E cilësuar si një kapitull i ri në historinë e Ballkanit, vizita e parë e një udhëheqësi shqiptar në Serbi pas 68-vjetësh, u thye në një përplasje televizive mes kryeministrave mbi pavarësinë e ish-provincës serbe me shumicë shqiptare, Kosovës.
“Reuters” shkruan se Serbia e konsideron Kosovën si djepin e kombit dhe besimit të tij, por shumica 1.8 milionë banorëve të Kosovës janë shqiptarë etnikë, që formuan shtetin e tyre në vitin 2008 me mbështetjen e Perëndimit, pothuajse një dekadë pasi NATO hyri në luftë për të ndalur një valë të madhe të spastrimit etnik.
"Ne kemi dy pozicione krejtësisht të ndryshme në Kosovë, por realiteti është një dhe i pandryshueshëm", tha kryeministri shqiptar Edi Rama në një konferencë televizive për shtyp me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiç.
"Kosova e pavarur është një realitet i pamohueshëm rajonal dhe evropian, dhe kjo duhet të respektohet".
Por Vuçiç tha se ai nuk e kishte pritur një "provokim" të tillë.
"Sipas kushtetutës Kosova është Serbi dhe unë jam i detyruar të them se askush nuk mund të poshtërojë Serbinë", tha ai
Rama u përgjigj: "Më vjen keq, por ky është realiteti që shumë e njohin, dhe sa më shpejt të njihet aq më shpejt mund të ecet përpara”.
Vizita e Ramës, e para e një udhëheqësi shqiptar që pas asaj të diktatorit komunist Enver Hoxha në vitin 1946, ishte shtyrë në 22 tetor, pas një incidenti në ndeshjen e futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd.
Loja u ndërpre kur një avion i telekomanduar, që mbante një flamur të 'Shqipërisë së Madhe' fluturoi mbi stadium, duke shkaktuar përleshje mes lojtarëve dhe tifozëve.