për shqiptarët."