Një mburojë e kohës së Aleksandrit të Madh që u zbulua në Apoloni në vitin 1983 nga arkeologu Vangjel Dimo, u restaurua mbas 20 viteve punë mbi të nga Frederik Stamati, studiues në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë.
Mburoja erdhi në laborator e shpërbërë në 8153 copa, gati në pamundësi fizike për t'u montuar. U projektuan 760 rrugë për restaurimin e saj, që zgjati mbi 20 vjet dhe me një kosto totale, rreth 1 milion lekë. Është e stilit ceremonial dhe mendohet ti përkiste një ushtaraku të rangut të lartë. Zotëruesi i saj mund të ketë marrë pjesë në fushatat e Aleksandrit të Madh.
Dihet që Aleksandri i Madh thërriste në fushatat luftarake të gjithë shtetasit e vet. Në këtë rast edhe apolloniatët. "Që poseduesi i kësaj mburoje ka qenë në fushatat e Aleksandrit, zor se mund të kundërshtohet", shprehet Stamati. "Armatimi i gjetur në varr, sidomos i shpatës jep edhe më shumë argumente bindëse. Këllëfi i shpatës kishte elementë kockorë tipikë të Lindjes" përfundon ai.
Aleksandri i Madh i lejonte ushtarët e tij që të përvetësonin të gjithë plaçkën e gjetur në qytetet e pushtuara dhe kur nuk kishte aq plaçkë për të grabitur, ai u jepte si shpërblim ushtarëve materiale nga thesari i tij.
Laboratori i Qëndrës Albanologjike vazhdimisht ka bërë një punë të lavdërueshme në restaurimin e shumë veprave arkeologjike dhe historike, të dëmtuara nga koha apo pakujdesia. Një ndër ta është edhe flamuri i bandës "Vatra" themeluar më 17 dhjetor të vitit 1916 në Worcester të Massachusetts. Në pranverën e vitit 1920 ajo erdhi në Shqipëri në shenjë patriotizmi kundër pushtimit italian.