Reportazh/ Sihariqi i Partizanit nga Danubi ne Danub (FOTO)

Reportazh/ Sihariqi i Partizanit, nga Danubi në Danub (FOTO)

Mesditë, 6 korrik. Buzë Danubit, në Bratislavë, stafi drejtues i Partizanit ishte duke diskutuar për ndeshjen e së nesërmes me Slovanin vendës.

Sormani duke dhënë dhëzime në seancën e djeshme në Sllovaki

Sormani duke dhënë dhëzime në seancën e djeshme në Sllovaki

Mjaftonte një barazim me gola dhe po hipotezoheshin të gjithë skenarët e ndeshjes. Rreth 90 kilometra më larg, në qytezën e Senicës, futbollistët po përgatiteshin të shkonin në stadium për të zhvilluar seancën stërvitore.

Donin të njiheshin me terrenin, ku afro 24 orë më pas do luftonin për një biletë të vështirë kualifikuese. Dreka e drejtuesve dukej se u mbyll me shumë dilema, por akoma më tepër optimizëm.

Dallohej qartë se ishin të gatshëm për të festuar edhe një kualifikim të mundshëm, ndonëse logjika apo llogaritë në letër nuk i jepnin favorizim. Duke u larguar nga restorantet buzë Danubit, për të gjetur taksi për t'u rikthyer në hotel, po diskutohej edhe për Skënderbeun. Vendimin e KAS-it për të lënë në fuqi pezullimin e UEFA-s.

Lojtarët duke u akomoduar në hotel

Lojtarët duke u akomoduar në hotel

Vetëm një orë para kishin mbajtur edhe një qëndrim zyrtar, duke pritur reagimin e FSHF-së. Ndërkohë që po prisnin taksitë, mes grupimit të drejtuesve, vjen një lajm që shumë pak e besuan në fillim.

"Partizani do luajë në Champions. U anulua ndeshja me Slovanin", tha dikush pas një telefonate me një "burim" nga Tirana. Duke e shoqëruar me batuta dhe me dëshirën që të ishte e vërtetë, pjesa më e madhe vendosi të fokusohej te gjetja e taksisë. Nuk kaluan më shumë se 4 minuta dhe të gjithë mbetën pa frymë. E-mail nga UEFA:

"Partizani zyrtarisht në Champions". Përqafime dhe unison nga krerët e kuq: "Drejtësia vonoi, por nuk mungoi. Jemi kampionë". I harruan taksitë dhe vendosën të shkonin në këmbë në hotelin që kishin rezervuar në Bratislavë. Në fakt, ishte vetëm 10 minuta larg.

10 minuta të shoqëruara me telefonata pa fund, urime, pyetje, dilema. "Do na e japë FSHF trofeun e kampionit? Kur? Po Tirana do luajë në UEFA? Si është ekipi i Ferencvaroshit? Kur është ndeshja?".

Shumë paqartësi, por më tepër qetësi. Presidenti i "demave" udhëhiqte rrugën drejt hotelit dhe përsëriste:

"Kjo është fitore e drejtësisë. Të jesh i ndershëm, një ditë do vlerësohesh". Një rrugëtim festiv drejt hotelit. Në Senica, futbollistët kishin shpërthyer në gëzim gjithashtu.

Partizani e mësoi buzë Danubit, për t'u rikthyer sërish pranë këtij lumi. Pas pak javësh. Sërish për një ndeshje të Europës, por këtë për në Champions. Buzë Danubit në Budapest. Kundër Ferencvaroshit... Partizani në Ligën e Kampioneve...

Nga Bratislava,
FATION SHEHU



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama