Në përfundim të presidencës 6-mujore të Italisë për BE, kryeministri italian Matteo Renzi ka mbajtur një fjalim në Parlamentin Europian ne Strasburg, ku ka shprehur qëndrimin e tij pro integrimit të Shqipërisë dhe vendeve te tjera te Ballkanit në Bashkimin Europian.
“Europa nuk mund të bëjë dot pa Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi dhe nuk mund të lejojmë që ky diskutim mbi zgjerimin të udhëhiqet nga frika e pasiguria. Në të kundërt, do të mbetemi në fund të botës që ndryshon me ritme të shpejta”, tha Renzi. Renzi ka vlerësuar kontributin e Italisë gjatë 6 muajve të kryesimit të presidencës së BE në përpjekje, siç u shpreh, për t’iu rikthyer shpresën gjeneratave të reja. Nga ana e tij, kryeministri shqiptar, Edi Rama e ka shprehur falënderimin për homologun italian përmes një mesazhi në Twitter.
“Falenderime Matteo Renzit për fjalimin e shkëlqyer në Strasburg. Europa duhet të japë fund frikës përpara se të jetë vonë”, shkruan Rama në Twitter.