Rexhep Qose feston 77-vjetorin

Rexhep Qose feston 77-vjetorin

Akademiku Rexhep Qose ka festuar dje, më 25 qershor 77-vjetorin e lindjes. Në një intervistë dhënë gazetës "Dita", Qosje thotë se, me fitoren e së majtës do të vijë edhe më shpesh në Tiranë, ndërsa nuk pranon të japë këshillë për Kryeministrin në largim.

- Profesor Qosja, çfarë të veçante kishte dita e sotme për Ju?

- Është një ditë e shënuar e jetës sime, dita që kam ardhur në jetë. Si për cilindo në këtë ditë, ndjehesh i rrethuar nga miq e dashamirës, mbushesh me emocione kur nuk reshtin urimet me telefona, me e-mail. Tani që flasim bashkë shtëpia është e mbushur plot me mysafirë që kanë ardhur për të më uruar. Të gjitha këto bëjnë që 25 qershori të jetë një ditë e veçantë për mua, të afërmit, miqtë dhe dashamirësit e shumtë në Kosovë, Shqipëri e kudo. Më kanë prekur shumë urimet që kanë ardhur nga Vlora, Labëria, që e kam të pranishme gjithë kohën në zemrën time.

- Profesor, ditëlindja juaj përkon me fitoren e të majtës në Shqipëri në zgjedhjet e përgjithshme. Është kjo pjesë e festës suaj?

-  Unë ndjehem mirë, ndjehem i lumtur, pasi ditëlindja ime u tregua e fatshme, shumë e fatshme për Shqipërinë. Me këtë datëlindje, më 25 qershor, Shqipëria mund të quhet e çliruar, e çliruar prej njeriut rëndues, shkatërrues, ofendues me shumë çka për shumë e shumë shqiptarë. Këtë e kam thënë dhe jam i bindur për këtë që them.

- Pas kësaj fitoreje të së majtës, do të vini më shpesh në Shqipëri?

- Sigurisht, të kem shëndet. Dhe zemra më thotë që të vij sa më shpesh aty, në Tiranë, në Vlorë, në Labërinë e shtrenjtë.

- Ndërsa kryeministri i ardhshëm Edi Rama, ju ka uruar ditëlindjen prof. Qosja, po Ju çfarë do t’i uronit në këtë ditë të rëndësishme për të dhe të majtën në Shqipëri?

- E drejtë, sikurse e thamë, kjo është një ditë fatlume për mua dhe shqiptarët. Ndaj dhe Edi Ramës bashkë me aleatët “Për një Shqipëri Europiane” dhe stafin që do të formojë për qeverisjen e Shqipërisë. I uroj nga zemra që të realizojë premtimet që i dhanë popullit gjatë fushatës së zgjedhjeve, të mendojë e punojë për njeriun e thjeshtë, të cilit iu hoq zgjedha më 23 qershor. Duke njohur potencialin intelektual e kulturor, vizionet e tij europiane, jam shumë i sigurt se do ta zbatojë pikë për pikë programin e Rilindjes së Shqipërisë, program i cili çliroi Shqipërinë.

- Cila do të ishte një këshillë e juaja për kryeministrin në ikje Sali Berishën z. Qose.?

- Të lutem mikesha ime, mos ma prish gëzimin e festës së dyfishtë që kam sot me këtë pyetje. Fjala e fundit e imja është: Shqiptarë: Ta gëzoni Rilindjen, Shqipëria sa më shpejt në Europë!

Kush është Prof. Rexhep Qosja

Akademik Rexhep Qosja lindi më 25.6.1936 në Vuthaj te Kelmendit, Malit i Zi. Shkollën fillore e përfundoi në fshatin e lindjes, tetëvjeçaren e mbaroi në Guci..

Ka kryer studimet e larta në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Është specializuar në shkencën e letërsisë në Universitetin e Beogradit. Është doktoruar me temën “Asdreni – jeta dhe vepra e tij”.

Ka qenë profesor i estetikës dhe drejtues i studimeve të shkallës së tretë për filologji në Fakultetin Filologjik të Prishtinës. Ka qenë kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e re” dhe për 11 vjet drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Ka qenë kryetar i Lëvizjes së Bashkuar Demokratike të Kosovës, anëtar i delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje dhe anëtar i Kryesisë së këtij delegacioni.

Ka qenë anëtar i Këshillit Administrativ dhe i Këshillit të Përgjithshëm të Kosovës ndërkohë që kryeadministrator i Kosovës ishte Bernard Kushner.

Merret me prozë – tregime e romane, dramaturgji, histori të letërsisë, kritikë, eseistikë, publicistikë dhe polemikë. Veprat “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Sfinga e gjallë”, “Beselam, pse më flijojnë”, “Bardha”, “Çështja shqiptare – historia dhe politika” dhe “Populli i ndaluar” janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Drama të tij janë shfaqur në teatrot e Kosovës, të Shqipërisë, në disa qendra në ish-Jugosllavi dhe në Evropë.

Shkrimet e tij publicistike të botuara në shtypin kroat e slloven kundër politikës serbe ndaj shqiptarëve, duke filluar nga viti 1981, shënojnë fillimin e dejugosllavizimit të mendimit politik shqiptar në Kosovë.

Është anëtar i Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës prej themelimit të saj dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Në vitin 1998 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit” i Republikës së Shqipërisë.

Është shpallur “Qytetar Nderi” i qyteteve Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë.

Në vitin 2012 Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi serinë e veprave të tij në 29 vëllime.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama