Replikat me pulle te kuqe Cani Berisha si qen i rrahur Ish-kryeministri Je horr i vogel

Replikat me pulle te kuqe, Cani: Berisha si qen i rrahur, Ish-kryeministri: Je horr i vogel

Ndonëse më pak se një seancë më parë, sërish dje në Kuvend ka pasur fyerje mes deputetëve të dy krahëve politikë. Temperaturën më të lartë e kanë pasur sërish batutat mes ish-kryeministrit Berisha dhe ministrit të Financave, Cani. 

Sherefedin Shehu: Në faqen 16 të marrëveshjes thuhet se, autoritetet bien dakord me rregullimet fiskale. Po të shikosh listën e taksave, ato janë të gjitha që bien në kurriz të qytetarëve, janë taksa mbi konsumin dhe taksa indirekte. Midis taksave në këtë tabelë është dhe ajo për kufirin.

Braçe: Nuk ka asnjë tabelë.

Shehu:  …Lëvizjen e lirë të shqiptarëve tashmë do e zëvendësojë taksa e izolimit. Në këtë marrëveshje parashikohet bllokimi i rritjes së pagave, por më e keqja është edhe rritja e moshës së pensionit.

Dule: Edhe me tolerancën që kërkuat koha mbaroi. Ju lutem shumë, konkludoni.

Shehu: Ju zbatoni rregulloren, mos krijoni konfuzion, nuk je pronar, por moderator i seancës.

Dule: Nuk ka arsye për të krijuar pështjellim që mund dhe duhet të jetë cilësor. Mos më detyroni që teknika të heqë mikrofonin.

Spaho kërkon fjalën.

Dule: Nuk ka ndërhyrje kur dikush është duke diskutuar. Do vijmë dhe tek ajo pikë. Pasi të mbarojë kolegu, do merrni fjalën.

Shehu: Se kur konkludoj, e di unë, ju më jepni fjalën. Kjo është e papranueshme, bllokon fjalën, nuk vjen e keqja nga fjala. Ti mbaj atë karrige aty se e ke tepër, se nuk je as për atë.

Spaho: Debati pa kuptim sa kohë që Rregullorja përcakton kohën në rast ratifikimi të marrëveshjeve, neni 48…kjo është marrëveshje ndërkombëtare, për këtë arsye koha është 20 minuta.

Dule: Që fjala të dëgjohet dhe respektohet, duhet që dhe ne të respektojmë afatet. Kemi të bëjmë me projektligj për huamarrje, projektligj që kërkon shumicë të thjeshtë. Referimi në pikën 2, neni 48 nuk është relevante për këtë çështje.

Topalli: O injorant, shiko Rregulloren.

Dule: Zonja Topalli, nuk po ua kthej shprehjen, por mësoni të respektoni tempullin që keni drejtuar prej 8 vjetësh. Në këtë tempull populli nuk ka dërguar injorancë dhe injorantë. Këtë duhet ta kuptoni njëherë e mirë. Dhe gishtin tregues nuk është vendi për ta drejtuar në atë mënyrë. Ju lutem shumë…

Mediu: Kjo është negative…

Braçe: Projektligji që kemi përpara është një ligj krejt i zakonshëm…

Reagon Mima

Braçe: Mbylle tani, aman mo, karagjoz. Të procedojmë rregullisht, asnjë nen në rregullore.

Topalli kërkon fjalën.

Dule: Zonja Topalli, besoj se duhet ta kishit mësuar e para, për procedurë shtypet butoni.

Halimi: Kjo marrëveshje, kjo huamarrje është me kontratë apo jo? Nëse doni t’u thoni shqiptarëve se kjo qeveri ka luajtur mendsh dhe ka marrë borxh pa kontratë, kjo pastaj është çmenduri. Mos çudisim të madh e të vogël, se bëhemi kot qesharakë.

Dule: Moderoni terminologjinë e përdorur. Në këtë parlament nuk ka as qesharakë, as injorantë, ka përfaqësues të popullit

Bylykbashi: Nuk po them injorancë, edhe pse në rastin konkret terminologjia e parashikon. Padija e ligjit nuk është arsye për moszbatimin e tij…

Balla: Është qesharake kjo që po ndodh, sepse nuk ndajnë ratifikim me miratim. Nuk po ratifikojmë, por po miratojmë një projektligj, për këtë e drejta për të folur 10 min. Doja t’ju tërhiqja vëmendjen, respektoni Rregulloren. Ish-spikerja iu drejtua drejtuesit të seancës me fjalën ‘injorant’. Neni 64 i Rregullores, të paktën pikën 1, t’i tërhiqni vëmendjen zonjës në fjalë, të të vijë turp zonjë, kërko falje!

Topalli: Si zakonisht, nuk do u kthej përgjigje atyre që marrin fjalën për të sharë e për të fyer.

Balla: Çfarë shava unë moj?

