Akademiku Rexhep Qosja i është bashkuar zërave kundër themelimit të Gjykatës Speciale në Kosovë që do të merret me gjykimin e krimeve të supozuara të UÇK-së. Kjo është e para herë në historinë politike të Europës, që po bëhen përpjekje për themelimin e një gjykate të tillë.
Në një intervistë për të përditshmen “Epoka e Re”, Qosja ka thënë, “unë jam me zemër e me mendje kundër themelimit të kësaj Gjykate të quajtur Speciale”, duke shtuar se gjykatat e tilla "dinë të shpikin rezultate, për çka institucionet e Kosovës është dashur të jenë më këmbëngulëse”.
Qosja ka folur edhe për FARK-un, për të cilin ka thënë se është krijuar me qëllim që UÇK-së të mos i njihet statusi si forcë çlirimtare e Kosovës.
Ndërsa, dje në një intervistë për mediat e Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se deputetët e Kuvendit duhet të japin votën e tyre pro Themelimit të Gjykatës Speciale. Sipas Thaçit kjo do ta pastronte Kosovën nga pretendimet spekulative të Dick Marty-it.