Libraria e Lisbonës, “Bertrand”, është hapur në vitin 1732. Ka përjetuar tërmete, revolucione, por edhe krizën e fundit ekonomike. Megjithatë, në Portugalinë e goditur nga kriza, pronarët e saj janë optimistë se do të rriten të ardhurat. Ajo që njihet si libraria më e vjetër në botë që ka punuar pa ndërpreje. Gjendet në kuartin e hijshëm, “Chiado”, pak minuta nga rruga që të çon për në Operën Kombëtare, apo në kafenenë e njohur "A Brazilijera", para dyerve të së cilës zë vend shtatorja e bronztë e poetit më të njohur modern të Portugalisë, Fernando Pessoa.
"Libraria ka qenë gjithmonë një vendtakim i intelektualëve dhe i letrarëve portugezë”, thotë Katarina de Novais, drejtoresha e shitjeve e shtëpisë botuese dhe rrjetit “Bertrand”, një kompani moderne që e ka marrë emrin e librarisë. Katarina rri para rafteve të restauruara prej druri, në hyrje të librarisë 282 vjeçare. Rinovimi i plotë do të përfundojë këtë vit. Po ashtu planifikohet që të hapet një kafene e re që do të shpërbejë për organizimin e aktiviteteve të ndryshme.
Gjuha, si problem
Tregu i librave në Portugali është goditur keq nga kriza. Prej vitit 2004 janë mbyllur gati një e pesta e librarive. Të hyrat nga shitja e librave vitin e kaluar kanë shënuar rënie deri në 4.6 për qind. Për masat e ashpra të kursimeve që Portugalia ka qenë e detyruar t’i aplikojë prej fillimit të krizës shtetërore në vitin 2011, më së shumti e ka "pësuar" shtresa e mesme. "Thjesht, për portugezet librat më nuk janë të nevojshëm”, thotë Joao Alvim, kryetar i Lidhjes së Botuesve dhe Librarive së Portugalisë (APEL). Ky është problemi kryesor në tregun vendor. "Në dallim nga vendet e tjera evropiane, tregu i botimeve digjitale tek ne nuk luan ndonjë rol të madh”.
Megjithatë, shitjet online u ndihmojnë që librat në portugalisht të dalin edhe jashtë kufijve. Katarina de Novais thotë se rreth 12 për qind e atyre që blejnë libra nëpërmjet platformës digjitale të “Bertrand” nuk jetojnë në Portugali. Shumica e librave që libraritë portugeze shesin jashtë, shkojnë në Afrikë prej të cilave gati gjysma në Angolë, një vend ku ekonomia po rritet e ku po zhvendosen mijëra portugeze në kërkim të një vendi pune.
Në të njëjtën kohë botuesit portugezë nuk e shfrytëzojnë tregun prej gati 230 milionë lexuesish potencialë të cilët portugalishten e kanë gjuhë amtare. Në anën tjetër, Portugalia me vendet që dikur kanë qenë koloni e saj nuk ka arritur marrëveshje për njehsimin e gjuhës letrare që do të mund të përdorej në Evropë, Afrikë dhe në Amerikën e Jugut. Për këtë, edhe romanet e shkrimtarëve portugezë, fillimisht “përshtaten” në versionin e gjuhës braziliane e tek pas kësaj, hidhen në treg në këtë vend amerikano-jugor me 200 milionë banorë.
Shpresë për shtimin e shitjeve
Megjithatë, ka lajme të mira sa i përket ekonomisë në Portugali. Pesë vitet e fundit, ky shtet ka arritur që ta rrisë eksportin prej 28 në 41 për qind. Krahas kësaj ka qarkullim edhe në sektorin privat. Në katërmujorin e tretë të vitit ka shënuar rritje deri në 2,7 për qind. Katarina de Novais për këtë shpreson që portugezët sërish do të blejnë libra. "Mendoj që e kemi tejkaluar atë krizën më të rëndë”, ka thënë ajo.
Libraria e moçme në Shiad ka edhe arsye të tjera për të shpresuar. Lisbona gjithnjë e më shumë po bëhet një pikë e njohur turistike. Në dhjetë muajt e vitit 2014, numri i bujtjeve është rritur për 15 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. E shumica e turistëve nuk e lënë pa e vizituar librarinë më të vjetër në botë.
Para njërit nga raftet e drunjta rri një zotëri i moshuar i veshur në mënyrë moderne. Është Sunil nga Sri-Lanka. Kjo është hera e parë që viziton Lisbonën. Librarinë e kanë “zbuluar” në internet, vajza dhe mbesa e tij. Sunili u hedh një shikim veprave të autorëve portugezë, në mesin e ta cilave edhe ato të fituesit të çmimit “Nobel” , Jose Saramagas e të Fernando Pessoas që janë përkthyer në anglisht. "Oferta në anglisht do të mund të ishte më e pasur”, thotë ai. "Por me siguri që do të gjejmë ndonjë libër për ta çuar si suvenir në shtëpi”. /koha/