Topalli: Kemi të bëjmë me një marrëveshje ndërkombëtare, që sipas Kushtetutës diskutohet për të me dyfishin e kohës. Unë nuk do e quaja injorancë, por mosnjohje e mungesë eksperience, ndaj dhe zoti kryesues i Kuvendit, nuk dua t’ju sugjeroj, thjesht po ju them lexoni Rregulloren dhe Kushtetutën. Nëse gjeni referencë ligjore, ju kërkoj ndjesë.

Dule: Ka konflikt interesi të debatojmë kur është drejtuar më mirë Kuvendi, tani apo më parë, një pikë referimi janë raportet ndërkombëtare.

Halimi kërkon fjalën.

Dule: Nuk mund të kërkoni fjalën dy herë për procedurë për të njëjtën çështje.

Topalli: Lexo nenin.

Shehu: Nuk mund të qeverisen me marifete, luajnë me fjalët, sepse shqetësimi i tyre është të marrin huanë, pra të kalojnë lumin. Çdo ditë në media thuhet e morën huanë. Kjo kredi nuk ka shanse të merret pa kaluar procedurat. Marrëveshja thotë do rritet çmimi i energjisë, do jetë 67 pensioni për burrat dhe 65 për gratë…

Dule: Zoti Cani ka fjalën.

Halimi çohet, kërkon fjalën.

Braçe: Lëre tani more!

Dule: Zoti Halimi, nuk e keni fjalën, e ka ministri i Financave.

Halimi: Në emër të grupit…

Dule: Nuk mund ta merrni fjalën kur i është dhënë një kolegu a ministri. Ju lutem shumë.

Topalli: Me Kushtetutë, lexo nenin.

Dule: Nuk ndërpritet fjala e një diskutanti.

Topalli: Lexo një nen të Rregullores ku bazoheni.

Dule: Zonjë e nderuar, kur fjala i është dhënë një kolegu, nuk ndërpritet për t’ia dhënë as një kryeministri, një kolegu deputet apo një kryetari grupi. Largohuni nga podiumi, podiumi jepet, nuk zaptohet.

Topalli: O Vangjel, mos vepro kështu, po merr një kosto që nuk të takon.

Dule: Fjalën e ka ministri i Financave. Kërkoni artificialisht të tensiononi zhvillimin e seancës.

Halimi: Gjysmë ore kohë për të bërë mbledhje grupi të PD-së.

Dule: 10 minuta pushim.

Braçe i drejtohet Mimës: Na, tregoja atij çfarë është marrëveshja.

Halimi: Janë marrë lekët.

Braçe: Ku i ke lekët more?

Rifillon seanca

Halimi: Çdokush që hipën në atë karrige betohet për Kushtetutën.

Mediu: Ky parlament nuk mund të jetë pa gojë, duke i mbyllur gojën opozitës dhe pa vesh, duke mos dëgjuar shqetësimet.

Pollo: Zoti Meta, në fillim të seancës mblodhi Konferencën e Kryetarëve dhe tha se amendimet e paraqitura nga opozita ishin jo në përputhje me Rregulloren, sepse kemi të bëjmë me një marrëveshje huamarrëse dhe jo me një projektligj. Dhe patëm një debat për këtë dhe nuk ramë dakord, por mua dhe atyre që ishin të pranishëm në mbledhje nuk na shkoi mendja që një e drejtë e stabilizuar që prej 23 vitesh do cenohej në këtë seancë.

Dule: Referencat që vutë në gojën e zotit Meta, nuk qëndrojnë.

Bregu: Ju sugjeroj, kryetar i seancës, për aq kohë sa ju lanë juve barrën t’i kufizoni fjalën opozitës, sa kohë që ju lanë ju, ju kërkoj ndjesë për shprehjen, por nuk më vjen fjalë tjetër në mendje, qesharak në drejtimin e Kuvendit për të thënë është apo nuk është marrëveshje…

Dule: Kur një terminologji e tillë përdoret ndaj podiumit, pavarësisht se kush është në drejtimin e seancës, terminologjia e tillë bën rezonancë dhe kthehet zakonisht në drejtimin e përdoruesit.

Cani: Zoti Berisha, në fillimet e veta të kësaj pune guxoi ta artikulojë FMN-në si dëshmitar të rremë, por shpejt u zbyth si qen i rrahur, nuk dihet kush ia tërhoqi veshin.

Reagojnë deputetët e PD-së, u bien tavolinave…

Berisha: Nuk dola t’i përgjigjem qeverisë se më erdhi ndërmend një frazë, një qyqar me një gomar vjedhin një thesar, nuk kemi çfarë t’i themi. I kuptojmë se bosi i tij përdori gjithë fjalorin e paimagjinueshëm, i tmerruar nga kjo marrëveshje. Ai për pozicionin që ka i takon të jetë një kryehorr, ti je një horr i vogël.

Dule: Zoti Berisha, ju lutem.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama