Ai fillimisht shtronte pyetje lidhur me këtë temë dhe menjëherë i jepte vetë përgjigjet. Megjithëse para vetës kishte deri diku një publik të përgatitur, midis të cilëve edhe profesorë dhe akademikë shqiptarë dhe të huaj, ligjërata e Qoses ngjasonte me një ligjëratë për nxënës të shkollave të mesme, pasi që shtjellonte terminologjitë e ndryshme dhe shpjegonte formacionet dhe shkollat letrare. Nganjëherë ai të krijonte përshtypjen e një gjyshi që u tregonte përralla nipërve dhe mbesave, meqenëse edhe heshtja me të cilën e përcillnin të pranishmit i ngjasonte heshtjes dhe kuriozitetit të fëmijëve për të dëgjuar përrallën deri në fund. Këtë heshtje, aty këtu, e trazonin disa cingërima irrituese të celularëve të disa personave të papërgjegjshëm, të cilët në vend që ta fiknin celularin vraponin për të dalë jashtë, duke krijuar rrëmujë, e gati sa nuk rrëzoheshin. “Çfarë do të thotë zhvillim atipik i një letërsie kombëtare?”, ishte pyetja e parë që ia shtroi vetës Qosja, ndërsa përgjigja e tij ishte: “Do të thotë zhvillim i veçantë që ndryshon pak a shumë prej zhvillimit të letërsive të tjera. Nuk është letërsia shqipe e vetmja letërsi në Evropë e cila ka shënuar një zhvillim atipik ose zhvillim të shpejtuar në historinë e saj”, tha ai. “Cilat janë këto letërsi në Evropë që kanë një zhvillim atipik në letërsinë e tyre?”, ishte pyetja e radhës që po ashtu ia shtroi ai vetes. “Studiuesit dhe historianët e letërsive të Evropës thonë se këto janë letërsi të popujve që kanë qenë të pushtuar prej Perandorisë Otomane dhe historitë e letërsisë të popujve që kanë qenë të pushtuar prej Perandorisë Austro-hungareze. Do të thotë se këto janë letërsia shqipe, greke, bullgare, serbe, rumune, malazeze, maqedonase, kroate, sllovene”, u përgjigj ai. Qosja shtoi se ka edhe të tjerë që thonë se secila letërsi kombëtare e ka historinë e zhvillimit të saj të veçantë. Ai tha se zhvillimin historik të letërsisë shqipe ne do ta kuptojmë më mirë kur e krahasojmë letërsinë shqipe me letërsinë franceze apo letërsinë italiane, të cilat letërsia shqipe i ka përcjellë më mirë gjatë historisë dhe prej të cilave ka marrë ndoshta më së shumti ndikime. “Për këtë arsye e themi se shikimi krahasues i këtyre letërsive të popujve të vegjël, në këtë mes i letërsisë shqipe, me letërsitë e mëdha të Evropës na bën të mundshme të kuptojmë letërsinë shqipe në pikëpamje të zhvillimit, të rrjedhës së rrymave letrare, shkollave, drejtimeve, formacioneve, ka pasur apo s’ka pasur shkolla, drejtime, apo formacione, cilat janë ato dhe si janë zhvilluar? Na bënë të mundshme krahasimi i letërsisë shqipe me këto letërsi të kuptojmë llojllojshmërinë e letërsisë shqipe, të kuptojmë tipologjinë e saj, të mësojmë sa e ka njohur letërsia shqipe, ta themi, letërsinë franceze dhe atë italiane, të kuptojmë sa janë përkthyer këto letërsi në letërsinë shqipe dhe sa kanë ndikuar ato përkthime në zhvillimin e letërsisë shqipe dhe si kanë ndikuar”, u shpreh Qosja. Ai shtoi gjithashtu se krahasimi na bën të mundshme dhe është i domosdoshëm për të krijuar një koncept të vlerave. Pyetjet e radhës që ia shtoi vetes ishin “cilat janë ato vlera, sa kanë arritur ato vlera artistike, kuptimore, estetike të letërsisë sonë, a janë ato vlera të nivelit të letërsisë evropiane apo janë vlera që edhe me tutje përpiqen të arrijnë vlera letrare, artistike të letërsive të mëdha të Evropës?”
Për këtë arsye, ai tha se trajtimi historik i letërsisë sonë si një letërsi me zhvillim atipik të shpejtuar është i arsyeshëm. Sipas tij, për shkak se letërsia jonë është zhvilluar në historinë e saj në mënyrë atipike edhe periodizimet s’kanë mundur të bëhen siç janë bërë në letërsitë evropiane. Duke folur për periodizimin e letërsisë shqipe, ai filloi prej letërsisë së vjetër shqipe dhe vazhdoi kah periudhat e mëvonshme, duke u ndalur më shumë te romantizmi shqiptar, pasi që edhe në librat e tij ai është marrë më së shumti me këtë periudhë. Sa i përket kësaj periudhe, Qosja tha se romantizmi shqiptar në radhë të parë është ideologji kombëtare që lufton për krijimin e shtetit kombëtar. Sipas tij, letërsitë e mëdha të Evropës s’e kanë këtë problem, s’kanë nevojë të luftojnë për shtetin se e kanë atë, as për krijimin e kombit se e kanë të formuar atë. “Romantizmi shqiptar kthehet në histori por jo për motive për të cilat kthehet romantizmi evropian, jo për t’i ikur kohës së tashme por për të ndikuar në të. Evropianët ikin në histori, në mesjetë, në orient për të kërkuar ngushëllim atje nga koha e tyre, shoqëria e tyre, jeta bashkëkohore, ndërsa romantikët tanë ikin në histori për të marrë temat historike, për të madhëruar, glorifikuar, himnizuar historinë kombëtare, për t’i rikthyer figurat e mëdha historike, për të ngritur dinjitetin kombëtar. Romantikët evropianë kthehen në natyrë për të përsiatur në mënyrë filozofike për natyrën, për të lypur ngushëllim, paqe, qetësi në hapësirat, në bukuritë e natyrës, ndërsa romantikët tanë kthehen në natyrë për të glorifikuar atdheun”, tha Qosja. Si shembuj të kësaj ai i mori poezitë e Filip Shirokës, të Naimit, të Zef Serembes, të poetëve arbëreshë dhe të gjithë romantikëve tanë. “Si ta çelin gojën për natyrën ata flasin për atdheun, për Shqipërinë, për bukurinë, për bagëti e bujqësi, këtë kuptim e ka natyra, jo motiv meditimesh filozofike, por motiv për të folur për atdheun”, tha ai. Sipas tij, romantikët tanë nuk kthehen në orient, s’kanë nevojë për orientin se iu ka ardhur në fyt, janë të pushtuar prej Perandorisë Otomane. Ndërsa, romantizmi evropian di të jetë i paqartë, hermetik, sipas Qoses, romantizmi shqiptar është i qartë deri në fund. “Romantikët evropianë s’mendojnë a do t’i kuptojë apo mund t’i kuptojë lexuesi, ata duan të shprehen dhe shprehen sa më bukur, romantikët tanë duan t’i kuptojë lexuesi shqiptar, duan të ndikojnë në të, duan të bëjnë për vete se flasin për çështje të mëdha”, shtoi ai. Duke folur për periudhat tjera, ai tha se në letërsinë mes dy luftërave botërore ne gjejmë elemente të realizmit, të romantizmit, të parnasizmit, të simbolizmit, të neoklasicizmit etj. Ndërsa sa i përket letërsisë së realizmit socialist, ai tha se proza në Shqipëri është prozë e realizmit socialist deri në vitet nëntëdhjetë. “Në Kosovë proza pak a shumë modernizohet, sjell një përvojë rreth viteve shtatëdhjetë, megjithatë mbetet mbizotëruese proza e realizmit të fshatit. Trajtohet kryesisht tema e fshatit në prozën tonë”, tha Qosja. Megjithëse ka shkrimtarë shqiptarë që janë përkthyer në shumë gjuhë të botës, por studiuesi shtoi se nuk duhet krijuar iluzione se letërsia shqipe ka vlera evropiane. “Keni lexuar shkrime se letërsia shqipe është letërsi me vlera evropiane. Bukur është të ishte ashtu. Por nuk ka nevojë t’i krijojmë vetës iluzione”, tha Qosja. Ai tha në fund se letërsia bashkëkohore shqipe vazhdon të zhvillohet në mënyrë atipike, të shpejtuar, duke dëshmuar përpjekjet që të modernizohet.
“Express”