Rreth 50 të rinj restauratorë nga Shqipëria, Ballkani dhe vende të ndryshme të Europës po punojnë për mirëmbajtjen dhe restaurimin e komplekseve muzealë dhe banesave karakteristike në Gjirokastër. Kjo nismë realizohet në kuadër të Kampit Rajonal të Restaurimit, inicuar nga organizata “Trashëgimia Kulturore pa Kufij “ CHwB në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës
Rreth 50 të rinj restauratorë nga Shqipëria, Ballkani dhe vende të ndryshme të Europës po punojnë për mirëmbajtjen dhe restaurimin e komplekseve muzealë dhe banesave karakteristike në Gjirokastër. Kjo nismë realizohet në kuadër të Kampit Rajonal të Restaurimit, inincuar nga organizata “Trashëgimia Kulturore pa Kufij “ CHwB në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.”Pjesëmarrësit janë ndarë ne 6 grupe, duke u përqendruar në punë me dru, me gur, me suvanë e jashtme dhe rilevime, në objekte të ndryshme të qytetit historik”, thotë Lejla Hadzic, drejtuese e CHwB. Në këtë drejtim po punohet për rilevimin e banesës Dalipi një monument i kategorisë së dytë, që gjendet ne lagjen Palorto. E braktisur për shumë vite, në mungesën e mirëmbajtjes banesa është aktualisht në gjendje shumë të keqe. Çatia, soletat, trarët e drunjtë dhe shumë elementë të tjerë të rëndësishëm mungojnë. “Hapi i parë drejt një projekti restaurimi është një rilevim i detajuar, i cili është objektivi i shtatë pjesëmarrësve të kampit që do të përbëjnë këtë grup”, thonë specialistët e CHwB. Duke përdorur mjetë e teknika të ndryshme rilevimi pjesëmarrësit po krijojnë, një dosje të plotë me të gjithë informacionin e nevojshëm për të vazhduar me një projekt të mundshëm restaurimi. Ndërkohë puna e restauratorëve të rinj është përqendruar edhe në zbulimin dhe mirëmbajtjen e pikturave murale në njërin prej godinave të gurta të Pazarit karakteristik. “Dyqani i Qemo Lanit është pjesë e kompleksit të dendur të dyqaneve të Pazarit historik, Objekti ne fjale veçohet nga të tjerët pasi është i vetmi rast ku pikturat murale ne fasade janë akoma të dukshme. Pjesëmarrësit po punojnë në këtë objekt duke restauruar suvane dhe duke u përpjekur të studiojnë motivin e pikturës dhe ngjyrat e saj”, thonë specialistët restauratorë. Një tjetër objekt i përfshirë në punën e restauratorëve të rinj është edhe kthimi në identitet i fasadës së një banese të gurtë ne lagjen Palorto. “ Banesa Kore është një monument i kategorisë së parë që ndodhet ne lagjen Palorto, një prej lagjeve me të vjetra e me të rëndësishme të qytetit. Të rinjtë po restaurojnë suvanë e fasadës kryesore duke përdorur metodat tradicionale të ndërtimit. Jashtë vëmendjes së punës së restauratorëve të rinj nuk kanë ngelur as portat karakteristike. Në këtë drejtim po restaurohet porta e gurtë e banesës Naka e ndërtuar ne 1899. “ Pjesëmarresit po restaurojnë çatinë e drunjtë të portës hyrëse kryesore. Kjo portë është një prej të paktave dyer tradicionale të mbetura të tilla e pozicioni i veçantë i saj do i japë shumë vizibilitet punës që po kryhet ne të”, thonë të rinjtë restauratorë. Një grup tjetër I të rinjve restauratorë po punon për restaurimin e murit rrethues të banesës Babameto, e ndërtuar 150 vite më parë nga dy vëllezër të një prej familjeve me të pasura ne qytet.
Nën udhëheqjen e mjeshtrave vendas me përvoje, të rinjtë po mësojnë për tekniken e realizimit të mureve rrethuese ne banesat karakteristike gjirokastritë.
Krahas punës konkrete në terren për restaurimin e shtëpive të gurta, të rinjtë pjesëmarrës në Kampin Rajonal të Restaurimit po lokalizojnë ne hartë të gjithë monumentet që tashme përballen me probleme në Gjirokastër. Përveç dokumentimit të gjendjes se tyre me ane të mjeteve teknologjike të rinjtë po analizojnë shkallen e dëmtimit dhe rrezikshmërinë që paraqet çdo objekt. “ Me anë të analizimit të çdo rasti do të arrihet të realizohet një hartë e plotë e objekteve rrënoja në qytet. Përveç realizimit të hartave ku të gjitha këto karakteristika do të paraqitën, synohet që çdo objekt të ketë një skedë individuale ku përshkruhet situata e tij. Ky rilevim do të përmbyllet me realizimin e një dosjeje të plotë ku përfshihen të gjitha të dhënat e nevojshme për tu njohur me situatën e rrënojave në qytet”, thonë specialistët e rinj. Interpretimi I trashëgimisë kulturore që ka Gjirokastra është një prej elementëve kryesorë të punës së restauratorëve të rinj. “ Interpretimi është faktor kyç ne suksesin e një projekti restaurimi ndaj, ne fokusin e punës sonë është edhe interpretimi i trashëgimisë kulturore të Gjirokastrës duke i dhënë përgjigje pyetjeve të ndryshme si: pse konservojmë Gjirokastrën? Ç’domethënie kane këto monumente për ne? Ç’histori mund të tregohen nëpërmjet këtij druri, kësaj suvaje, këtij guri?”, thonë specialistët e rinj.
Angela Civeja-restauratorja e pikturave murale
Ndërsa lëviz plot shkathtësi furçën nën sprethin e gurtë të godinës ajo largon shtresën e gëlqeres që mbulon pikturat murale. Angela Civeja është pjesë e grupit të restauratorëve të rinj që po punojnë për evidentimin e pikturave murale në godinën Lani, në Pazarin karakteristik. Ajo vazhdon studimet në degën arkeologji dhe trashëgimi kulturore në Universitetin e Tiranës. “Prej vitesh e kam vizituar Gjirokastrën si turistë ndërkohë që kësaj radhe po punoj për mirëmbajtjen e vlerave të qytetit”, thotë Angela ndërsa në fasadën e godinës së gurtë kanë filluar të shfaqën detajet e para të pikturës murale, petalet e një lule. “ Ndihem e emocionuar që po jap kontributin tim për evidentimin e kësaj pikture murale”, vijon bashkëbisedimin Anxhela ndërkohë që furça në duart e saj nuk rresh së larguari shtresën e gëlqeres nga piktura murale e cila po ravijëzohet e plotë. Pasionin për monumentet e kulturës ajo e lidh me vitet e fëmijërisë. “Që e vogël me kanë pëlqyer shtëpitë e larta, të ndërtuara me gur dhe dru ndërkohë që me kalimin e viteve ky pasion nisi të forcohej tek unë çka bëri që ti përkushtohem këtij profesioni”, pohon restauratorja e re. Për Angelën të punosh në monumentet e kulturës në Gjirokastër është një eksperiencë e veçantë. “Mendoj se pjesëmarrja në Kampin e Restaurimit është diçka e mirë për mua pasi në këtë mënyrë përfitoj një përvojë të pasur profesionale”, thotë Angela. Krahas eksperiencës profesionale gjatë pjesëmarrjes në Kampin e Restaurimit ajo veçon edhe kontaktet që ka vendosur me profesionistët e rinj jo vetëm nga Shqipëria por edhe vendet e Ballkanit dhe të Evropës.
Komuniteti vlerëson restauratorët e rinj
Pronarët e banesave karakteristike si dhe banorët e qytetit të Gjirokastrës vazhdojnë të vlerësojnë organizimin e kampeve të restaurimit në qytëtin e gurtë. Një vlerësim të veçantë gjirokastritët shprehin për të rinjtë restauratorë që kontribuojnë për mirëmbajtjen dhe restaurimin e monumentëve të kulturës. Pronarja e banesës Kore, në lagjen Palorto, monument kulture në të cilin po punojnë restauratorët e rinj vlerëson punën e Kampit të Restaurimit. Hedo Kore, thotë se, të rinjtë po punojnë plot dëshirë dhe pasion për mirëmbajtien e fasadës së shtëpisë së gurtë. “Gjatë viteve të fundit shtëpia ka pasur disa probleme përsa i përket shembjes së fasadës, thotë Hedua, por puna e këtyre të rinjve po ndihmon për restaurimin e këtyre dëmtimeve”. Ajo shton se tashmë edhe djali i saj, Egli, është bërë pjesë e grupit të të rinjve duke kontribuar për mirëmbajtjen e shtëpisë së gurtë. Vlerësim për Kampin e Restaurimit shprehin edhe banorët që jetojnë pranë banesës Dalipi, e cila po i nënshtrohet rilevimit. “Puna e këtyre të rinjve do të ndihmojë në ringritjen e godinës së gurtë dhe vlerave të saj”, thotë Haxhi Kotoni, banor i lagjes Palorto.